Ligji për lustrimin e figurave publike, i domosdoshëm në Kosovë

  • 24 March 2019 - 13:12
Ligji për lustrimin e figurave publike, i domosdoshëm në Kosovë

20 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, shteti i pavarur ende nuk ka ligj të lustracionit, përmes së cilit edhe do të mund të rregullohej pozita e personave që kanë punuar në ish-regjimin e Sllobodan Millosheviq.

Njohës të drejtësisë dhe të të drejtave të njeriut në Kosovë po vlerësojnë se një ligj i tillë është i domosdoshëm meqë persona të tillë që kanë zbatuar ligje diskriminuese, mbajnë pozita të larta në institucione të Kosovës.

Ligji për lustracionin konsiderohet të jetë përcaktues për vendosjen e një rregulli në shtet. Në institucionet e Kosovës, e cila u pavarësua në vitin 2008, vazhdojnë të mbajnë pozita njerëz të cilët në kohën e ish-regjimit të Millosheviqit kanë vepruar në kundërshtim me ligjin dhe kanë zbatuar ligje diskriminuese kundër popullatës në Kosovë.

Behxhet Shala, kryetar i Këshillit për Lirinë dhe Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, thotë për KosovaPress se për të vendosur një rregull shteti duhet të miratojë ligjin për lustrimin e figurave publike.

Me këtë ligj, thotë Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, prokurori i shtetit në bazë të fakteve do të mund të fillonte procedura penale, ndaj personave të caktuar.

 Miftaraj sqaron se si mund të përdorën këta persona për qëllime politike.

Ndërkohë në Serbi persona që dikur kanë punuar afër Millosheviqit, sot mbajnë pozita të larta në institucionet ekzekutive.

Nga viti 2013 Republika e Kosovës dhe ajo e Serbisë dialogojnë për normalizim të marrëdhënieve dhe arritjes së një marrëveshje finale mes të dy vendeve.

Politikanët e Kosovës  ulen në tavolinën e bisedimeve me Aleksandër Vuqiq dhe Ivica Daqiq, që njihen si njerëz të afërt me Sllobodan Millosheviq.

Profesori dhe juristi Mazllum Baraliu thotë se në aspektin e denigrimit të atij regjimi, që sipas tij nga ata persona vazhdohet edhe sot,  plani diplomatik dhe politik ka më shumë efekt sesa ngritja eventuale e aktakuzave.

Ai thotë se ata janë vazhdimësi e regjimit të Milloshevqiit dhe politikanët kosovarë duhet që këtë  t’i bëjnë me dije të gjithë faktorit ndërkombëtar.Nisma për krijimin e një ligji për lustrim, ka pasur rreth 10 vjet më parë në Kuvendin e Kosovës, por kanë ngecur meqë nuk ka pasur gatishmëri të mjaftueshme të deputetëve në pushtet, për ta miratuar atë.

Sllobodan Millosheviq ishte president i Serbisë dhe Federatës Jugosllave.Nga luftërat e shkaktuara nga ai, dhe ushtria jugosllave, së paku 15 mijë shqiptarë u vranë, e 1 milion tjerë u deportuan nga tokat e tyre.

(Kosova Sot)