Pushtetarët miliarderë të pasluftës të hetohen si i bënë perandoritë financiare

  • 26 March 2019 - 07:59
Pushtetarët miliarderë të pasluftës të hetohen si i bënë perandoritë financiare

Kapiti: Pushtetarët e nivelit qendror dhe lokal janë vetë mafio-oligarkia e armatosur me pushtet, "me ligjin" dhe me "drejtësinë"!
 

“ Fatkeqësisht, krimi i organizuar dhe korrupsioni në Kosovë është shndërruar në diçka të zakonshëm për fajin e Prokurorisë Speciale e Themelore dhe gjyqësisë që nuk e luftojnë fare korrupsionin e krimin e organizuar. Korrupsioni dhe krimi i organizuar po shkatërron dhe pengon zhvillimin dhe perspektivën e shtetit tonë. Tashmë de-fakto e de-jure krimi i organizuar dhe korrupsioni janë një fenomen numër NJË në shoqërinë tonë, mbase janë bërë si diçka e pranueshme, sepse de fakto në këtë shtet nuk mund të kryesh punë pa korrupsion dhe pa qenë pjesë e krimit të organizuar!...mbase nuk merr tenderë, nuk punësohesh në administratë e gjetiu po nuk pate lidhje apo nuk jep para dhe kjo përjashto të drejtën dhe ligjin në Kosovë”, thotë analisti Naim Kelmendi për gazetën “Kosova Sot”
 
 
Prej 4,700 zyrtarëve të lartë publikë në Kosovë, që janë të obliguar ta deklarojnë pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, deri më tani vetëm rreth 1.300 zyrtarë, ose 30 për qind prej tyre e kanë deklaruar pasurinë. Kjo është dëshmi e mjaftueshme për prokurorinë që të hetojë zyrtarët që refuzojnë deklarimin e pasurisë, por jo vetëm. Analistët alarmojnë se prokuroria duhet të hetojë se si po i fshehin me dhjetëra miliona pushtetarët kosovarë, në pushtetet e të dyja niveleve, duke mos deklaruar pasurinë e tyre, apo duke e deklaruar pjesshëm, ndërkaq që pjesën kryesore po e i fshehin jashtë shtetit e në parajsa fiskale. Njohësit e fushës së drejtësisë pyesin se pse Prokuroria Speciale dhe ajo e Shtetit nuk po guxon dhe nuk po i heton pushtetarët e niveleve të larta, të cilët për afro dy dekada janë në politikë dhe gjoja jetojnë prej pagave, ndërkaq bëjnë jetë milionerësh dhe miliarderësh.

Edhe pse është një Agjenci Antikorrupsion, efekti i tij në luftimin e korrupsionit është thuajse zero,theksojnë analistët. Analisti Blerim Burjani thekson se kjo agjenci deri më tash nuk ka pasur sukses në problemet e mëdha të korrupsionit, nepotizmit dhe konfliktit të interesit a po zhvatjes së parasë publike. “Hetimi administrativ nuk është efikas, por edhe po ta kryejë punën deri në fund kjo agjenci prapë do të varet nga prokuroria, pasi deklarimi i pasurisë nuk është instrument efikas”, u shpreh ai për “Kosova Sot”. Sipas tij, pa e larguar këtë kastë politike nga pushteti nuk shkapet shteti. Ndërkohë Prokuroria Speciale, edhe përkundër pyetjeve të dërguara, nuk ka kthyer përgjigje.

Image
Skënder Kapiti

 

Kapiti: Pushtetarët nuk e kanë frikë ligjin, por ligji i ka "frikë" ata!


Kjo sepse pa VETTING-un kush do t'i kontrollojë dhe do t'i hetojë personazhet VIP, hajdutërinë, korrupsionin dhe pasurinë e siguruar prej shfrytëzimit te politikes ,pushtetit, postit dhe detyrës së lart shtetërore. Kur korruptohet dhe kriminalizohet sistemi nuk pritet që ai të hetojë, të ndëshkojë dhe të sekuestrojë pasuritë e politikës dhe politikanëve, as të pushtetarëve qendrore dhe të atyre lokalë dhe as të gjyqtarëve e prokurorëve, sepse ata janë vetë mafio-oligarkia e armatosur me pushtet, "me ligjin" dhe me "drejtësinë". Ata nuk e kanë frikë ligjin, por ligji i ka "frikë" ata, sepse ligjin dhe drejtësinë e thyen dhe e përkul mafio-oligarkia, kur ajo kap dhe e sundon shtetin, shoqërinë dhe ligjin”, u shpreh për “Kosova Sot” analisti Skënder Kapiti.
 
