Pushtetarët punësojnë familjarët, qytetarët vuajnë për bukën e gojës

  • 25 March 2019 - 07:59
Pushtetarët punësojnë familjarët, qytetarët vuajnë për bukën e gojës

Ahmeti: Si skamnorë nuk na ka mbetur më asnjë rrugë tjetër vetëm se ta shesim shtëpinë dhe të ikim diku në Evropë

“Është për keqardhje kjo ku kemi arritur. Pushtetarët tanë, sikurse që është presidenti Hashim Thaçi, po bëjnë pazare për t’ia falur tokat Serbisë vrastare. Asgjë më mirë nuk po sillen as Ramush Haradinaj, Kadri Veseli, Fatmir Limaj, si dhe Behgjet Pacolli, të cilët përditë, si po tregojnë mediet dhe TV-të tona, po i punësojnë të afërmit dhe klientelën e tyre.

Ndërsa, sa për kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, as që kam se çfarë të flas, sepse ai si kryetar Komune, në vend se të punojë për qytetarët e Prishtinës, për fatin tonë të keq, Shpend Ahmeti me paratë tona po shëtitet në Bruksel dhe po bën pazare multimilionëshe me Qeverinë qendrore dhe me mafinë e me familjet mafioze në Kosovë e në regjion”, thekson për gazetën “Kosova Sot”, qytetari Ahmet Ahmeti

Edhe pse kaluan dy dekada që nga lufta e fundit çlirimtare ndaj Serbisë, që ishte shkatërrimtare për vendin e qytetarët tanë, Republika e Kosovës vazhdon që të jetë vendi më i varfër në rajon dhe në Evropë. Kjo ngase të dhënat flasin se në Kosovë 34 për qind e popullsisë jetojnë në varfëri absolute, me të ardhura ditore nën 1.55 euro, kurse 12 për qind e qytetarëve jetojnë në varfëri ekstreme me vetëm 1.02 euro në ditë.

Prandaj, këto shifra flasin se edhe pas 1 dekade të shpalljes së pavarësisë, Kosova është vendi më i varfër në Ballkan dhe në Evropë. Qytetarët e varfër thonë se nuk duhet të çuditemi fare me problemet dhe vuajtjet që i kanë ata, ngase qytetarët tanë as që e kanë menduar se 20 vjet pas bombardimeve të NATO-s, pas çlirimit nga Milosheviqi, as që e kanë menduar se në Kosovën e lirë do të vuajnë për bukën e gojës. Ata thonë se pushtetarët tanë, si Hashim Thaçi, po bëjnë pazare se si t’ia falin tokat Serbisë vrastare dhe nuk po kujdesën fare për popullatën.

Sipas tyre, edhe Ramush Haradinaj, Kadri Veseli, Fatmir Limaj dhe Behgjet Pacolli nuk janë asgjë më të mirë se Thaçi, sepse edhe ata po punësojnë të afërmit e klientelën e tyre. Ndërsa, sipas skamnorëve, me kryetarin e Prishtinës,z. Shpend Ahmeti as nuk duhet që të çuditemi fare, sepse ai në vend se të punojë për qytetarët e komunë së Prishtinës, i njëjti veç po shëtitet në Bruksel dhe po bën pazare multimilionëshe me Qeverinë qendrore dhe familjet mafioze në Kosovë e në regjion.

Ahmeti: Pushtetarët po punësojnë familjarët, për ne askush nuk interesohet

Me një gjendjen të rëndë skamnore po përballet edhe familja e Ahmet Ahmetit, një 83- vjeçar që banon në rrugën “ Ernest Koliqi” nr. 30 në Prishtinë, në afërsi të QKUK-së. Ahmet Ahmeti thekson për gazetën “ Kosova Sot” se në këtë hapësirë prej 2 ari truall jeton që nga viti 1997 dhe numëron 10 anëtarë të familjes. “Shtëpia i ka dy dhoma, një korridor e një banjë, kurse para dy vjetësh i është djegur kuzhina nga një zjarr që e kishte kapluar dhe deri më sot ajo ka ngelur e pashfrytëzuar dhe pa pullaz. I lodhur tej mase nga varfëria , plaku, Ahmet Ahmeti thotë se jeton me bashkëshorten, Remzien, 66- vjeçare si dhe tre djem e një vajzë.

“Njëri nga djemtë është i martuar dhe i kanë tre fëmijë dhe gjithsej jemi 10 anëtarë dhe jetojmë me një pension timin 170 euro dhe mezi po ia dalim”. I lodhur nga pleqëria dhe varfëria që e kishte kapluar, Ahmeti thotë me lot në sy se nga problemet dhe vuajtjet që i ka, asnjëherë nuk e ka menduar para luftës se do të vinte një ditë që 20 vjet pas bombardimeve të NATO-s për të na çliruar nga Milosheviqi, kosovarët do të vuajnë për bukë e për punësim. “Është për keqardhje kjo ku kemi arritur”.

