Kurti: Serbia udhëhiqet nga pasuesi i Millosheviqit, ndërsa Kosova nga një president që jep tokë për të fituar pushtet

  • 23 March 2019 - 11:50
Kurti: Serbia udhëhiqet nga pasuesi i Millosheviqit, ndërsa Kosova nga një president që jep tokë për të fituar pushtet

Lideri Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kujtuar kohën kur nga pushteti i Sllobodan Millosheviqit janë bërë ndryshimet kushtetuese për heqjen e autonomisë së Kosovës me 23 mars të vitit 1989.

Ai thotë se edhe pas 30 vjetësh, Serbia udhëhiqet nga Aleksander Vuçiqi i cili vjen nga e njëjta rrymë politike e Millosheviqit që edhe autonomia i dukej shumë, ndërsa Kosova udhëhiqet nga një president i cili jep territor të vendit, për të fituar pushtet për vete.

Në një reagim në profilin e tij, Kurti ka thënë se në momentin që pushteti bëhet më i rëndësishëm se shteti dhe territori, atëherë partia bëhet më e rëndësishme se populli.

Reagimi i plotë i Kurtit:

Serbia udhëhiqet nga pasuesi i Millosheviqit, ndërsa Kosova nga një president që jep tokë për të fituar pushtet

1989: asgjë nuk humbet Kosova me ndryshimet kushtetuese, bile, veçse përfiton. 2019: asgjë nuk humbet Kosova me korrigjimin e kufijve, madje, vetëm përfiton.

Sot janë mbushur tri dekada nga suprimimi i autonomisë së Kosovës. 23 marsi 1989 ishte shtetrrethim: gjendje e jashtëzakonshme, orë policore, mbi njëqind tankse e 15 mijë forca të armatosura jugosllave.

Për pasojë, në pranverën e atij viti, dhjetëra shqiptarë u vranë në demonstrata e qindra të tjerë u arrestuan. Që nga ajo kohë edhe medie ndërkombëtare filluan ta konsiderojnë Kosovën të pushtuar e të okupuar.

30 vjet më vonë, Serbia nuk na e njeh pavarësinë. Sepse, presidenti atje është nga po ajo rrymë politike serbe së cilës edhe autonomia për Kosovën i dukej e tepërt. Dhe, sepse presidenti këtu te ne është nga ajo rrymë politike shqiptare që jep territor shteti për pushtet për veti.

E, kur pushteti dhe qeveria janë më të rëndësishme se territori dhe shtetësia, atëherë edhe partia bëhet më e rëndësishme se popullsia. 1989: punësimi, me librezë partie. 2019: punësimi, me librezë partie dhe afri farefisnie.

(Kosova Sot)