Kazinotë e palicencuara pastrojnë paratë para hundëve të pushtetit

  • 26 March 2019 - 08:08
Kazinotë e palicencuara pastrojnë paratë para hundëve të pushtetit

Grapci: Paratë e kazinove në bankat sekrete

“Ky është vendi ku nuk ka ligje dhe nuk zbatohen ligjet, vendi ku shkelet dhe nuk respektohet fare Kushtetuta e vendit. Kjo tregon, ajo që e kam thënë, se pas këtyre kazinove janë bosët mafio-oligarkë dhe kriminelë të majave të shtetit, përndryshe ne do të pyesim si mund të hapen këto kazino të mortit në shumë qytete të Kosovës, pa e pasur shpinën e fortë, pa e pasur buxhetin me qindra milionë”, thotë për gazetën “Kosova Sot”, analisti Reshat Badallaj

Ministri i Financave, Bedri Hamza ka thënë hapur para deputeteve, se asnjë kazino në Kosovë nuk është e licencuar. Pse atëherë shteti ka lejuar që këto kazino të funksionojnë të palicencuara për 20 vjet dhe a kanë gisht dhe a janë bashkëpronarë politikanët në pushtet në këto kazino, që janë lejuar të veprojnë në atë mënyrë edhe si të palicencuara? Këtë pyetje e shtrojnë edhe analistët dhe ekspertët ekonomisë.

Ata shtrojnë pyetjen se pse pushteti sillet me kaq papërgjegjësi para qytetarëve që thotë se nuk janë të licencuara, kur Ministria nuk është OJQ, por Ministri që në bazë të ligjit e ka për detyrim të ndalojë ato që nuk janë të licencuara. Shtrohet edhe pyetja tjetër se sa para janë shpërlarë në këto kazino të palicencuara në Kosovë? Ministria e Financave, Prokuroria, AKI-ja dhe Policia e Krimeve të Rënda nuk kanë kthyer përgjigje në këtë pyetje të gazetës.

Image
Reshat Badallaj


Badallaj: Këto janë kazinotë e vdekjes

Analisti Reshat Badallaj thekson për gazetën “Kosova Sot” se kur Ministri i Financave, Bedri Hamza, e thotë hapur dhe atë para deputetëve se asnjë kazino nuk është e licencuar, tregon qartazi se vendi është i kapur nga bandat më mafioze dhe më kriminale. “ Ky është vendi ku nuk ka ligje dhe nuk zbatohen ligjet, vendi ku shkelet dhe nuk respektohet fare Kushtetuta e vendit. Kjo tregon ajo që e kam thënë, se pas këtyre kazinove janë bosët mafio-oligarkë dhe kriminelësh të majave të shtetit, përndryshe ne do të pyesim si mund të hapen këto kazino të mortit pa e pasur shpinën e fortë, pa e pasur buxhetin me qindra milionë të hapen në shumë qytete të Kosovës. Dhe, po ashtu, do të pyesin qytetarët dhe taksapaguesit e vendit, se çfarë tatimesh kanë paguar kjo bandë mafioze dhe kriminale që qëndrojnë prapa këtij biznesi të vdekjes, të vrasjeve dhe humbjes së jetëve. Pra, e kam thënë me shumë vend se banditët dhe kryebanditët janë bosët e tyre dhe se apo del kjo shumë vërtetë le t´u hyjnë hetimeve dhe do të shohim, por nuk guxojnë t´i hynë kësaj as Prokuroria, se edhe atë e kanë bërë ZAP”, është shprehur analisti Reshat Badallaj.

Ai tutje ka shtuar se populli e di mirë se pa i pasur hambarët e mbushur me para nuk mund t´i hapesh dot këto kazino të vdekjes. “Prandaj, një njeri, sado i pasur të jetë, nuk mund t´i hapë kazinotë në gjithë qytetet e Kosovës, por ky është një grup, ku përbëjnë rrjetin më të rrezikshëm të nëntokës kriminale.

Tyxharët e majave të shtetit janë bosët e këtij krimi dhe falë Amerikës dhe Gjermanisë që shpeshherë po ia ngrehin veshin këtij rrjeti mafiozësh që janë bërë supermilionerë me hajni dhe me kësi kontrabandash dhe lënë popullin në rruge duke mbledhur kënaçe dhe bukën e gojës”, është shprehur ai. Shton se duhet të japë dikush përgjegjësi për shumë gjëra të poshtra të këtij grupi mafiozo-olgarkësh të kanaleve të nëntokës kriminale.

Pastruan paratë e të fortëve

Eksperti i ekonomisë Mr. Liman Asllani thekson se ministri Hamza, më së miri e di pse kazinotë u lejuan pa leje. “Ishte ministër, pastaj guvernator banke e sot, prapë është ministër. Kazinotë punuan pa licencë, sepse ato pastruan paratë e VIP -ve të fituara pa djersë. Të gjithë të tjerët çfarëdo të themi kanë këtë adresë dhe këtë mesazh”, është shprehur Asllani për gazetën “Kosova Sot”. K.S.

Grapci: Duhen ndëshkime

“Shumica e kazinove në Kosovë nuk janë të licencuara, por askush nuk kishte ndonjë përgjigje të duhur. Por, shpresoj që rinia ta ketë kuptuar që prapa këtyre kazinove në Kosovë qëndrojnë politikanët e inkriminuar dhe të dirigjuar nga mafia.

Ministri i Financave, Bedri Hamza tani duhet sipas opinionit tim që t’u kërkojë pronarëve të kazinove raportin nga momenti i hapjes së kazinosë se sa para kanë hyrë dhe kanë dalë jashtë kazinosë, sa fitues ka pasur kazino etj., dhe pastaj t’i gjobisë me valutë monetare dhe me burg pronarët dhe bashkëpunëtorët e tyre politikë. Vlera totale e shpëlarjes së parave nëpër kazinotë e palicencuara të Kosovës nuk mund të deshifrohet, duke e ditur që shuma kryesore e këtyre parave ndoshta janë jashtë vendit në ndonjë bankë sekrete, ku as shteti nuk di që ekziston”, theksoi për gazetën “Kosova Sot”, analisti Dardan Grapci.

(Kosova Sot)