E turpshme, Shpend Ahmeti injoron qytetarët, por edhe tragjedinë e Muhamet Mramorit

  • 26 March 2019 - 07:52
E turpshme, Shpend Ahmeti injoron qytetarët, por edhe tragjedinë e Muhamet Mramorit

Islami: Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, edhe lejet e ndërtimit i ka shndërruar në biznes personal

“Shpend Ahmeti kurrë nuk më ka pranuar që të flas me të, nuk është përgjigjur kurrë as në kërkesat tonë për takim. Nuk ka pasur as edhe një përkujdesje minimale, siç është premtuar para tre vjetësh nga kryetari Ahmeti, që i bie se ne vetëm jemi mashtruar përkohësisht dhe jemi gënjyer nga kryetari Shpend Ahmeti. Ne po kërkojmë drejtësi dhe janë në procedurë gjashtë palë të akuzuara nga ana e jonë si familje. Bëhet fjalë për Komunën, inspektoratin dhe kompaninë që ka kryer punimet aty. E kemi zgjedhur këtë rrugë, sepse konsiderojmë që ne si qytetarë duhet të jemi të mbrojtur e jo të shkojnë e të mbyten fëmijët dhe pastaj askush të mos e marrë përgjegjësinë. E patën lënë gropën të hapur aty për dy vjet dhe pastaj kur ndodh tragjedia, vetëm një ditë pas vdekjes së fëmijëve të mi, veprohet dhe mbyllet gropa”, u shpreh kryefamiljari Muhamet Mramori për “Kosova Sot”

Qytetarët e Prishtinës po vazhdojnë të ankohen se kryetari i Komunës Shpend Ahmeti, po vazhdon të jetë në distancë të madhe karshi problemeve që kanë qytetarët e Prishtinës dhe që kërkojnë zgjidhjen e tyre. Sipas qytetarëve të anketuar, kryetari jo vetëm që nuk merret me problemet konkrete, por ai edhe i injoron ata, ka mungesë guximi të ballafaqimit sy më sy me qytetarët për çështjet e tyre kolektive dhe individuale.

E, një nga rastet më serioze e më të rënda është rasti i tragjedisë së dhimbshme në familjen e Muhamet Mramorit që ndodhi para tre vjetësh, kur kryefamiljari kishte marrë premtimin nga kryetari, atëherë në mandatin e parë, se do të përkujdesej për këtë familje, duke siguruar edhe një vend pune për kryefamiljarin, por sot e asaj dihet është harruar dhe nuk është përmbushur ai premtim.

Për fajin e Komunës, që kishte lejuar të mbetet një gropë e hapur në afërsi të shtëpisë, po bëhen 3 vjet nga vdekja e Florent dhe Florenta Mramori në gropën me ujë një Kolovicë, kurse Shpend Ahmeti i harroi premtimet e dhëna, dhe sipas kryefamiljarit Muhamet Mramori, kurrë nuk u interesua më për familjen, që nga vdekja e fëmijëve. Ai madje as nuk i ka thirrur ndonjëherë në takim dhe as nuk i ka pranuar kërkesat e tyre për caktimin e një takimi me kërkesën e tyre, për çka kishte premtuar në ditën tragjike të vdekjes së dy fëmije, se dera e kryetarit do të jetë kurdo e hapur për familjen Mramori dhe kryefamiljarin Muhametin.

Image

“Shpendi na e ktheu shpinën”

Gazeta ka qëndruar gjatë ditës së hënë në familjen Mramori dhe ka bashkëbiseduar me kryefamiljarin Muhametin, i cili tha se nuk i ka mbetur rrugë tjetër veç të kërkojë drejtësi nëpërmes të institucioneve të ligjit. “Krejt opinioni e di që edhe kryetari i Komunës, pra Shpend Ahmeti, pati marrë pjesë në varrimin e fëmijëve të mi. Pas ceremonisë së varrimit, na pati premtuar që do të na ndihmojë, së paku do të angazhohet për të na gjetur një vend të punës. Mirëpo, që nga ajo kohë nuk kemi asgjë. Për me tepër, ai kurrë nuk më ka pranuar që të flas me të, nuk është përgjigjur kurrë as në kërkesat tonë për takim.

Pra, përfundimisht po shihet që ato që i na i ka premtuar asnjë nuk i ka mbajtur. Nuk dua t’i hyj në hak për shpenzimet e varrimit, vetëm ato kanë qenë që i ka hequr Komuna. Ne si familje jetojmë me një ndihmë sociale me rreth 80 euro dhe kjo dihet sa mjafton në kushtet e sotme. Asokohe Shpendi na pati premtuar që do të ma gjejë një punë mua si kryefamiljar, por sot e kësaj dite nuk e ktheu kokën nga ne, as punë e as kurrgjë. Pra, lirisht po e them se nuk ka pasur as edhe një përkujdesje minimale, siç është premtuar para tre vjetësh nga kryetari Ahmeti, që i bie se ne vetëm jemi mashtruar përkohësisht dhe jemi gënjyer nga kryetari Shpend Ahmeti”, u shpreh ai.

