Thaçi, si Vuçiqi dikur, kërcënon me mbyllje gazetën “Kosova Sot”

  • 26 March 2019 - 07:40
Thaçi, si Vuçiqi dikur, kërcënon me mbyllje gazetën “Kosova Sot”

Bytyçi: Me këto veprime, Thaçi po rikthen kohën e Milosheviqit

“Mafio-oligarkët e pushtetit dhe mafiozët e biznesit e kërcënojnë në vijimësi gazetën “Kosova Sot”, pasi që ajo po ua nxjerr paligjshmërinë dhe të palarat në fushë e opinion, e cila si medium informues edhe këtë punë ka! Por, habit fakti se si kanë fytyrë dhe guxojnë pa fije turpi të kërcënojnë pushtetarët kriminelë të Kosovës, njëjtë siç kërcënonte para 20 vjetësh edhe Aleksandar Vuçiqi publikisht në RTS, me gazetën e kalendarin e gazetës “Kosova Sot” në dorë, siç po kërcënon sot hapur edhe partneri i nënshtruar i Aleksandër Vuçiqit, i instaluar në krye të Presidencës kosovare, Hashim Thaçi, me të vetmin dallim e diferencë se ky nuk del vetë publikisht, por dërgon kërcënimet përmes lajmëtarëve të tij A. M.”, thotë analisti Gani Qarri për “Kosova Sot”

Presidenti Hashim Thaçi po e kërcënon gazetën ‘Kosova Sot’, duke krijuar kështu një precedent të rrezikshëm për demokracinë e brishtë kosovare dhe lirinë e shtypit. “Ose ndalini shkrimet, ose do t’ju shkatërrojmë...”, ka qenë porosia e dërguar përmes lajmëtarit te tij special A. M. , edhe atë 3 herë. Para 20 vjetësh e kishte pësuar gazeta KOSOVA SOT nga majat e një ish-regjimi gjenocidial serb (ish-Milosheviq-Vuçiq), kur gazeta “Kosova Sot” dhe shtypshkronja “Interpres R. Company” u ishin bërë halë në sy regjimit gjenocidial të Beogradit, ndërsa sërish tash po përsëritën kërcënimet edhe 20 vite pas këtij krimi, por kësaj radhe nga majat e pushtetit në Kosovë. Por, pse po dërgon mesazhe kërcënuese numri një i Republikës ,përmes lajmëtarit te tij. A. M., I cili na e përcolli mesazhin shantazhues ndaj gazetës “Kosova Sot” jo më pak se tri herë brenda tre muajve?

Analistët theksojnë se presidenti është duke punuar kundër interesave të Republikës, prandaj edhe sulmon këdo që i del përpara. “Kosova Sot” ka shkruar në vazhdimësi për planet antikombëtare të Thaçit me shpurën e tij, që të ndajë Kosovën në pazaret me Vuçiqin. Gjithashtu, gazeta ka denoncuar gjithnjë aferat korruptive, klientelizmin dhe nepotizmin që të çojnë gjithnjë te kupola e shtetit, që mban peng edhe drejtësinë kosovare.

Image
Naim Miftari


Miftari: Ky klan mafioz, politik kontrollon edhe gjykata e prokurorë edhe policinë dhe AKI-në, prandaj duhet pasur kujdes nga “etiketimet dhe falsifikimet ligjore" që mund t’i fabrikojë ky klan!

“Kërcënimet e presidentit diktator Hashim Thaçit ndaj gazetës “Kosova sot”: "ose ndalni shkrimet ose ju shkatërrojmë" janë të kuptueshme, pasi presidenti ynë “i dashur" po e vazhdon rrugën që Slobodan Milosheviqi dhe Aleksandar Vuçiqi e kanë lënë në gjysmë në vitin 1998-99. Kërcënimet duhet mu marr seriozisht pasi i njëjti klan mafioz politik kontrollon edhe gjykata e prokurorë edhe policinë dhe AKI, prandaj duhet pasur kujdes nga “etiketimet dhe falsifikimet ligjore" që mund t’i fabrikojë ky klan. Sulmet, kërcënimet, shantazhet ndaj shtypit të lirë dhe sidomos tani ndaj gazetës “Kosova Sot” nuk duhet të na frikësojnë, por përkundrazi”, u shpreh Naim Miftari për “Kosova Sot”.

