Aktakuzat përgatiten me porosi nga sistemet parapolitike

  • 24 March 2019 - 08:06
Aktakuzat përgatiten me porosi nga sistemet parapolitike

 Preteni: Prokurorët janë të dirigjuar nga politika

 “Mbi 90% të prokurorëve dhe gjyqtarëve, policëve hetues dhe agjentëve të inteligjencës, janë njerëz të dërguar në ato institucione nga mafia politike e Kosovës, nga bosët e korruptuar politikë, që në të njëjtën kohë janë kokat e krimit të organizuar në Kosovë. Edhe kur ngrihen akuzat kundër dikujt nga politika, akuzat vijnë të porositura nga sistemet parapolitike e klane që u shërbejnë disa politikanëve të korruptuar dhe të fuqishëm”, thotë analisti Naim Miftari për “Kosova Sot”

Në Kosovë prokurorët ngrenë aktakuza të porositura nga pushtetarët e inkriminuar dhe nëntoka kriminale, ndërkaq mbyllin sytë dhe heshtin mbi prova dhe fakte të bollshme për krimin e organizuar që ekziston, për korrupsionin, nepotizmin dhe keqpërdorimet që i bëjnë pushtetarët kosovarë për çdo ditë. Njohësit e fushës së drejtësisë theksojnë se rastet e shumta dëshmojnë se si blihen, shantazhohen apo kërcënohen e frikësohen prokurorët në Kosovë, duke mos denjuar as të merren me shkeljet e përditshme ligjore që bëhen në çdo institucion në Kosovë, si në nivelin qendror ashtu edhe në atë komunal.

Edhe kur niset ndonjë hetim, zakonisht bëhet për t’i shërbyer dikujt në politikë, për shantazh mes rivalëve politikë, thonë analistët. Një praktikë e tillë, e ka ulur besimin e publikut në sistemin e drejtësisë. Për një krim të vogël, mund ta pësojë keq fajtori, ndërsa për hajninë e milionave nuk përfundon askush në burg. Njohësit e fushës së drejtësisë alarmojnë se politika e ndëshkimeve mbetet e kompromentuar, ndërsa, në mungesë të VETTING-ut, radhët e sistemit rezultojnë me plot emra të dyshimtë për të kaluarën dhe pasurimin e tyre.

Image
Hasan Preteni

Preteni: Prokurorët e shantazhuar!

Analisti Hasan Preteni thekson se prokurorët janë të dirigjuar nga politika, pa asnjë dilemë.“Nuk ka nevojë që të kërcënohen, ata janë të shantazhuar. Me një analizë të thjeshtë kjo vërtetohet. Nuk kemi publikime të veprimeve të hetuesisë, nuk mbajnë konferenca të rregullta për të prezantuar "punën" nuk mbajnë konferenca për ndonjë rast specifik. Ata dalin në media vetëm nëse ju thotë politika.

Tani e disa ditë në mënyrë me intensive po flitet për punësime në ndërmarrje publike dhe në institucione shtetërore, po flitet për nepotizëm e klientelizëm, po riflitet për rastin e "gylenistëve" dhe menjëherë organizohet një intervistë në TV publike, ku kryeprokurori tregon se të gjitha zotimet që i prezantojë politika, ata do t’i hetojnë.

Të koordinuar mirë, sinjalet nga politika, urdhërohet televizioni-mediat dhe prokurori në fund. Siguroj që nuk janë duke bërë as të paktën një hetim. Fraza të mësuara edhe nga zogjtë e malit "i kemi filluar hetimet" hetimet që kur nuk do të përfundojnë me aktakuzë.

Zotim për përdorim ditor dhe në shërbim të politikes ditore”, ka theksuar ai.

“Çka po ndodh me rastin e veteranëve, çka po ndodh me rastin e tokave, çka po ndodh me rastin ‘Stenda’ dhe çka po ndodh edhe me shumë raste tjera të përfolura e të koordinuara me politikën dhe asnjëherë të përfunduara. U tha se do të hetohet nepotizmi, po nepotizmi dhe "izmat" tjerë nuk janë vepra penale. Nepotizmi është kategori morale, nuk është vepër penale, nuk mundet me shkuar askush në burg për këtë. Pse luhet me ndjenjat e qytetarëve kur dihet se nuk mund të ndodhë asnjë aktakuzë”, ka thënë Preteni.

