Italia dhe Kina nënshkruajnë marrëveshje me vlerë 2.5 miliardë euro

  • 23 March 2019 - 15:59
Italia dhe Kina nënshkruajnë marrëveshje me vlerë 2.5 miliardë euro

Zëvendëskryeministri italian, Luigi Di Maio, ka thënë se Italia ka nënshkruar marrëveshje me vlerë 2.5 miliardë euro me Kinën gjatë vizitës së presidentit kinez, Xi Jinping, në Romë, duke shtuar se vlera e përgjithshme e kontratave mes këtyre dy shteteve pritet të shkojë në 20 miliardë euro.

Di Maio e nënshkroi një marrëveshje me ministrin kinez të tregtisë, Zhong Shan, duke e bërë Italinë vendin e parë prej shteteve kryesore të Perëndimit që e miraton projektin infrastrukturor “Rripi dhe Rruga”, pavarësisht shqetësimit të aleatëve perëndimorë lidhur me rrezikimin e interesave të tyre.

Zëvendëskryeministri Di Maio tha para gazetarëve se qeveria italiane mbetet e përkushtuar ndaj partnerëve perëndimorë, por se Italia vjen në vend të parë.

Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, e priti me nderime të larta shtetërore në Romë presidentin kinez, Xi Jinping.

Përndryshe, presidenti kinez, Xi Jinping, arriti të premten në pallatin presidencial në Romë, ku u prit me nderime të larta shtetërore. Për nder të tij u shtrua një darkë zyrtare, ku mysafirët i argëtoi këngëtari italian me famë botërore, Andrea Bocelli.

Ndaj nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje kanë reaguar liderët e Francës, Gjermanisë dhe Bashkimit Evropian. “Kina është faktor në dallimet tona. Periudha e naivitetit evropian ka përfunduar”, tha presidenti francez, Emmanuel Macron, shkruan “The New York Times”.

(Kosova Sot)