Image
Enver Bytyçi

Bytyçi: Thaçi po sillet si diktator

“Duan ta përjetësojnë pushtetin e tyre të krimit dhe korrupsionit dhe faljen e territoreve. Kjo nuk ishte parë e dëgjuar ndonjëherë më parë. Asnjë diktator nuk ka falë territore në këmbim të pushtetit. Kanë bërë shumë krime, por asnjë nuk ka shkuar deri te cenimi vullnetar i sovranitetit të shtetit, me qëllim që të garantojnë pushtetin. Këtë po e eksperimentojnë Hashim Thaçi e Edi Rama, me ndërmjetësimin, këshillën dhe shërbimin e Baton Stanishiqit.

Në kuadër të kësaj, Hashim Thaçi, por edhe Batoni, kanë filluar të kërcënojnë. Sot presidenti i Kosovës kërcënoi gazetën "Kosova Sot"! Ai është president për ta mbrojtur median e pavarur, por nuk e bën këtë, sepse media të tilla si "Kosova Sot" i bëhen pengesë në projektin e ndarjes së Kosovës. Pengesa duhet "kapërcyer". Dhe kjo bëhet në dy mënyra, përmes joshjes dhe përmes kërcënimeve. Hashim Thaçi po kërcënon hapur”, ka thënë për “Kosova Sot” profesori Enver Bytyçi. Ai e quan akt të trishtë e të dhunshëm kërcënimin e Thaçit. “Ky akt është tejet i trishtë. Nëse presidenti i një vendi imponohet me dhunë, atëherë ai vend ka shkarë në diktaturë. Kryeministri i Shqipërisë, Rama, me kohë kërcënon median në Shqipëri, është tallur edhe me median në Kosovë. Ndërsa, presidenti i Kosovës ka qenë disi më i kujdesshëm.

Por duket se tani i ka rrëshqitur dheu nën këmbë. Është në grahmat e fundit. Kryeministri i Kosovës dhe politikanë të tjerë në Prishtinë e në Tiranë e kanë izoluar Hashim Thaçin e Edi Ramën në aventurën e tyre për ndarjen e Kosovës. Hakmarrja shkon te mediat, gazetarët dhe analistët e opinionistët që e mbrojnë atdheun dhe territorin e tij”, shprehet Bytyçi. Sipas tij, kërcënime të hapura kanë ardhur edhe nga Baton Haxhiu. “Dje më erdhi dhe mua një kërcënim i hapur nga një njeri i Baton Haxhiut për faktin se pardje publikova faktin që djali i tij, Andi, punon veç tjerash edhe si këshilltar i ministrisë ruse të Mbrojtjes. Kërcënime të tilla Batoni i ka bërë publikisht e live në ekranet e televizionit kundër të gjitha atyre, që ai i quan njerëz "kundër bashkimit të Kosovës me Shqipërinë"! Batoni, Hashimi dhe Edi sa nuk e tolerojnë faktin që shqiptarët nuk besojnë në bashkimin e Kosovës pa pazarin që ata kanë nisur me Serbinë për ndarjen e saj. Nuk e tolerojnë as median, në rastin konkret "Kosova Sot", kundër së cilës është shprehur Hashim Thaçi ditën e sotme”.

Sipas Bytyçit, me këto veprime Thaçi po rikthen kohën e Milosheviqit, kur pas heqjes së autonomisë ai mbylli universitetin, shtëpinë botuese "Rilindja", televizionin e radion në gjuhën shqipe dhe e vuri Kosovën në shtetrrethim. “Presidentit të Kosovës do t'i duhet të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme njësoj si në kohën e Rrahman Morinës, që ai ta realizojë aktin e tradhtisë kombëtare të ndryshimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë. Tani duket se po vjen kjo kohë e pakohë. Kosova ose duhet ta largojë nga skena politike Hashim Thaçin, ose duhet të përgatitet për luftë dhe qëndresë kundër masave të tij të dhunshme. E njëjta gjë duhet thënë edhe për Shqipërinë. Ose do të duhet të largohet një orë e më parë Edi Rama, ose duhet që Shqipëria të rikthehet te diktatura hoxhiste.

