Vetëm Vetting-u ndëshkon gjyqtarët e prokurorët me rekorde kriminale

  • 25 March 2019 - 07:54
Vetëm Vetting-u ndëshkon gjyqtarët e prokurorët me rekorde kriminale

Smaka: Për shkak të funksionimit inefikas dhe ineficient të prokurorive, është krijuar një numër i madh i rasteve juridike - penale të parashkruara

“Ligji për Vetting-un dhe Ligji për Dekriminalizimin janë dy ligje bazike që mund ta kthejnë rendin dhe ligjin në shtet, por pa e hequr këtë klase politike të korruptuar dhe nepotiste nuk mund të luftohen këto dukuri të shëmtuara që e kanë sjellë shtetin dhe i detyrojnë qytetarët të ikin nga vendi”, thotë analisti Blerim Burjani për gazetën “Kosova Sot”

Njohësit e fushës së drejtësisë theksojnë se kthimi i besimit qytetar dhe publik te drejtësia është i mundur vetëm përmes hetimit dhe Vetting-ut , pra dënim dhe ndëshkim edhe për gjyqtarët e prokurorët me rekorde kriminale, si për ata të cilët nuk vetëlargohen nga VETTING-u, ashtu edhe për ata që vetëlargohen, duke shpresuar që t’i shpëtojnë VETTING-ut. Sipas analistëve dhe njohësve të fushës së drejtësisë, qytetarët nuk mund ta kthejnë besimin në drejtësi pa një Vetting të mirëfilltë, hetim dhe ndëshkim për gjyqtarët e prokurorët e inkriminuar.

Ata shtojnë se hedhja në sitë e gjyqtarëve e prokurorëve do të largonte shumicën prej tyre, sepse nuk do të mund ta kalonin Vetting-un. Sipas analistëve, nuk duhet lejuar që VETTING-ut t’i shpëtojë asnjë prokuror dhe asnjë gjyqtar, pasi të inkriminuarit sigurisht se do të përpiqen të tërhiqen apo dorëhiqen për t’i shpëtuar hetimit të VETTING-ut, sepse në sistemin e drejtësisë ka krimi, korrupsion, shitblerje të trafikimit të lëndëve gjyqësore etj.

Image

Duhet humbur ndikimin e politikës në drejtësi

Analisti Blerim Burjani theksoi për gazetën “Kosova Sot” se Ligji për Vetting-un dhe Ligji për Dekriminalizimin janë dy ligje bazike që mund ta kthejnë rendin dhe ligjin në shtet, por pa e hequr këtë klasë politike të korruptuar dhe nepotiste nuk mund të luftohen këto dukuri të shëmtuara që e kanë sjellë shtetin dhe i detyrojnë qytetarët të ikin nga vendi.

“Ndryshimi duhet të vijë përmes ndryshimit të kësaj klase politike, përfituese pa bazë. Kjo çështje nuk ndryshon kështu si është, shteti është kapur prej të padishmëve dhe që ishin të varfër e u bënë tejet të pasur. Nëse qytetari do ndryshime, duhet ta ndërrojë rrugën që të largojë këta analfabetë të pasuar, që janë bërë të tillë përmes kapjes së shtetit. “Me largimin e këtyre njerëzve nga politika, edhe drejtësia duhet të merren me ata, sepse vetëm kështu e humbin ndikimin e tyre, sepse ndryshe nuk heqin dorë këta njerëz nga zhvatja e parasë, korrupsionit dhe nepotizmit”, ka theksuar Burjani.

Image

Këshilli Prokurorial gjendjen e keqe nuk e trajton seriozisht

Profesori i së drejtës, Riza Smaka thotë për gazetën “Kosova Sot” se me dispozitat e neneve 109 dhe 110 të Kushtetutës së RK-së është definuar pozita , funksioni dhe roli i Prokurorit të Shtetit dhe i Këshillit Prokurorial, ndërsa me akt ligjor përkatës është përcaktuar më afër organizimi, funksionimi, roli e funksionimi i tyre, i cili esencialisht konsiston në persekutimin e akteve të inkriminuara që mund të ndodhin në shoqërinë politike të vendit tonë.

