20 vjet pas intervenimit të NATO-s, shteti në paralizë

  • 25 March 2019 - 07:38
20 vjet pas intervenimit të NATO-s, shteti në paralizë

Bytyçi: Edi Rama, Hashim Thaçi, Baton Haxhiu dhe garnitura e tyre politike, e fshehur ose e hapur, kanë marrë anën e Serbisë dhe të Rusisë kundër Kosovës

 “Askush nuk e kishte menduar se Kosova do ta shënonte 20-vjetorin e bombardimeve të NATO-s në një situatë kaq dëshpëruese, ku i madh e i vogël shikojnë çdo mundësi për të ikur sa më larg nga ky vend dhe nga këta pushtetarë të inkriminuar, që Kosovën e kanë shndërruar në oazë të krimit të organizuar e korrupsionit dhe në një shtet ku politika e kriminalizuar luan me shtetin dhe qytetarët, thuajse luan bixhoz.

Ndonëse Kosova është shtet i pavarur në aspektin juridik, edhe 20 vjet pas bombardimeve të NATO-s, ende nuk e ka përfunduar projektin e sovranitetit të plotë të saj, por për më tepër e në mënyrë të pashembullt, pavarësia dhe sovraniteti po kërcënohen nga papërgjegjësia politike e ish-krerëve të UÇK-së, të cilët për interesa personale po luajnë bixhoz me fatin e dy milionë kosovarëve, si dhe me tërësinë territoriale dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës”, thotë analisti Florim Zeqa për gazetën “Kosova Sot”

Bombardimet e NATO-s, që filluan më 24 mars 1999, shkatërruan forcën ushtarake dhe politike të Serbisë së kriminelit Milosheviq, por sot kush e kishte menduar se Kosova do ta shënonte 20- vjetorin e bombardimeve të NATO-s në këtë situatë, ku i madh e i vogël shikojnë çdo mundësi për të ikur nga ky vend dhe nga këta pushtetarë të inkriminuar, të cilin pushtetarët e kanë shndërruar në oazë të krimit të organizuar e korrupsionit dhe në një shtet ku politika e kriminalizuar luan me shtetin, thuajse luan bixhoz.

Sipas analistëve, edhe pse 20 vjet pas këtyre bombardimeve, ndonëse Kosova është shtet i pavarur, ende nuk e ka përfunduar projektin e sovranitetit të plotë të saj, por për më tepër e në mënyrë të pashembullt pavarësia dhe sovraniteti kërcënohen prej pushtetarëve. Ata shtrojnë pyetjen se a është ky bixhozi i Hashim Thaçit me bashkëpunëtorët e tij, që për t’i shpëtuar Gjykatës Speciale, i ka hedh zaret për të luajtur jo me fatin e tij, por me të dy milionë kosovarëve, si dhe tërësinë territoriale dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës, në të cilën lojë po përkrahet jo vetëm nga partia e tij, PDK-ja, por edhe nga minipartitë e inkriminuara, siç është klika e Shpend Ahmetit me shokët e vet!?

Analistët alarmojnë se a është Republika e Kosovës, në 20-vjetorin e shënimit të bombardimeve të NATO-s, realisht në paralizë, ku nuk ka fare sundim të ligjit, ku nuk funksionon si duhet asgjë dhe ku pushteti prioritet e ka pazarin me territore për interesa personale dhe zhvatjen e pafund të buxhetit dhe aseteve të shtetit. Bile, sipas analistëve, ka humbur të qytetarët edhe sensi i reagimit, ku si duket edhe qytetarët janë pajtuar me të keqen dhe nuk lëvizin e as nuk ndryshojnë asgjë, sepse mendojnë se kjo është e kotë, duke e duruar këtë regjim autokratik dhe anarkik e të pashembullt.

Analistët janë të mendimit se pa e hequr qafe pokerin e pushtetit, ky vend nuk do të shohë ditë të mira, prandaj sa më shpejt që qytetarët ndërgjegjësohen për kauzën e pashmangshme, aq më mirë për Republikën e Kosovës.