Si për Hashim Thaçin edhe për Edi Ramën modeli është në Beograd. Kështu ishte para vitit 1999 për Kosovën, kështu ishte para vitit 1990 për Shqipërinë”, thotë ai. “Dhuna e terrori janë mjetet e fundit të diktatorëve për ta realizuar sundimin e tyre mizor. Në rastin e Thaçit kjo dhunë e ky terror lidhet me misionin që ai i ka vënë vetes, ndryshimin e kufijve me Serbinë dhe ndarjen e Kosovës, faljen e territorit dhe pasurive më të mëdha Beogradit. Por kjo, në vend që ta dëshpërojë, duhet të ma gëzojë. Tradhtarët e kombit sa më shumë zullume të bëjnë, aq më shumë i afrohen fundit të tyre të pashmangshëm!”, përfundon për gazetën “Kosova Sot”, profesori ndërkombëtar, doktor Enver Bytyçi.

Image
Reshat Badallaj

Badallaj:Gazeta nuk mund të heshtë para hajnave, kriminelëve,mafio-oligarkëve...

“Ky matrapaz dhe këlyshi i tij A.M. leh pa pushuar si qeni i Stanishiqit, për t´i ndalë shkrimet kundër kësaj bande tradhtaresh, hajnash dhe cubash, që vjedhin shtetin dhe djersën e qytetarëve te saj,kur tradhtojnë dhe nga leckamanet bëhen supermilionerë dhe shtëpi më të shtrenjtë se të Bill Clintonit. Gazeta nuk mund të heshtë para hajnave, kriminelëve,mafio-oligarkëve,matrapazëve dhe tradhtarëve te kombit qe janë bastarduar dhe punojnë vetëm për interesa serbiane dhe interesa te tyre personale duke e dëmtuar Kosovën dhe gjymtyrët e saj me ia fal gjakësorëve dhe pushkaxhinjve. Po, natyrisht këta kërcënojnë se për ketë argat paguhen nga qarqet shoviniste serbiane.

Kërcënimet e kryebanditëve,kryekriminelëve, kryehajnave dhe kryevagabondëve në stilin: Ose ndalni shkrimet, ose do t´iu shkatërrojmë", janë kërcënime tipike të gjakut të Drazh Mihajlit dhe të Aleksandër Rankoviqit, kur edhe ata thoshin:"Ose dorëzoni armët, ose kemi më lëshuar kosën e vdekjes në kokat shqiptare", pra ky soj lehaqenësh janë duke lehur që gazeta po i zbardh një nga një të gjitha të zezat e kësaj kopeje tradhtarësh që janë duke punuar për tradhti dhe hajni, që janë duke shitur 1/3 e vendit dhe janë duke vjedhur buxhetin e shtetit dhe taksapaguesve për propagandën e tyre personale.

Këta kërcënues kriminalë janë rrjeti dhe klanet më të rrezikshme në Ballkan. Le ta dinë ky rrjet i rrezikshëm kriminal se gazeta dhe gazetarët e saj janë në anën e popullit dhe kundër bandave kriminale që e vodhën popullin deri në palcë”, u shpreh për “Kosova Sot” Reshat Badallaj- Zhuriani.

Image
Ragip Guraziu

 

Guraziu: Kërcënim dhe shantazh i turpshëm

“Edhe pas 20 vjetësh gazeta “Kosova Sot” kërcënohet a e dini nga kush?! Nga vetë presidenti Thaçi. Edhe një skandal i radhës, duke i futur hundët Hashim Thaçi përmes lajmëtarit të tij special A. M., “ ose ndalni shkrimet, ose do t'ju shkatërrojmë'', kjo nuk do koment kur bota na ka në sy dhe çdo lajm edhe në formë kërcënimi,ani kur është në pyetje një president vendi siç është Hashim Thaçi, tmerr për shtetin e Kosovës...

Kur dihet se si kishte pësuar gazeta ‘KOSOVA SOT’ para 20 vjetësh, nga majat e një ish-regjimi gjenocidial serb (ish-Milosheviq-Vuçiq), kur gazeta “Kosova Sot” dhe shtypshkronja “Interpres R. Company” i ishin bërë halë në sy regjimit gjenocidial të Beogradit? Si e pse po i përsëriten kërcënimet edhe 20 vjet pas këtij krimi, por kësaj radhe nga majat e pushtetarëve kosovarë.