“Para se prokuroria përkatëse të ketë nisur procesin penal as gjykata përkatëse nuk do të mund të procedonte çështje penale, dot. Pra, në etapën fillestare deri në përfundimin e një procedure penale, prokuroria përkatëse - Themelore, e Apelit apo e Shtetit kurdoherë duhet të jetë një nga palët bazike në procedurë, madje kurdoherë mobile dhe aktive si dhe vigjilente për mbarëvajtjen e hetimeve, të ndërmarrjeve të veprimeve procedurore për gjykime të drejta ekspeditive, eficiente dhe për aplikimin e mjeteve juridike të zakonshme e të jashtëzakonshme atëherë kur do të vlerësohej në të mirë të aplikimit të ligjit në fuqi në raste juridike penale konkrete.

Sipas Smakës, për t’u vepruar në atë mënyrë paraprakisht kërkohet që prokuroritë të jenë të organizuara mirë dhe të jenë të devotshme për aplikimin e ligjit në fuqi në të gjitha rastet juridike – penale, pavarësisht nga origjina apo statusi socio - politik e ekonomik i të pandehurit – pandehurës. “Pra, denoncimet dhe aktakuzat penale të persekutuara ex officio do të duhej të viheshin në proces të pandalur deri në përfundim, si dhe në përmbarim proceduror.

Aktualisht , mjerisht, edhe sipas të dhënave të Këshillit të BE-së për Progresin në Kosovë, në vendin tonë, pikërisht për shkak të funksionimit inefikas dhe ineficient të prokurorive, në përgjithësi, është krijuar një numër i madh i rasteve juridike - penale të parashkruara ( sic) , duke e përfshirë edhe një numër të konsideruar të rasteve juridike - penale të zhdukura ( sic) e të mos flitet për një numër enorm të rasteve juridike - penale të papërfunduara gjithnjë. Në atë mënyrë, ndër dukuritë negative të tjera pashmangshëm favorizohet krimi i organizuar, madje edhe i paorganizuar i tipit ad hoc”, është shprehur Smaka. Ai thotë se është për t’u çuditur pse Këshilli Prokurorial, por edhe pse jo as ekzekutivi, as legjislativi gjendjen e atillë nuk e trajtojnë seriozisht. 

Smaka: Duhet riorganizim cilësor në prokurori

“Edhe Vetting-u do të duhej aplikuar më seriozitet dhe me përkushtim. Pos Vetting-ut do të duhej ndërmarrë masa serioze edhe në formimin e kuadrove në prokurori nëpërmjet studimeve të profilizuara profesionale, ashtu që të ndaheshin studimet shkencore e të përgjithshme nga studimet profesionale të profilizuara.

Po ashtu, gjatë procedurës së emërimeve të funksionarëve në sistemin e drejtësisë, në këtë rast në prokurori, do të duhej të aplikoheshin kritere rigoroze, sipas të cilave do të valorizoheshin postulatet profesionale, empirike afirmative dhe etike. Funksionarët e deritashëm që kanë dështuar në çfarëdo mënyre gjatë ushtrimit të funksionit të prokurorit do te duhej që së pakut të liroheshin nga funksionet e tyre. Për t’ u bërë këto kërkohet një riorganizim cilësor i sistemit prokurorial, duke mos e lënë anash as sistemin gjyqësor, si dhe administratën publike”, thotë për gazetën “Kosova Sot” profesori i së drejtës, Riza Smaka.

Burjani: Shteti është kapur prej të padishmëve dhe që ishin të varfër e u bënë tejet të pasur!

“Kjo çështje nuk ndryshon kështu si është, shteti është kapur prej të padishmëve dhe që ishin të varfër e u bënë tejet të pasur. Nëse qytetari do ndryshime, duhet ta ndërrojë rrugën që të largojë këta analfabetë të pasuar, që janë bërë të tillë përmes kapjes së shtetit.

“Me largimin e këtyre njerëzve nga politika, edhe drejtësia duhet të merren me ata, sepse vetëm kështu e humbin ndikimin e tyre, sepse ndryshe nuk heqin dorë këta njerëz nga zhvatja e parasë, korrupsionit dhe nepotizmit”, ka theksuar analisti Blerim Burjani.

(Kosova Sot)