“Korrupsioni është sëmundja më e rëndë e sistemit politik dhe juridik në Kosovë, i cili ka paralizuar funksionimin e shtetit, të ligjit, të shoqërisë dhe të demokracisë. Në këtë gjendje, ky sistem është edhe i perfeksionuar edhe në manipulimin, fshehjen dhe maskimin e pasurive të siguruara në mënyrë korruptive, abuzive dhe hajdutërie nga zyrtarët e lartë të politikës, pushtetit dhe të drejtësisë. Prandaj, kjo korporatë kriminalo-hajdutokracie nuk e dëshiron, por e pengon VETTING-un.

Image
Hasan Preteni


Preteni: Askush nuk po dënohet

 
“Numri i vogël i deklaruesve nuk është problem, të gjithë i deklarojnë ato në fund të afatit. Edhe nëse nuk e deklarojnë brenda afatit, institucioni përgjegjës për këtë, po është shumë tolerante, duke i pranuar informatat edhe pas afatit. Deklarimi i pasurisë në aspektin teknik po kryhet mirë, problemet fillojnë aty, çka me pastaj. Mungon baza ligjore që i mundëson Agjencisë ose ndonjë mekanizmi tjetër që të kontrollojë saktësinë e të dhënave. Nuk ka bazë për vërtetimin e prejardhjes së pasurisë. Duhet të sigurohet që e gjithë pasuria e deklaruar të vërtetohet prejardhja. Zyrtarët duhet dëshmuar mënyrën e sigurimit të asaj pasurie, e gjithë pasuria që nuk mund të justifikohet duhet të konfiskohet.

Për këtë nuk ka vullnet politik që kjo të ndodhë. Penalizimi i deklarimit të rrejshëm duhet të sanksionohet gjithashtu, duhet të zbatohen normat ligjore, edhe pse me ligj një veprim i tillë është i sanksionuar në letër, por ai nuk zbatohet asnjëherë. Që nga viti 2013 janë futur në kod këto sanksione penale, por askush nuk është dënuar me burg. As për mosdeklarim të pasurisë dhe as për deklarim të rrejshëm”, u shpreh Hasan Preteni për “Kosova Sot”.  

Image
Naim Kelmendi


KGJK-ja duhet të depolitizohet

 

Analisti Naim Kelmendit thekson se fatkeqësisht krimi i organizuar dhe korrupsioni në Kosovë është shndërruar në diçka të zakonshëm për fajin e Prokurorisë Speciale e Themelore dhe gjyqësisë që nuk e lufton fare korrupsionin e krimin e organizuar.“Korrupsioni dhe krimi i organizuar po shkatërron dhe pengon zhvillimin dhe perspektivën e shtetit tonë. Tashme de-fakto e de-jure krimi i organizuar dhe korrupsioni janë një fenomen numër NJË në shoqërinë tonë, mbase janë bërë si diçka e pranueshme, sepse de fakto në këtë shtet nuk mund të kryesh punë pa korrupsion dhe pa qenë pjesë e krimit të organizuar!...mbase nuk merr tenderë, nuk punësohesh në administratë e gjetiu po nuk pate lidhje apo nuk jep para dhe kjo përjashto të drejtën dhe ligjin në Kosovë”, u shpreh Kelmendi.

“Pra, duke qenë kështu në realitet, kjo situatë e rëndë dhe alarmante që të iniciohet sa më shpejt në Kuvend Ligji për VETTING-un në drejtësinë kosovare dhe jo vetëm. Ndërkohë, do të duhej në të vërtetë të nisë reformimi i sistemit të drejtësisë me diferencimin e vetëpastrimin e KGJK-së dhe të KPK-së që janë dy mini-qeveri e drejtësisë”, vijoi më tutje ai.

“Një KGJK e pavarur dhe e pandikuar nga politika, me figura gjyqtarësh të paanshëm, të papërfolur për korrupsion e krim të organizuar, me etikë e integritet profesional, do të mbronte dhe kontrollonte gjyqtarët njëkohësisht në punën e tyre, se sa po e zbatojnë ligjin dhe çfarë performance kanë në punën e tyre!. Mbase numri i procedimeve disiplinore me këtë KGJK-në aktuale e të degraduar fare, të korruptuar e të lidhur me krimin është tejet i ulët ose ndoshta edhe zero, pothuajse i papërfillshëm, nuk ka vlerësim real për punën e gjyqtarëve tani për tani të "paprekur" nga ligji dhe nga askushi, sepse kështu është dhënë urdhri i KOKAVE mafio-oligarkike brenda e jashtë institucioneve”, ka potencuar Kelmendi për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)