Atëherë pse me u kërcënua gazeta ‘Kosova Sot’ nga grupet kriminale të interesit dhe mercenarët e ditur që iu shërbejnë atyre dhe që veprojnë bashkë e në ortakëri... Si s’po ju vjen turp, si nuk po ju kalon asnjë ditë pa u turpëruar para masës së madhe, dërgoni mesazhe kërcënuese numri një i Republikës, përmes lajmëtarit të tij. A. M., i cili na e përcolli mesazhin shantazhues ndaj gazetës “Kosova Sot” jo me më pak se tri herë brenda tre muajsh: “Ose ndalini shkrimet, ose do t’ju shkatërrojmë...”?!!! Ndryshe po kërcënojnë oligarkët e pushtetit dhe mafiozët e biznesit pasi që gazeta ‘KOSOVA SOT’ po ua nxjerr paligjshmëritë dhe të palarat në fushë në opinion, e cila edhe këtë punë ka. Po kërcënojnë pushtetarët e Kosovës, siç kërcënonte para 20 vjetësh Aleksandar Vuçiqi publikisht në RTS me gazetën e kalendarin “Kosova Sot” në dorë? Si po kërcënon sot partneri i nënshtruar i tij, i instaluar në krye të Presidencës kosovare, Hashim Thaçi, me të vetmin dallim e diference se nuk del edhe publikisht, por përmes lajmëtarëve të tij të ditur.

Tani i ka futur shumicën e mediave (televizione, portale, gazeta) nën thundrën e vet të pushtetit? Dhe kështu po vazhdon gazeta “Kosova Sot”, e rilindur pas një ish-akti kriminal serb, për të cilin kurrë drejtësi nuk pati, ta bëjë dallimin, edhe pse me shumë mund e sakrificë po rendojnë pasojat mbi sipërmarrjen e lirë private, që goditet pamëshirshëm e pandashëm nga shërbëtorët e pushtetit te tipit mafioz?

Shtrohet pyetja si dhe pse po bllokon pushteti kriminal qe nuk njeh rend e ligj, për shkak të politikës editoriale të gazetës ‘KOSOVA SOT’, investimet disa dhjetëra-milionëshe, që hapin disa mijëra vende të reja pune në kryeqytetin e Prishtinës? A mund të thuhet se pushteti pas çlirimit nga zgjedha serbe vetëm ndërroi kombësinë, por jo edhe poshtërsinë?!!!”, ka thënë Ragip Guraziu për “Kosova Sot”.

Image
Muhamet Kelmendi


Kelmendi: Askush nuk mund t’ia mbyllë gojën gazetës “Kosova Sot”

“Gazetën e përditshme ‘Kosova Sot’ nuk ka mundur as në kohën e Milosheviqit gjatë kohës së luftës çlirimtare në Kosovë, që të ndalë mbi informimin real mbi gjendjen, nuk arritën as këto 20 vite që të ndalin nga informimi real në fushën politike ekonomike, shoqërore etj. “Kosova Sot” ka vazhduar edhe t’i bëjë publike shumë dukuri negative, sidomos në fushën e korrupsionit dhe të krimit të organizuar në fushën politike dhe ekonomike. Kërcënime beri edhe Milosheviqi. Madje ai edhe shkatërroi dhe bëri dëme të mëdha kësaj gazete, por nuk mund ta ndalë nga puna.

As Klani ‘Pronto’, as mafia okigarkike ekonomike dhe as politikanët e korruptuar nuk besoj se do të arrijnë të ndalin nga informimi objektiv i gjendjes në Kosovë. Natyrisht se do të ketë probleme. Gazeta do të rrezikohet. Do të kërcënohen edhe më tej gazetarët dhe vetë shtëpia botuese. Edhe ne me siguri do të gjendemi në pozita të palakmueshme. Por për informim objektiv, për të zbuluar krimin dhe korrupsionin ia vlen për të rrezikuar. Në këtë kontekst gazeta nuk duhet t’i nënshtrohet askujt. Populli ynë ka nevojë të informohet mbi situatën në politikë, ekonomi dhe me fusha tjera. Për atë duhet edhe sakrifikuar”, ka thënë profesor Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot”.

Image
Gani Qarri


Grupet kriminale në fushatë kundër shtypit të pavarur

Analisti Gani Qarri thekson se pas djegies makabre dhe dëmeve milionëshe nga regjimi kriminal pushtues i Milosheviqit, i cili për ministër të informatave kishte Aleksandër Vuçiqin, 20 vite pas aktit barbar serb, sipas dëshmive që posedon gazeta, kombëtaren “Kosova Sot“ ka filluar ta kërcënojë me rishkatërrim, edhe dora e zgjatur e Vuçiqit në Kosovë, presidenti kuisling Hashim Thaçi.