“Realisht, kur shikohen kushtet e jetesës nuk janë të mira, por ia dalim disi, sepse kemi vështirësi ekonomike dhe kryetari e ka harruar premtimin që e pati dhënë. Pasi nuk u përmbush ai zotimi, të cilin e pati dhënë kryetari, jemi detyruar që të zgjedhim rrugën ligjore të kërkimit të drejtësisë për këtë rast, sepse dihet si ka qenë krejt ajo situatë lidhur me mbetjen për një kohë të gjatë hapur të gropës së rrezikshme në afërsi të shtëpisë”, tha Muhamet Mramori. Edhe pse rasti ka shkuar pa vonesë në Prokurori, akoma nuk është filluar ndonjë procedurë dhe për këtë është edhe më i zhgënjyer dhe më shumë ,sepse ai dyshon që të gjitha grupet e interesin që kanë përgjegjësi lidhur me rastin, e kanë ndikimin e tyre dhe po zvarritet për ta çuar në gjykatë.

Image

Zvarritja e rastit

“Lënda për këtë punë është duke u zvarritur tepër gjatë. Nuk ka asnjë kuptim që të bëhen tre vjet dhe të mos mbahet asnjë seancë gjyqësore. Unë kam dyshim, madje shumë të bazuar që edhe në këtë rast po ndikon politika dhe të gjitha grupet e caktuara të interesit, që kanë përgjegjësi lidhur me rastin. Për këto tre vjet, deri tash për këtë rast, janë ndërruar tre prokurorë.

Nuk kam ndenjur kot, kam bërë vazhdimisht ankesa, por përgjigjja që kam marrë nga Prokuroria ka qenë se ata kanë në trajtim shumë lëndë. Mendoj që është një ndikim i madh i politikës dhe grupeve të interesit këtu, pasi po bëhen tre vjet dhe ne kurrfarë përgjigje nuk kemi marrë. Pra, rasti nuk po trajtohet me seriozitetin që e kërkon, po sillen sikur të mos eksitonin kurrë këta fëmijë dhe sikur përgjegjësia nuk është aspak serioze”, tha Muhamet Mramori, prindi i dy fëmijëve tani më të ndjerë, Florentinës dhe Florentit, të cilët humbën jetën në gropën e hapur në afërsi të shtëpisë së tyre në muajin qershor të vitit 2016. Për të lëvizur këtë çështje nga vendi, Muhamet Mramori është ankuar në zyrën e prokurorit të shtetit nga e cila ka marrë një përgjigje sipas së cilës procedura është në zhvillim e sipër.

Në përgjigjen që ka marrë Muhameti nga ZAP-i thuhet se për sa i përket pakënaqësisë lidhur me zvarritjen në vendosjen e lëndës me numër PP.ll.4894/16a nga shkresat e lëndës të siguruara nga prokuroria : “ZAP ka gjetur se është pranuar në prokurori më datë 15 korrik 2016 dhe prokurores së fundit të çështjes i është ndarë në punë më 30 gusht 2016. Më datë 03 dhjetor 2018, prokurorja ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve ndaj të pandehurve.

Në intervalet e ndryshme kohore, prokuroria ka ndërmarrë disa veprime procedurale në drejtim të përfundimit të hetimeve. ZPD ka gjet vonesë në vendosjen e lëndës së lartcekur, por vonesa është konstatuar se ka ardhur për shkak të rrethanave objektive (ngarkesa e prokurorëve me numër të madh të lëndëve, kalimi i lëndës në prokuror të ndryshëm, etj.)”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Prokurorit Disiplinor (ZPD), drejtuar familjes e cila i humbi dy fëmijët e saj.

Qytetarët të penduar për votën që ia dhanë kryetarit të dështuar

për joseriozitet dhe anashkalim të qytetarëve, nuk është vetëm rasti tragjik i fëmijëve të familjes Mramori. Lidhur me mospërmbushjen e obligimeve institucionale, për zgjidhjen e problemeve ndaj qytetarëve nga kryetari Shpend Ahmeti, shprehën kritikë dhe të mashtruar edhe qytetarët e anketuar nga lagje të ndryshme të Prishtinës. Nami Bucolli, i cili jeton në lagjen e “Dardanisë”, tha se premtimi i Shpend Ahemtit ka qenë edhe rregullimi i lifteve (ashensorëve), por nuk ka ndodhur asgjë ,prandaj me investime vetjake janë detyruar qytetarët që të rregullojnë shumë nga problemet që kanë si lagje. “E kam votuar qe dy herë dhe sikur ta kisha ditur që është kësi njeriu kurrë tybe nuk do ta kisha votuar, sikur ta kisha ditur që është kështu.

