Profesori ndërkombëtar alarmon Kosovën, ja loja e rrezikshme nga Rama, Thaçi dhe Haxhiu

  • 25 March 2019 - 15:11
Profesori ndërkombëtar alarmon Kosovën, ja loja e rrezikshme nga Rama, Thaçi dhe Haxhiu

Bombardimet e NATO-s, që filluan më 24 mars 1999, shkatërruan forcën ushtarake dhe politike të Serbisë së kriminelit Milosheviq, por sot kush e kishte menduar se Kosova do ta shënonte 20- vjetorin e bombardimeve të NATO-s në këtë situatë, ku i madh e i vogël shikojnë çdo mundësi për të ikur nga ky vend dhe nga këta pushtetarë të inkriminuar, të cilin pushtetarët e kanë shndërruar në oazë të krimit të organizuar e korrupsionit dhe në një shtet ku politika e kriminalizuar luan me shtetin, thuajse luan bixhoz.

Sipas profesorit ndërkombëtar, Enver Bytyçi, është duke u bërë një lojë e rrezikshme për ta zhbërë pavarësinë dhe lirinë e Kosovës.

"Kosova rrezikohet ende, pas 20 vjetësh të sulmeve ajrore të NATOs! Data e 24 marsit 1999 ishte dhe mbetet dita e kthesës historike për Kosovën dhe kombin shqiptar. Ishte një moment kthese historike edhe për Aleancën Atlantike, e cila për herë të parë në jetën e saj intervenoi për lirinë e një vendi jo anëtar i NATO-s. Fjalimi i Bill Clinton-it dhe udhëheqësve të tjerë të Evropës moderne para kombeve të tyre lajmëroi aksionin ushtarak të NATO-s dhe përcaktoi qëllimet finale të këtij aksioni. Sipas Clinton-it, qëllimi kryesor ishte dobësimi i forcës ushtarake të Serbisë, deri në atë masë sa ajo të mos ketë më mundësi të bëhet rrezik e kërcënim për fqinjët e saj. Ky përcaktim shkonte përtej ngjarjeve të dhjetëvjeçarit të fundit të shekullit të kaluar në ish-Jugosllavi”, ka thënë Bytyçi për “Kosova Sot”.

Sipas tij, ndërhyrja ushtarake e NATO-s dhe lufta e shqiptarëve të Kosovës, përfshirë UÇK-në, ishin faktorët kryesorë të kësaj ndërhyrjeje në momentin e dhënë.

Image
Enver Bytyçi

“Kjo do të thoshte se Serbia me forcën e saj ushtarake dhe mbështetjen e Rusisë ishte shkaktarja e tragjedive ballkanike në më shumë se një shekull! Ndërhyrja ushtarake e NATO-s dhe lufta e shqiptarëve të Kosovës, përfshirë UÇK-në, ishin faktorët kryesorë të kësaj ndërhyrjeje në momentin e dhënë. Por sulmet e NATO-s, protektoratin ndërkombëtar, fazën tranzitore për në pavarësinë e vendit e kishte projektuar gjithashtu lideri historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili me urtësinë, diplomacinë dhe politikën e vet e çoi Kosovën dhe çështjen e saj në tryezat ovale të të gjitha kancelarive perëndimore, deri në Shtëpinë e Bardhë dhe Selinë e Shenjtë! Duke kujtuar këtë ngjarje madhore në historinë tonë kombëtare, shohim se sot pas 20 vjetësh të ndërhyrjes së NATO-s dhe 11 viteve të Pavarësisë Kosova ndodhet ende e rrezikuar dhe e kërcënuar nga shovinizmi serb i Beogradit, ushtria e së cilës po forcohet dita-ditës si rezultat i ndihmës së pakursyer të Kremlinit”, ka deklaruar Bytyçi.

“Fatkeqësisht, kemi ardhur në këtë situatë kërcënuese për faktin se Edi Rama, Hashim Thaçi, Baton Haxhiu dhe garnitura e tyre politike e fshehur ose e hapur, kanë marrë anën e Serbisë dhe të Rusisë kundër Kosovës dhe kombit shqiptar. Këta po bëjnë gjithçka munden që ta tjetërsojnë territorin e Kosovës e më pas, me lejen e Beogradit, pjesën e mbetur të këtij territori ta bashkojnë e Shqipërinë. Por, rreziku më i madh u kësaj loje të rrezikshme, e cila zhbën pavarësinë dhe lirinë e Kosovës, lidhet me faktin se të tre këta kanë filluar të "mburren" si "patriotë të mëdhenj", sepse dashkan "Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë", ndërkohë që me paturpësi të jashtëzakonshme po akuzojnë kundërshtarët e ndarjes së Kosovës, si kundërshtarë të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë", ka përfunduar për gazetën "Kosova Sot", profesori i Historisë së marrëdhënieve ndërkombëtare dhe analisti, Enver Bytyçi.