“Personi i shantazhuar me histori të paqartë dhe i dyshuar për bashkëpunim me sigurime të huaja shtetërore Hashim Thaçi, përmes sekseve dhe lajmëtarit të tij special A. M., ka filluar ta kërcënojë drejtpërsëdrejti gazetën “Kosova Sot”."Ose ndalini shkrimet, ose do t’ju shkatërrojmë!", njëjtë dhe me të njëjtën mostër e praktikë, siç veproi para dy dekadash edhe Milosheviqi më 24 mars të vitit 1999, vetëm pak orë pasi fillimit të bombardimeve të NATO-s, mbi caqet serbe.

Ky nuk është kërcënimi i parë as i vetëm, gazeta “KOSOVA SOT” edhe para 20 vjetësh, fillimisht ishte kërcënuar e pastaj edhe djegur e shkatërruar me themel, nga paraardhësit e pushtetarëve të shitur aktualë dhe majat e një ish-regjimi gjenocidial, si ai tandemit serb, Milosheviq-Vuçiq, pasi që gazeta “Kosova Sot” dhe shtypshkronja “Interpres R. Company”, njëjtë si për Thaçin sot, edhe atëherë ishin bërë halë në sy të regjimit gjenocidial të Beogradit”, u shpreh ai.

“Fakti se diktatorët mund të kenë emra, madje edhe kombësi ndryshe, por ide dhe qëllime të njëjta, e vërteton edhe rasti i gazetës “Kosova Sot”, ndaj të cilës po përsëriten kërcënimet edhe 20 vjet pas krimit gjenocidial të Serbisë, por kësaj radhe nga majat e pushtetit kosovar.

Se kombëtarja "Kosova Sot", si gazeta numër një në vend, kërcënohet në vazhdimësi edhe nga grupet kriminale të interesit, si dhe mercenarët që dihet se u shërbejnë atyre dhe veprojnë në bashkë-ortakëri me ta, kjo nuk është më lajm as risi. Por, fakti se mesazhe kërcënuese kësaj gazete i dërgon edhe vetë numri një i Republikës, përmes lajmëtarit të tij. A. M., i cili i nxitur nga padrino-padroni nuk hezitoi të përcillte mesazhin shantazhues ndaj gazetës “Kosova Sot” jo më pak se tri herë, brenda tre muajsh, me porosinë: “Ose ndalini shkrimet, ose do t’ju shkatërrojmë...”, kjo vërtet habit dhe të lë pa mend në shekullin XXI”, ka potencuar Qarri për “Kosova Sot”.

“Mafio-oligarkët e pushtetit dhe mafiozët e biznesit e kërcënojnë në vijimësi gazetën “KOSOVA SOT”, pasi që ajo po ua nxjerr paligjshmërinë dhe të palarat në fushë e opinion, e cila si medium informues edhe këtë pune ka! Por, habit fakti se si kanë fytyrë dhe guxojnë pa fije turpi të kërcënojnë pushtetarët kriminelë të Kosovës, njëjtë siç kërcënonte para 20 vitesh edhe Aleksandar Vuçiqi publikisht në RTS me gazetën e kalendarin e gazetës “Kosova Sot” në dorë, siç po kërcënon sot hapur edhe partneri i nënshtruar i Aleksandër Vuçiqit, i instaluar në krye të Presidencës kosovare, Hashim Thaçi, me të vetmin dallim e diferencë se ky nuk del vetë publikisht, por dërgon kërcënimet përmes lajmëtarëve të tij A. M.”, ka thënë më tej ai.