Image
Naim Miftari

 Miftari: Mafia dirigjon institucionet

Analisti Naim Miftari thotë se mbi 90% të prokurorëve dhe gjyqtarëve, policëve hetues dhe agjentëve të inteligjencës janë njerëz të dërguar në ato institucione nga mafia politike e Kosovës nga bosët e korruptuar politikë që në të njëjtën kohë janë kokat e krimit të organizuar në Kosovë. “Edhe kur ngrihen akuzat kundër dikujt nga politike akuzat vijnë të porositura nga sistemet parapolitik,e klane që u shërbejnë disa politikanëve të korruptuar dhe të fuqishëm.

Edhe akuzat kundër opozitës, sidomos kundër disa deputetëve dhe aktivistëve të VV-së vinin nga vetë Thaçi e Veseli, por ndonjëherë sa ishte në pushtet vinin deri diku edhe nga klani i Isa Mustafës, pasi ishin hakmarrje politike, por ku terrorizmin prokurorët kukullat e pushtetit e kishin vetëm justifikim ligjor”, u shpreh ai. Sipas tij, edhe akuzat kinse kundër korrupsionit gjykatat tona i kanë me hile shumicën e rasteve. “Akuzohen vetëm kur dalin në shesh anomalitë e korrupsionit dhe keqpërdorimit zyrtar siç ishte afera ‘Pronto’, por pastaj aktet proceset gjyqësore i përdorin për pastruar politikanët e korruptuar”, vlerësoi Miftari. Ai potencon se nëse nuk punon një zyrtar i drejtësisë sipas dëshirave të politikës dhe pushtetit atëherë e pret fati i njëjtë sikur i prokurorit special, Elez Blakajt, i cili u gozhdua nga pushteti, u kërcënua po ashtu dhe jeta e tij ishte në rrezik. “Prokurori Elez Blakaj u kërcënua, sepse kishte ngritur dyshime të drejta për rritjen e numrit të veteranëve për dhjetëra-mijëra veteranë të rrejshëm që janë "luftëtarë politikë" të partive politike, krimit të organizuar dhe e komandantëve kriminelë që sot janë multimilionerë.

Të njëjtën hakmarrje të pushtetit e përjetoi edhe një avokat në Drenas, që bëri denoncim publik kundër një dhunimi dhe abortimi, ku një e mitur ishte dhunuar dhe keqpërdor nga arsimtari dhe pastaj edhe nga ata që duhej ta mbronin nga hetuesi policor, pastaj edhe nga mjeku që kishte ndihmuar edhe të abortonte fëmijën. Kjo tregon se këta mafiozë politikë pushtetin dhe gjykatën e policinë i përdorin për hakmarrje për ata që kundërshtojnë apo për konkurrencë në politikë dhe biznese, por dhe për ata që ju dalin jashtë kontrollit të mafisë politike”, tha Naim Miftari për “Kosova Sot”.

Image
Blerim Burjani

Boll me fjalë, krimi të luftohet

“Prokuroria e pavarur është kusht për funksionimin e drejtësisë, problemet e drejtësisë po pengojnë liberalizimin e vizave.

Kosova ka nevojë për një mision policor me shifrën nepotizmi për të zbardhë shumicën e rasteve familjare të punësuar me linja partiake dhe për të ngritur aktakuza ndaj të gjithë atyre që janë kanë pjesë e komisioneve intervistuese, një hetim i thellë që do të rezultonte në bazë të provave për ngritje të aktakuzave për diskriminim në fushën e punësimit.

Pa ndërmarrjen e një ofensive të gjerë në përmasa të gjera kundër nepotizmit nuk ka asgjë. Kjo është vepër penale pa marrë parasysh kush e bën duhet të dënohet me burg bazuar në kodin penal, andaj nuk duhet më thjesht të flitet për krimin, por duhet të luftohet urgjentisht dhe menjëherë”, u shpreh Blerim Burjani për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)