Ja kush e paralajmëron tradhtinë e madhe: Pa u larguar Thaçi, Kosova nuk ka të ardhme

  • 25 March 2019 - 18:55
Ja kush e paralajmëron tradhtinë e madhe: Pa u larguar Thaçi, Kosova nuk ka të ardhme

Bombardimet e NATO-s, që filluan më 24 mars 1999, shkatërruan forcën ushtarake dhe politike të Serbisë së kriminelit Milosheviq, por sot kush e kishte menduar se Kosova do ta shënonte 20- vjetorin e bombardimeve të NATO-s në këtë situatë, ku i madh e i vogël shikojnë çdo mundësi për të ikur nga ky vend dhe nga këta pushtetarë të inkriminuar, të cilin pushtetarët e kanë shndërruar në oazë të krimit të organizuar e korrupsionit dhe në një shtet ku politika e kriminalizuar luan me shtetin, thuajse luan bixhoz.

Sipas analistëve, edhe pse 20 vjet pas këtyre bombardimeve, ndonëse Kosova është shtet i pavarur, ende nuk e ka përfunduar projektin e sovranitetit të plotë të saj, por për më tepër e në mënyrë të pashembullt pavarësia dhe sovraniteti kërcënohen prej pushtetarëve.

"Koinçidencë apo jo, bombardimet e NATO-s, të cilat filluan më 24 mars 1999, dhe zgjatën për 78 ditë me radhë, jo vetëm që shkatërruan forcën ushtarake dhe politike të Serbisë së kriminelit më të urryer në Ballkan Slobodan Milosheviq, por detyruan ato që pikërisht në datën historike të formimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit,më 10 qershor (1999), mu në Kumanovë, aty ku më 1912 edhe rinisën okupimin e trojeve tona etnike,të nënshkruajnë kapitullimin dhe të tërhiqen me turp nga Kosova. Por, ajo që vret shqiptarët në shpirt, edhe sot pas 20 vitesh të çlirimit, është fakti se askush nuk e kishte menduar që Kosova do ta shënonte 20- vjetorin e bombardimeve të NATO-s në këtë situatë ku i madh e i vogël shikojnë çdo mundësi për të ikur nga ky vend dhe nga këta pushtetarë të inkriminuar”, thotë analisti Qarri për “Kosova Sot”.

Sipas tij, Kosova është shndërruar ne oazë të frikshme të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Image
Gani Qarri

“Pushtetarë kriminelë, të cilët gjithë Kosovën e kanë shndërruar ne oazë të frikshme të korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe në një vend ku politika e kriminalizuar, vetëm luan bixhoz të zi me shtetin e çliruar nga SHBA-ja dhe NATO-ja. Për aq më keq, edhe 20 vjet pas këtyre bombardimeve dhe çlirimit të saj, Kosova, megjithëse shtet i pavarur që 11 vjet, jo vetëm që ende nuk e ka përfunduar projektin e sovranitetit të plotë të saj, por për më tepër dhe në mënyrë te pashembullt, pavarësia dhe sovraniteti i saj po kërcënohen në mënyrën më brutale, prej vetë ish-"kreut" të UÇK-së, sot presidenti kuisling i Kosovës, Hashim Thaçit dhe bashkëpunëtorëve të tij, spiunë të Serbisë, si Baton Stanishiqi me shokë. Ky është bixhozi më kobzi i kryekuislingut të vendit, Hashim Thaçit me bashkëmendimtarët e tij, i cili për ta shpëtuar veten nga ndjekja për krime e Gjykatës Speciale, i ka hedhur zaret e tradhtisë, për të luajtur jo me fatin e tij, por me të dy milionë kosovarëve, duke rrezikuar hapur edhe tërësinë territoriale dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës”, thotë më tej Qarri për “Kosova Sot”.

“Ndaj, sot edhe 20 vjet pas çlirimit dhe në 20- vjetorin e shënimit te bombardimeve te NATO-s, Republika e Kosovës, realisht gjendet në paralizë të plotë, e izoluar nga e gjithë bota, ku nuk ka lëvizje të lirë, as farë sundim të ligjit, nuk funksionon si duhet asgjë dhe ku pushteti prioritet e ka zhvatjen e pafund të buxhetit dhe aseteve të shtetit, si dhe pazaret me territore për interesa personale vetëm të një individi, si kuislingu Hashim Thaçi. Kaosi i pashembullt dhe pasiguria totale që HashimThaçi me bashkëpunëtorë e spiunë të Serbisë ka shkaktuar në vend, ka shkuar deri aty, sa që ka humbur edhe sensi i reagimit normal të qytetarëve, të cilët, siç duket, tashmë janë pajtuar me të keqen dhe nuk lëvizin as interesohen për të ndryshuar asgjë, të bindur se përderisa Kosova të ketë në krye mafiozë të tillë, është e kotë të bëhet çfarëdo përpjekje. Ndaj,pa dërgimin në pension të të ashtuquajturave "parti të dala nga lufta", shkatërrimin e gjithë kastës së këtij regjimi autokratik e anarkik, si dhe pa e hequr qafe përfundimisht kryepokerin e këtij pushteti, mafioz Hashim Thaçin, ky vend nuk do të shohë ditë të mira,ecje përpara, as zhvillim ekonomik, prandaj sa më shpejt që qytetarët ndërgjegjësohen e ngritën për kauzën e lirisë dhe çlirimit të vendit nga kriminelët dhe mafio-oligarkia, aq më mirë do të bëhet për ta dhe Republikën e Kosovës", përfundoi analisti, Gani Qarri për gazetën "Kosova Sot".

(Kosova Sot)