Sipas Qarrit, kjo dëshmon se Thaçi dhe politika mafioze në Kosovë, përveç kombëtares "Kosova Sot" i ka futur, nëse jo të gjitha, shumicën e mediave (televizione, portale, gazeta) nën thundrën e vet të pushtetit. “Por, përkundër të gjitha vështirësive, kërcënimeve e pengesave të pareshtura deri nga vetë instancat më të larta shtetërore dhe të gjitha shantazheve, të cilat në vijimësi i bëhen, që nga grupet e vogla mafioze e deri të ato nën ndikimin direkt të presidentit kuisling, gazeta “Kosova Sot”, edhe pas aktit kriminal serb për të cilin nuk pati drejtësi kurrë, e rilindur si feniksi nga hiri i vet, po arrin ta bëjë punën e vet, dallimin dhe informimin më të sinqertë e transparent në vend, edhe pse me shumë mund e sakrifica. Pasojat mbi sipërmarrjen e lirë private, që goditet pamëshirshëm e pandalshëm nga shërbëtorët e pushtetarëve të tipit mafioz dhe pushteti kriminal, i cili nuk njeh rend as ligj, po rëndojnë shumë dhe bllokojnë investimet disa dhjetëra-milionëshe, që hapin disa mijëra vende të reja pune në kryeqytetin e vendit në Prishtinë, argument që fatkeqësisht na bindë se pushteti pas çlirimit nga zgjedha serbe vetëm ndërroi kombësinë, por jo edhe poshtërsinë!”, ka vlerësuar analisti Gani Qarri.

Image
Florim Zeqa


Zeqa:"Kosova Sot", e ndjekur dhe e sulmuar barbarisht nga pushteti okupues i Serbisë, edhe tani pas 20 vjetësh po ndiqet nga pushtetarët vendorë!

Analisti Florim Zeqa u shpreh se aty ku përfundon demokracia, fillon tirania! “Sulmet kërcënuese ndaj gazetës "Kosova Sot" janë sulme ndaj fjalës së lirë, janë sulme ndaj gazetarëve dhe analistëve që trajtojnë problemet dhe shqetësimet e qytetarëve ndaj keq-qeverisjes së vendit dhe abuzimit me pushtetin si në nivelin qendror ashtu edhe lokal.

Mesazhet kërcënuese nga numri një i Republikës ndaj gazetës "Kosova Sot” ose ndalini shkrimet, ose do t’ju shkatërrojmë...”, përveçse shqetësim, është një ogur i zi për të ardhmen e vendit.

"Kosova Sot", e ndjekur dhe e sulmuar barbarisht nga pushteti okupues i Serbisë, edhe tani pas 20 vjetësh po ndiqet nga pushtetarët vendorë!

Kjo paralele flet për analogjinë e veprimeve të dy pushteteve të kundërta në të njëjtën hapësirë gjeografike, ku dallimi qëndron në kohë dhe përmbajtje”, u shpreh ai.

“Sikurse atëherë, edhe tani sulmet po ndodhin për të frikësuar zërat kundërshtues ndaj pushtetit dhe për të fashitur zërat e së vërtetës dhe shpresës së qytetarëve.

"KOSOVA SOT" po kërcënohet nga oligarkët e pushtetit dhe mafiozët e biznesit për shkak se gazeta po ua nxjerr në shesh të gjitha paligjshmëritë dhe të palarat në qeverisjen e vendit, gjegjësisht dukurinë e përhapjes së bizneseve të pista dhe antiligjore që po e rrezikojnë jetën e qytetarëve”, ka vlerësuar Zeqa. “Sikurse qeverisja e mirë që është pune dhe detyrë e politikanëve të përgjegjshëm, edhe gazetaria është obligim qytetar për të pasqyruar realitetin e të gjitha zhvillimeve në vend, filluar nga fusha e politikës, ekonomisë, arsimit, shkencës, sportit, kulturës etj.

Pra, gazetaria, për më tepër se detyrë, është mision për plasimin e së vërtetës ashtu siç është, pa kamuflime, pa ngjyrime partiake dhe ideologjike.

Në kohën kur shumica e mediave (televizione, portale, gazeta) janë futur nën thundrën e pushtetit, gazeta "Kosova Sot" po vazhdon të qëndrojë vertikalisht dhe e palëkundur në misionin e saj në shërbim të qytetarëve edhe përkundër kërcënimeve të pushtetarëve”, vijoi më tej ai.“Pavarësisht sulmeve, "Kosova Sot" dhe gazetarët e saj mbetën të përkushtuar në misionin e saj për informim të paanshëm dhe objektiv, për arsye se shteti i Kosovës nuk është pronë private e politikanëve, por është e qytetarëve”, ka potencuar analisti Florim Zeqa. Sipas tij, qytetarëve të lodhur e të pashpresë, ushqimi i vetëm shpirtëror u vjen nga informimi real, e vërteta lakuriqe e jo nga gënjeshtrat e politikanëve të inkriminuar.

(Kosova Sot)