Ai thotë se është i mllefosur në pushtetarët tanë, sikurse që është presidenti Hashim Thaçi, që po bën pazare dhe po do t’ia falë tokat Serbisë vrastare. “Asgjë më mirë nuk po sillen as Ramush Haradinaj, Kadri Veseli, Fatmir Limaj si dhe Behgjet Pacolli, të cilët përditë, si po e tregojnë mediet dhe TV-të tona, se si po i punësojnë të afërmit dhe klientelën e tyre. Ndërsa, sa për kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, as që kam se çfarë të flasë, sepse ai si kryetar Komune në vend se të punojë për qytetarët e Prishtinës, për fatin tonë të keq ,Shpend Ahmeti me parët tona po shëtitet në Bruksel dhe po bën pazare multimilionëshe me Qeverinë qendrore dhe me mafinë e me familjet mafioze në Kosovë e në regjion”, është shprehur ai.

Sipas Ahmetit, kjo situatë në të cilën e ka familjen e tij është për keqardhje, por shton se ka edhe familje të tjera që mezi po ngopen me bukë. Ndonëse ka disa vjet që kemi konkurruar në konkursin e Komunës së Prishtinës për banesa skamnorësh,fatkeqësisht Komuna nuk e ka parë të udhës që të na ndajë banesë dhe po heqim të zitë e ullirit, sepse nuk mund të jetojnë 10 veta në dy dhoma, sepse i kam dy djem të martuar dhe një vajzë të rritur e pamartuar, të gjithë të papunë, kurse njëri nga djemtë e martuar i ka tre fëmijë. Unë po i pyes pushtetarët tanë se çfarë të bëjmë 10 veta në familjen time me vetëm 170 euro. Sepse vetëm ditë më parë gruas sime Remzies i kam blerës 50 euro barna se nuk mund të jeton pa to. Ne po mbijetojmë vetëm në saje të solidaritetit të njerëzve shpirtmirë si edhe të afërmeve tanë, sepse askush nga djemtë e mi dhe vajza nuk janë të punësuar, ndonëse kanë mbaruar shkollën e mesme. Dhe, sa për Komunën dhe pushtetarët tanë ne do të vdisnim urie”, është shprehur ai.

“Vaj halli për fukaranë e mjerë”

Sipas Ahmetit, si skamnorë nuk u ka mbetur më asnjë rrugë tjetër, vetëm se që ta shesin shtëpinë dhe të ikin diku në Evropë dhe vetëm po e presin liberalizimin e vizave. “Këtu më nuk na ka mbetur jetë, po arritëm të dalim, nuk do të kthehemi kurrë më në Kosovë”, është shprehur ai. “Vaj halli për fukaranë e mjerë dhe për pushtetarët tanë se sa të pashpirt ishin ata, sepse me këtë soj të pushtetarëve hajna sa ta drejtojnë Kosovën, vendi nuk shkon asnjë hap përpara.

Dhe, për pasojë kështu do të vuajnë skamnorët e shumica e popullatës, prandaj mos u çuditni se përse po braktisim Kosovën qytetarët e saj, edhe 20 vjet në liri që familja ime e shumë të tjerat nuk e shijuan kurrë, sepse të jetosh në varfëri e me barkun e zbrazur, kësaj nuk i thonë liri, por robëri, veç pa Serbinë”, është shprehur ai.

Se në Kosovës gjendja ekonomike-sociale nuk është e mirë e thonë edhe njohës të çështjeve ekonomike dhe opozita. Së këndejmi, deputeti i opozitës në Kuvendin e Kosovës, Salih Salihu, për gazetën “ Kosova Sot”, thotë se që nga pas lufta e deri më sot, Kosova ka pasur një strategji të gabuar lidhur me skemat sociale, ku dëshmohet edhe numri i lartë i familjeve që janë në kufirin e varfërisë ekstreme.

“Prandaj, është shumë e mundur që në vitin 2019 shpenzimet për skemën sociale që në vitin e kaluar ishin 380 milionë sivjet më 2019,edhe do të munden që të arrijnë shumën me shumë miliona euro. Kur kemi parasysh se disa ligje për skema të reja janë në procedurë të miratimit, disa të tjera po presin për t’u proceduar dhe duke llogaritur shtimin natyror të përfituesve, është shumë e mundur që në vitin 2019 shpenzimet të arrijnë shumën e mbi 430 milionë eurove”, është shprehur deputeti Salih Salihu

I lodhur nga pleqëria dhe varfëria që e kishte kapluar, Ahmeti thotë me lot në sy se nga problemet dhe vuajtjet që i ka, asnjëherë nuk e ka menduar para luftës se do të vinte një ditë që 20 vjet pas bombardimeve të NATO-s për të na çliruar nga Milosheviqi, kosovarët do të vuajnë për bukë e për punësim. “Është për keqardhje kjo ku kemi arritur”

(Kosova Sot)