Kam pasur mendimin që është njëfarë kuadri i ri dhe është njeri e burrë i mirë, por nuk më ka dalë ashtu. Unë dhe shumë të tjerë kemi menduar që po votojmë për ndryshime pozitive në Prishtinë, por të gjithë jemi dëshmitarë që ato ndryshime nuk po ndodhin, sepse kryetari Shpend Ahemti ka rrokur interesa të tjera dhe e ka harruar krejtësisht obligimin ndaj qytetarëve të Prishtinës dhe votuesve, të cilët i kanë dhënë votën”, theksoi Bucolli. Qytetari Mehmet Islami nga Kolovica thotë se gabim i tij ka qenë që e ka votuar Shpend Ahmetin. “Definitivisht kemi gabuar që ia kemi dhënë votën, që jemi mashtruar e kemi votuar për të.

Unë ju garantoj juve dhe shumë qytetarë të tjerë se ky kryetar komune do të mbahet në mend vetëm për rikthimin e kunjave nëpër trotuaret e qytetit dhe për asgjë tjetër. Mos të na shet ai pallavra për autobusët dhe për ujin e pijes, sepse që të dyja këto projekte kanë qenë të filluara dhe në proces nga qeverisja para Shpend Ahmetit. Meritat më të mëdha që i ka Shpend Ahmeti i ka vetëm për kunja. Po përflitet me të madhe që edhe lejet e ndërtimit i ka shndërruar në biznes personal dhe nuk është për të mos besuar, sepse derisa përflitet diçka, aty sillet së pakut një gjysmë e vërtetë që mjafton të jetë edhe e tillë”, tha Mehmet Islami. Nga lagjja e Kolovicës është edhe qytetari tjetër Daut Ahmeti, sipas të cilit pjesa më e madhe e kësaj lagje ka mbetur jashtë përkujdesjes së duhur komunale.

”Unë kam ardhur këtu në Prishtinë, në lagjen e Kolovicës, në kohën e pasluftës. Ne e kemi problemin me një rrugë prej afro 200 metra. Kemi dy rrugë që kryqëzohen aty, rruga për Kolovicën e vjetër dhe rruga “Xheravica” dhe deri aty ka mbetur rruga e pashtruar. Madje aty nuk ka as drita edhe pse aty është një fermë e pulave dhe kjo pjesë shpesh është e rrezikuar nga qentë endacakë, që i rrezikojnë fëmijët të cilët jo rrallë rastisin që të dalin rrugës edhe nëpër errësirë. Edhe kjo rrugë është pjesë e Prishtinës dhe këta të Komunës as që dëgjojnë dhe as që po mendojnë ta shtrojnë e ta ndriçojnë këtë pjesë të rrugës, edhe pse dihet që Kolovica është pjesë integrale e qytetit të Prishtinës, është lagje dhe jo fshat periferik.

Kryetari Ahmeti dhe këta të Komunës po bëjnë diferencime të mëdha në baza politike, sepse unë di që intervenojnë edhe nëpër disa fshatra, duke lënë anash nevojat emergjente në kryeqytet. Nuk kam gjë kundër pse shkojnë dhe punojnë në katunde, Hajkobillë , në Keqekollë e kudo, por duhet ta dinë që Kolovica dhe Matiqani e këto që po mbeten kështu shkojnë me qytetin dhe kërkojnë intervenim urgjent, sepse dimrit bëhet baltë e pakalueshme e verës bëhet pluhur”, theksoi Daut Ahmeti.

Iu teprojnë 32 milionë

“Kam vërejtje për menaxhimin jo të mirë të Prishtinës si tërësi dhe si Komunë në shumë projekte të tjera. Këta nuk kanë punuar sa duhet dhe nuk mund të punojnë, sepse po shihet që aspiratat e tyre janë shumë më të mëdha sesa për ta udhëhequr një komunë. Aspiratat tekefundit askush, askujt nuk ka të drejtë për t’ia ndaluar, por duhet ta kemi të qartë që kur e merr një obligim dhe një besim qytetar atë duhet realizuar. Mirëpo, këta po mendojnë që duhet ta marrin pushtetin për ta udhëhequr, kinse nuk ka të tjerë përveç tyre, kinse janë më të mëdhenjtë dhe më të dijshëm.

Kështu që në këtë aspekt, sa i takon menaxhimit të Komunës së Prishtinës këta kanë dështuar tërësisht. Për fat të keq, Shpend Ahmeti do të mbetet në histori për dështim e për të keq, për shumë gjëra, sepse mundësitë janë për të punuar më tepër, kurse këtyre u teprojnë deri mbi 32 milionë euro buxhet, i cili pushon dhe nuk qarkullon për interesin e zhvillimit, por rri kot së koti.”, tha Ismail Hamiti, banor në lagjen “Kodra Diellit”.

(Kosova Sot)