Image
Florim Zeqa

 Kosova nuk u çlirua nga rrahagjoksët e pasluftës

Analisti Florim Zeqa ende i mban të freskëta fjalët e gjeneralit amerikan që e ka takuar rastësisht në muajin qershor 2001 në Godega Di Sant Urbano (Trevizo-Itali).“Po citoj se ç’më ka thënë: ‘Ju nuk keni pasur tanke dhe as avionë për ta larguar Serbinë nga Kosova..."!

Sipas Zeqës, ishin bombardimet e NATO-s, që filluan më 24 mars 1999, ato që e shkatërruan forcën ushtarake dhe politike të Serbisë së kriminelit Milosheviq, e jo rrahagjoksët e pasluftës, këta pushtetarët e sotëm. “Për vetë faktin se aleancës më të fuqishme ushtarake në botë iu deshën 78 ditë për ta gjunjëzuar makinerinë ushtarake të Milosheviqit, tregon qartë se kishim të bëjmë me një armik të fuqishëm. Edhe sot, pas 20 vjetësh, çdo nënvleftësim i armikut shekullor paraqet rrezik për sigurinë e vendit tonë.

Askush nuk e kishte menduar se Kosova do ta shënonte 20-vjetorin e bombardimeve të NATO-s në një situatë kaq dëshpëruese, ku i madh e i vogël shikojnë çdo mundësi për të ikur sa më larg nga ky vend dhe nga këta pushtetarë të inkriminuar, që Kosovën e kanë shndërruar në oazë të krimit të organizuar e të korrupsionit dhe në një shtet ku politika e kriminalizuar luan me shtetin dhe qytetarët, thuajse luan bixhoz. Ndonëse Kosova është shtet i pavarur në aspektin juridik, edhe 20 vjet pas bombardimeve të NATO-s, ende nuk e ka përfunduar projektin e sovranitetit të plotë të saj, por për më tepër e në mënyrë të pashembullt pavarësia dhe sovraniteti po kërcënohen nga papërgjegjësia politike ish-krerëve të UÇK-së, të cilët për interesa personale po luajnë bixhoz me fatin e dy milionë kosovarëve, si dhe me tërësinë territoriale dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës”, theksoi analisti Florim Zeqa për gazetën “Kosova Sot”! Si pasojë e kësaj situate, sipas tij, Republika e Kosovës, në 20-vjetorin e shënimit të bombardimeve të NATO-s, ndodhet në paralizë të plotë në rrafshin e politikës së jashtme dhe të paralizës juridike në vend, ku nuk ka fare sundim të ligjit, ku nuk funksionon si duhet asnjë hallkë e shtetit, ku pushtetarët prioritet e kanë pazarin me territore për interesa personale dhe zhvatjen e pafund të buxhetit dhe aseteve të shtetit.

“Është e pashembullt dhe e dhimbshme humbja e sensit të reagimit qytetar, ku si duket edhe qytetarët janë pajtuar me të keqën e madhe, nuk po e bëjnë asnjë lëvizje për ndryshim, sepse mendojnë se kjo është e kotë, duke e duruar këtë regjim autokratik dhe anarkik e të pashembullt në historinë më të re të Kosovës. Mbase është momenti i fundit për zgjim të ndërgjegjes qytetare për të hequr qafe pokerin e pushtetit bashkë me të edhe klasën e inkriminuar politike, kauzë kjo e pashmangshme për të shpëtuar shtetin nga falimentimi, përkatësisht për të shpëtuar Republikën e Kosovës nga zhbërja e hartës gjeopolitike në Ballkan”, theksoi analisti Zeqa për gazetën “Kosova Sot”.

Image
Reshat Badallaj-Zhuriani

Badallaj: Kush e ka menduar se vendi të bjerë sërish në dorën e udbashit të Serbisë, këlyshit të Jovica Stanishiqit?

