Rusia ka zhvilluar një ushtri të robotëve vrasës

  • 24 March 2019 - 14:53
Rusia ka zhvilluar një ushtri të robotëve vrasës

Rusia ka prezantuar një ushtri të 'robotëve vrasës', të cilët do të jenë ndihmë ndaj këmbësorisë në fushëbetejë. Videoja, e publikuar nga Kremlin, duket të shfaqë teknologjinë më të re ruse të dronëve. Këtu përfshihen edhe tanket pa shofer, të kontrolluara nga inteligjenca artificiale, të cilat ndjekin veprimet e ushtarëve, me qëllim të ofrimit të mbështetjes ndaj tyre. 

Zvogëlimi gradual i rolit të operatorit

Fondacioni rus i kërkimeve të avancuara (ARF) thotë se qëllimi përfundimtar është krijimi i një ushtrie të robotëve tërësisht të kontrolluar nga algoritmet e inteligjencës artificiale. Aktualisht dronët përdoren nga këmbësoria, e cila i kontrollon ata nga largësia, por në të ardhmen kjo teknologji do të jetë tërësisht autonome. Kjo d.m.th. se hardueri ushtarak do të jetë në gjendje që të shënjojë dhe vrasë armiqtë pa ndërhyrjen njerëzore. "Evoluimi i robotëve luftues është në rrugë e sipër që ta rritë aftësinë e kryerjes së detyrave në mënyrë autonome, me një zvogëlim gradualtë rolit të operatorit', ka deklaruar një zëdhënës.

Ndryshimi i fytyrës së luftës moderne

Videoja e përmendur është vendosur edhe në "YouTube" nga "ARF", për të vënë në pah aftësitë vrastare të kësaj teknologjie. Superfuqitë në mbarë botën janë duke punuar për zhvillimin e mjeteve autonome, apo të kontrolluara nga largësia, me qëllim të ndryshimit të fytyrës së luftës moderne. Në fillim të këtij muaji, ushtria britanike bëri me dije se do të ketë rreth 200 dronë miniaturalë, më të vegjël sesa shuplaka e njeriut, të cilët do t'iu ofrojnë ushtarëve ndihmë në fushëbetejë. Këta mini-dronë, të quajtur "Black Hornet", do të mund të kryejnë detyrat e rrezikshme të vëzhgimit dhe zbulimit, që aktualisht bëhen nga njerëzit. 

(Kosova Sot)