Ligjvënësit kërkojnë publikimin e raportit të Prokurorit Mueller

  • 23 March 2019 - 23:33
Ligjvënësit kërkojnë publikimin e raportit të Prokurorit Mueller

Prokurori i Posaçëm Robert Mueller ka përfunduar tashmë raportin e shumëpritur të hetimit të ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet amerikane të vitit 2016 dhe përfshirjen e mundshme të Presidentit Trump dhe ekipit të tij elektoral.

Përmbajtja e raportit është ende konfidenciale dhe vendimin për publikimin e tij do ta marrë Prokurori i Përgjithshëm William Barr. Ndërkohë që Departamenti i Drejtësisë konfirmoi se raporti nuk sugjeron ngritje akuzash të mëtejshme, ligjvënësit po bëjnë thirrje për publikimin e këtij raporti.

Prokurori i posaçëm Robert Mueller u pikas nga gazetarët duke hyrë në godinën, vendndodhja e së cilës ishte mbajtur deri më tani sekret, ku mendohet se u përpilua raporti hetimor. Rezultatet e raportit hetimor vazhdojnë të mbahen konfidenciale, por Departamenti i Drejtësisë konfirmoi se në raport nuk sugjerohen ngritje akuzash të mëtejshme.

Por, megjithëse nuk është bërë pra ende e ditur përmbajtja e raportit, Uashingtoni zyrtar ka filluar tashmë të reagojë.

“Nuk ka pasur bashkëpunim të fshehtë (me Rusinë). Nuk ka pasur pengim të drejtësisë. Është i gjithi një rreng i madh. Do shohim ç’do ndodhë”, deklaroi Presidenti Donald Trump.

Raporti gjendet tashmë në duart e drejtuesit të Departamentit të Drejtësisë, Prokurorit të Përgjithshëm William Barr, i cili do të vendosë se çfarë pjesësh të raportit do t’i bëhen të ditura Kongresit apo publikut.

Demokratët mendojnë se është “thelbësore” që raporti të botohet i plotë për publikun.

“Tashmë që Prokurori i Posaçëm Mueller i ka paraqitur raportin e tij Prokurorit të Përgjithshëm, është thelbësore që Barr ta publikojë të plotë raportin, si dhe t’i japë Kongresit dokumentacionin mbështetës dhe konkluzionet. Prokurori i Përgjithshëm Barr nuk duhet t’u ofrojë Presidentit Trump, avokatëve të tij dhe stafit të tij mundësinë e njohjes paraprakisht me gjetjet e Prokurorit të Posaçëm Mueller dhe me provat. Gjithashtu, Shtëpia e Bardhë nuk duhet të lejohet të ndërhyjë në vendimmarrjen se cilat pjesë të konkluzioneve apo provave duhet të bëhen publike”, deklaroi Senatori demokrat Chuck Schumer.

Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, tha se Shtëpisë së Bardhë nuk i është dërguar raporti dhe as është informuar rreth tij. Ajo tha se “presim me padurim që ky proces të shtjellohet” dhe se hapat e mëtejshme “janë në dorën e Prokurorit të Përgjithshëm Barr”.

Senatori Mitch McConnell, kreu i mazhorancës republikane në Senat, tha se shpreson që Prokurori i Përgjithshëm Barr do “të ofrojë informacionin më të madh të mundshëm” për gjetjet e hetimit, dhe me “transparencën më të madhe të mundshme”.

Kreu i Departamentit të Drejtësisë, Prokurori i Përgjithshëm Barr, u shpreh se mund të informojë Kongresin ndoshta brenda kësaj fundjave për gjetjet e raportit që përmbledh hetimin gati dy-vjeçar të Prokurorit të Posaçëm Mueller.

(Kosova Sot)