Nga mungesa e provave të dënimi i përjetshëm për Naser Pajazitajn

  • 25 March 2019 - 18:42
Nga mungesa e provave të dënimi i përjetshëm për Naser Pajazitajn

Donjeta Pajazitaj, një vajzë e moshës 24-vjeçare nga Strellci i Poshtëm i Komunës së Deçanit ishte zhdukur për 39 ditë. Ajo ishte parë për herë të fundit nga familjarët duke shkuar në punë. Trupi i saj, u gjet vetëm pas një muaji, përkatësisht më 9 nëntor të 2015 në bjeshkët e Strellcit me dy plumba në kokë. I akuzuar për vrasjen e saj është Naser Pajaziti, të cilit sot Gjykata Themelore e Pejës i shqiptoi dënimin me burgim të përjetshëm.

“Kroni i lajthisë”, ishte vendi ku e kishte dhënë frymën e fundit Donjeta Pajazitaj nga Strellci i Poshtëm i Komunës së Deçanit. Ajo ishte gjetur tek ky krua pa shenja jete e me dy plumba në kokë, ditën e 9 nëntorit të 2015’ës.

I akuzuari për vrasjen e saj që nga fillimi i rastit ishte kushëriri i saj, Naser Pajaziti, të cilit sot iu shqiptua dënimi i përjetshëm.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë të ngritur më 8 qershor 2017, Naser Pajazitaj akuzohej se me 9 nëntor 2015 rreth orës 14:30 në bjeshkët e Strellcit të Komunës së Deçanit në mënyrë mizore kishte privuar nga jeta kushërirën e tij, Donjeta Pajazitaj.

Derisa e ndjera kishte qenë duke shkuar në punë në këmbë, aty kishte kaluar i pandehuri me veturën e tij, dhe e kishte marr të ndjerën, për ta dërguar në Bjeshkët e Strellcit, ku fillimisht e privon nga jeta duke shtënë dy herë në kokë të saj, e më pas për të humbur gjurmët e kishte mbuluar me disa drunj dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes. Trupi i saj i pajetë ishte gjetur vetëm pas një muaji.

“Kur arrin te “Kroni i Lajthisë” fillimisht e privon me armë dhe duke shtënë dy herë në kokë e me pas për të humbur gjurmë të njëjtën e mbulon me disa drunj, dhe largohet nga vendi i ngjarjes”, kishte thënë prokuroria në njërën nga seancat gjyqësore.

Por, në paraqitjen e parë para gjykatës Nasrer Pajazitaj kishte mohuar çdo lidhje me këtë vrasje

“Absolutisht nuk kam të bëj me ketë vrasje as me këtë njollosje. Me vjen turp prej organeve të hetuesisë edhe prej prokurorie që më kanë njollosur familjarisht me një njeri që s’kam pasë kurrë të bëjë me ma të voglin problem,” kishte thënë i akuzuari.

Përveç veprës penale të vrasjes së rëndë, Naser Pajazitaj akuzohet edhe për dy vepra tjera të armëmbajtjes pa leje.

Gjykata Themelore në Pejë, në mars të këtij viti, të akuzuarin Naser Pajazitaj e kishte liruar nga akuzat për vrasjen e Donjeta Pajazitaj, kurse e kishte dënuar për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, për çka Pajazitaj, ishte dënuar me dënim unik prej një dy vjet e katër muaj burgim.

Sipas këtij aktgjykimi, nuk ishte arritur të dëshmohet se i akuzuari kishte kryer vrasjen e Donjeta Pajazitajt, që ndryshe ka qenë edhe kushërira e tij.

Mirëpo, në tetor të këtij viti, pas ankesës që Prokuroria Themelore në Pejë kishte ushtrua  kundër këtij aktgjykimi, gjykata e shkallës së dytë ka vendosur që rastin ta kthej në rigjykim.

E pas kthimit të rastit në rigjykim, Naser Pajazitaj sot është dënuar me burgim të përjetshëm, pasi është shpallur fajtor për vrasjen e Donjeta Pajazitajt.

Naser Pajazitaj në fjalën e tij përfundimtare, tha se betohet se ai nuk kishte të bënte me vrasjen e Donjeta Pajazitaj dhe se nuk dinte asgjë me vrasjen e saj.

Pas vendimit të Gjykatës, janë deklaruar edhe familja Pajazitaj.

Vëllai i të ndjerës, Shkelqim Pajazitaj, ka folur sot pasi i akuzuari mori dënimin, të cilën familja e viktimës e kishin kërkuar gjatë këtyre viteve.

“Sot një vendim ma i mirë. Drejtësia e ka bo punën e vetë. Edhe pse nuk është vërtetu me bashkëpunëtorë, mirëpo iu dha dënimi i meritum atij që e ka marrë e ka shti në kerr. Tash është një lehtësim”, ka thënë Pajazitaj.

Por, Naser Pajazitaj nuk i vetmi të cilit iu është shqiptuar dënimi i përjetshëm.

Vetëm për një muaj, për tri vrasje që kishin tronditur Kosovën, u shqiptua dënimi më i lartë që parashihet me Kodin Penal të Kosovës – dënim me burgim të përjetshëm.

Në fillim të muajit mars, saktësisht me datën 1 të këtij muaji, Pjetër Ndrecaj, u  dënua me burgim të përjetshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij, Valbona Markut dhe bijës së mitur.

Gjykata e Apelit, pas disa ankesave, ndryshoi aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë dhe ndaj Ndrecajt shqiptoi masën – burgim i përjetshëm.

Sipas Apelit, në shkallë të parë, nuk ishin vlerësuar në mënyrë të drejtë rrethanat rënduese dhe pranimi i fajësisë e dënimi me 24 vite burgim nuk ishte adekuat me peshën e veprës penale dhe përgjegjësisë penale të të akuzuarit.

“Kjo për faktin se janë shkaktuar pasoja tepër të rënda me rastin e privimit nga jeta të bashkëshortes së tij V.N. dhe vajzës së tij K.N., e që ka mundur të shkaktohen pasoja edhe më të rënda. Përveç kësaj i akuzuari në mënyrë permanente, ka pasur sjellje të këqija ndaj bashkëshortes se vet, dhe duke ushtruar dhunë. Po ashtu vepra penale është kryer në prezencë të fëmijëve dhe vëllezërve të viktimës, e ku pasojat kanë mundur të jenë edhe më të rënda”, thuhej në vendim të Apelit.

Ndrecaj kishte vrarë me armë zjarri, gruan e tij Valbona Markun dhe vajzën 9-vjeçare derisa këto të fundit, pas durimit të dhunës dhe presionit për vite me radhë kishin vendosur të largoheshin nga shtëpia e tyre për në shtëpinë e vëllezërve të saj.

(Kosova Sot)