“Aleanca Veriatlantike NATO dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës pa më të voglin dyshim ishin shpëtimtare dhe që bënë për shkatërrimin e makinerisë më moderne luftarake që zotëronte Serbia dhe mercenarëve sllavo-ortodoks. Dhe, askujt nuk i kishte vajtur mendja se pasi të ikë nga trojet tona fashizmi serb, për të mos u kthyer kurrë më, se Kosova do të bjerë në dorën e kryehajnave dhe kryebanditëve që do ta shkatërrojnë vendin, duke e vjedhur deri në palcë.

Sot festohet dhe gëzohen të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen, por kur mendojnë se 20 vjet pas Kosova është në këtë gjendje të mjerueshme, harliset se si mund të ndodhë kjo, që Kosovën aq shumë ta shkatërrojnë ata që kanë hëngër bukën dhe kanë pirë ujin e kësaj toke. Dhe, me sherrin e këtyre kopilëve, këtyre banditëve dhe kryebanditëve që e kanë kapur pushtetin me dhunë dhe mashtrime, kanë filluar të ikin nga ky vend populli, sepse jemi dëshmitarë të asaj se pikërisht këta banditë dhe kryebanditë që e kapën pushtetin dhe e kanë vënë vendin në rrezik janë duke vjedhur pa mëshirë.

Se vërtet është kështu, para bombardimeve të NATO-s këta ishin leckamanë dhe me hajninë që i a bëjnë vendit u bënë supermilionerë. Dhe, po ashtu, kush e ka menduar se vendi të bjerë sërish në dorën e udbashit të Serbisë, këlyshit të Jovica Stanishiqit dhe langoit të Zoran Stijeviqit, Baton Haxhiut, dhe kryekuislingut Hashim Thaçi, që ditë e natë punojnë për t´ia dhënë 1/3 e vendin pikërisht kësaj këlshedre Serbi, që na vrau, preu dhe na dogji të gjallë. Dhe, ky matrapaz me ditën që iu dha haberi se do të ndiqej nga Gjykata Speciale dhe për ta shpëtuar bishtin e tij, nga frika se do të vdesë politikisht nuk lë gur e dru pa lëvizur, vetëm që t´i falet Serbisë fashiste. Hashim Thaçi, përpos bandës së tij, që e quajnë PDK, ka marrë përkrahje edhe nga tradhtarët që ia lanë krushqit në rrugë Albin Kurtit, pra matrapazi Shpend Ahmeti që populli po e quan Shpend hajni edhe Shpendi jahti, që është duke bërë hata në kryeqytet, i cili si bakshish Hashim zeza ia caktoi postin që ky matrapaz dhe dilenxhi që të vazhdojë dialogun me gjakësorët serbianë në Bruksel dhe të bëjë sallamadi paratë e popullit dhe si ka mundësi ky soj të flasë në emër të Kosovës martire.

Pra, Hashimi bleu dhe bëri ortakë disa kopilë që kishin ikur nga ‘Vetëvendosje’ dhe akoma kanë mandatin e tyre, sepse votat i kanë në emër të atij subjekti dhe këta dilenxhinj t´ia shtojnë ymrin edhe Hashim zezës edhe Qeverisë kuislinge. Prandaj, askush nuk e ka menduar se kjo kope banditësh që e kapën vendin nga paslufta të bien në këtë derexhe të shkatërrimit total, sepse është në dorë të gabuar dhe në dorën e hajnave dhe po këta hajna që ishin me procedura penale dhe janë akoma me aktakuza të vijë vendi në dorën e tyre. Ky është krim dhe asgjë tjetër. Kudo mjerim shkuar mjerimit, shiko sistemin gjyqësor tërësisht të kalbur, shikoni arsimin, shikoni spitalet, shikoni se në çfarë gjendje janë pensionistet dhe ...ndërkaq, këta kryebanditë janë bërë supermilionerë, që ishin fukarenj të këputur.

