Grupi “Al Shabaab” vret nëntë persona në Somali

  • 23 March 2019 - 14:48
Grupi “Al Shabaab” vret nëntë persona në Somali

Një zyrtar policor ka njoftuar se nëntë njerëz, përfshirë zëvendësministrin somalez të punës, janë vrarë në një sulm të kryer nga ekstremistët islamikë në një ndërtesë qeveritare në Mogadishu të Somalisë.

Shpërthimi i fuqishëm e ka dridhur qendrën e kryeqytetit somalez dhe një shtëllungë e madhe tymi është parë në vendin e shpërthimit. Besohet që shpërthimi ka ndodhur në ndërtesën që shfrytëzohet nga Ministria e Punës.

Ky është shpërthimi i fundit, për të cilin përgjegjësinë e ka marrë grupi “Al Shabaab”, një grup islamist që po lufton për ta marrë pushtetin në Somali. Sipas këtij grupi, Somalia duhet të qeveriset përmes zbatimit të rreptë të sheriatit islam.

Mohamed Hussein, major i policisë në Mogadishu, tha se personat e armatosur që kanë hyrë në ndërtesën e qeverisë janë vrarë dhe se pjesa më e madhe e ndërtesës është siguruar. “Ne besojmë që në ndërtesë ka luftëtarë të tjerë që po fshihen”, tha ky zyrtar, duke shtuar se 20 njerëz janë lënduar në këtë sulm.

Dr.Abdikadir Abdirahman, drejtor i shërbimit shëndetësor, tha se disa njerëz ndodhen të ngujuar në ndërtesë dhe se është e pamundur që ata të shpëtohen për shkak të gjuajtjeve të vazhdueshme me armë zjarri.

Grupi “Al Shabaab” vazhdon të mbetet kërcënim për sigurinë në Somali dhe Kenia për shkak se kohë pas kohe kryen sulme me bomba kundër qeverive të këtyre dy shteteve afrikane, shkruan “Reuters”.

(Kosova Sot)