Zeqa: Kosova nuk u çlirua nga rrahagjoksët e pasluftës

  • 25 March 2019 - 13:33
Zeqa: Kosova nuk u çlirua nga rrahagjoksët e pasluftës

Analisti Florim Zeqa ende i mban të freskëta fjalët e gjeneralit amerikan që e ka takuar rastësisht në muajin qershor 2001 në Godega Di Sant Urbano (Trevizo-Itali).“Po citoj se ç’më ka thënë: ‘Ju nuk keni pasur tanke dhe as avionë për ta larguar Serbinë nga Kosova..."!

Sipas Zeqës, ishin bombardimet e NATO-s, që filluan më 24 mars 1999, ato që e shkatërruan forcën ushtarake dhe politike të Serbisë së kriminelit Milosheviq, e jo rrahagjoksët e pasluftës, këta pushtetarët e sotëm. “Për vetë faktin se aleancës më të fuqishme ushtarake në botë iu deshën 78 ditë për ta gjunjëzuar makinerinë ushtarake të Milosheviqit, tregon qartë se kishim të bëjmë me një armik të fuqishëm. Edhe sot, pas 20 vjetësh, çdo nënvleftësim i armikut shekullor paraqet rrezik për sigurinë e vendit tonë.

Askush nuk e kishte menduar se Kosova do ta shënonte 20-vjetorin e bombardimeve të NATO-s në një situatë kaq dëshpëruese, ku i madh e i vogël shikojnë çdo mundësi për të ikur sa më larg nga ky vend dhe nga këta pushtetarë të inkriminuar, që Kosovën e kanë shndërruar në oazë të krimit të organizuar e të korrupsionit dhe në një shtet ku politika e kriminalizuar luan me shtetin dhe qytetarët, thuajse luan bixhoz.

Ndonëse Kosova është shtet i pavarur në aspektin juridik, edhe 20 vjet pas bombardimeve të NATO-s, ende nuk e ka përfunduar projektin e sovranitetit të plotë të saj, por për më tepër e në mënyrë të pashembullt pavarësia dhe sovraniteti po kërcënohen nga papërgjegjësia politike ish-krerëve të UÇK-së, të cilët për interesa personale po luajnë bixhoz me fatin e dy milionë kosovarëve, si dhe me tërësinë territoriale dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës”, theksoi analisti Florim Zeqa për gazetën “Kosova Sot”! Si pasojë e kësaj situate, sipas tij, Republika e Kosovës, në 20-vjetorin e shënimit të bombardimeve të NATO-s, ndodhet në paralizë të plotë në rrafshin e politikës së jashtme dhe të paralizës juridike në vend, ku nuk ka fare sundim të ligjit, ku nuk funksionon si duhet asnjë hallkë e shtetit, ku pushtetarët prioritet e kanë pazarin me territore për interesa personale dhe zhvatjen e pafund të buxhetit dhe aseteve të shtetit.

“Është e pashembullt dhe e dhimbshme humbja e sensit të reagimit qytetar, ku si duket edhe qytetarët janë pajtuar me të keqën e madhe, nuk po e bëjnë asnjë lëvizje për ndryshim, sepse mendojnë se kjo është e kotë, duke e duruar këtë regjim autokratik dhe anarkik e të pashembullt në historinë më të re të Kosovës.

Mbase është momenti i fundit për zgjim të ndërgjegjes qytetare për të hequr qafe pokerin e pushtetit bashkë me të edhe klasën e inkriminuar politike, kauzë kjo e pashmangshme për të shpëtuar shtetin nga falimentimi, përkatësisht për të shpëtuar Republikën e Kosovës nga zhbërja e hartës gjeopolitike në Ballkan”, theksoi analisti Zeqa për gazetën “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)