Dhe, për të shpëtuar Kosova nga thonjtë e kësaj kopeje banditësh, për të bërë qytetari një jetë më të mirë si të gjithë qytetarët tjerë të botës, do të ishte mirë që i madh e i vogël të ngrihet në demonstrata të përgjithshme popullore për të sjellë në vend një epokë të re dhe për të larguar këta matrapazë dhe kryehjna nga vendi. Përndryshe, me këtë specie hajnash e kurvarësh, Kosova nuk do të shohë ditë të bardha”, theksoi analisti Reshat Badallaj për gazetën “Kosova Sot”.

Image
Enver Butyçi

Bytyçi: Lojë e rrezikshme për ta zhbërë pavarësinë dhe lirinë e Kosovës

“Kosova rrezikohet ende, pas 20 vjetësh të sulmeve ajrore të NATO-s! Data e 24 marsit 1999 ishte dhe mbetet dita e kthesës historike për Kosovën dhe kombin shqiptar. Ishte një moment kthese historike edhe për Aleancën Atlantike, e cila për herë të parë në jetën e saj intervenoi për lirinë e një vendi jo anëtar i NATO-s. Fjalimi i Bill Clinton-it dhe udhëheqësve të tjerë të Evropës moderne para kombeve të tyre lajmëroi aksionin ushtarak të NATO-s dhe përcaktoi qëllimet finale të këtij aksioni.

Sipas Clinton-it, qëllimi kryesor ishte dobësimi i forcës ushtarake të Serbisë, deri në atë masë sa ajo të mos ketë më mundësi të bëhet rrezik e kërcënim për fqinjët e saj. Ky përcaktim shkonte përtej ngjarjeve të dhjetëvjeçarit të fundit të shekullit të kaluar në ish-Jugosllavi. Kjo do të thoshte se Serbia me forcën e saj ushtarake dhe mbështetjen e Rusisë ishte shkaktarja e tragjedive ballkanike në më shumë se një shekull! Ndërhyrja ushtarake e NATO-s dhe lufta e shqiptarëve të Kosovës, përfshirë UÇK-në, ishin faktorët kryesorë të kësaj ndërhyrjeje në momentin e dhënë.

Por sulmet e NATO-s, protektoratin ndërkombëtar, fazën tranzitore për në pavarësinë e vendit e kishte projektuar gjithashtu lideri historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili me urtësinë, diplomacinë dhe politikën e vet e çoi Kosovën dhe çështjen e saj në tryezat ovale të të gjitha kancelarive perëndimore, deri në Shtëpinë e Bardhë dhe Selinë e Shenjtë!

Duke kujtuar këtë ngjarje madhore në historinë tonë kombëtare, shohim se sot pas 20 vjetësh të ndërhyrjes së NATO-s dhe 11 viteve të Pavarësisë Kosova ndodhet ende e rrezikuar dhe e kërcënuar nga shovinizmi serb i Beogradit, ushtria e së cilës po forcohet dita-ditës si rezultat i ndihmës së pakursyer të Kremlinit. Fatkeqësisht, kemi ardhur në këtë situatë kërcënuese për faktin se Edi Rama, Hashim Thaçi, Baton Haxhiu dhe garnitura e tyre politike e fshehur ose e hapur, kanë marrë anën e Serbisë dhe të Rusisë kundër Kosovës dhe kombit shqiptar. Këta po bëjnë gjithçka munden që ta tjetërsojnë territorin e Kosovës e më pas, me lejen e Beogradit, pjesën e mbetur të këtij territori ta bashkojnë e Shqipërinë.

Por, rreziku më i madh u kësaj loje të rrezikshme, e cila zhbën pavarësinë dhe lirinë e Kosovës, lidhet me faktin se të tre këta kanë filluar të “mburren” si “patriotë të mëdhenj”, sepse dashkan “Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë”, ndërkohë që me paturpësi të jashtëzakonshme po akuzojnë kundërshtarët e ndarjes së Kosovës, si kundërshtarë të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë”, thotë për gazetën “Kosova Sot” profesori i Historisë së marrëdhënieve ndërkombëtare dhe analisti, Enver Bytyçi.

(Kosova Sot)