"Kosova Sot" godet në bërthamë krimin e organizuar dhe korrupsionin

  • 26 March 2019 - 08:25

Zëri më i rreptë i luftimit dhe demaskimit të fytyrës së vërtetë të pushtuesit serb gjatë luftës 

Deputetë të Kuvendit të Kosovës, analistë dhe përfaqësues të jetës politike në Kosovë, theksojnë se, pavarësisht gjendjes së rëndë në Kosovë, që nga pas lufta e këtej, gazeta "Kosova Sot" ka rrugëtuar nëpër shtigje jo fort të lehta për ta thënë të vërtetën, duke e goditur në bërthamë krimin e organizuar dhe korrupsionin. Sipas tyre, kjo gazetën kurrë nuk heshti, por ka demaskuar çdo rast që bie ndesh me ligjin dhe normat e shoqërisë 

Image

Shemsi Syla, deputet nga radhët e VV-së, veteran i luftës së UÇK-së

"Kosova Sot ka një të kaluar të lavdishme, kur ne luftëtarët e lirisë e kishim ushqim shpirtëror... Ajo ishte zëri i së vërtetës, zëri më i rreptë i luftimit dhe demaskimit të fytyrës së vërtetë të pushtuesit serb gjatë luftës, duke u bërë kështu e vetmja dritare e informimit për luftëtarët në vija fronti, në terrin informativ që mbretëronte atëherë. Ajo ishte mbështetëse e parezervë për luftëtarët e lirisë, që luftonin në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Jo rastësisht, kriminelët serbë ia dhanë flakën, duke e bërë shkrumb e hi objektin e saj. Por, pavarësisht dhunës e represionit kriminal, ajo vazhdoi veprimtarinë e saj. Gazetarët e kësaj gazete me profesionalizëm dhe me guxim të pashoq, u bënë shembull për mprehtësinë në pasqyrimin e objektivitetit dhe të vërtetës, dhe ne besuam se edhe pas luftës do të mbetej shembull i suksesit. Assesi nuk do të ishin të munduara rezultatet, pa gazetarët e vyer e të guximshëm, që, mbeten burim i suksesit! E uroj "Kosovën Sot", në këtë përvjetor, për suksese në pasqyrimin e realitetit objektiv.

Vazhdimisht ruajti pozitën e saj të pavarur

Image

Enver Hoti,deputet në Kuvendin e Kosovës (Nisma)

Çmoj tej mase rolin shumë të madh të të përditshmes," Kosova Sot', në të gjitha periudhat e saj të informimit, që ishte shumë korrekt dhe i qartë dhe shpresoj se do të ruhet edhe më kjo traditë e saj. Pasi ishte medium lider asokohe, ishte një dritare e informimit për vendin dhe opinionin ndërkombëtar, mbi gjenocidin dhe synimet e shfarosjes së shqiptarëve nga Serbia. Si medium edhe ishte bërë një pengesë e madhe për regjimin e Milosheviqit. Së këndejmi,"Kosova Sot", fillimisht u dënua me 300 mijë marka nga pushteti dhe më pas më 24 mars 1999 nga falangat serbe u dogj edhe shtypshkronja e gazetës" Kosova Sot". 

Image

Adil Fetahu, ekspert juridik

Sa i përket rolit të gazetës "Kosova Sot ", si medium informativ që ka përkrahur luftën e UÇK-së, unë as nuk do të lëshohem në vlerësimin e punës së gazetës, sepse këtë e tregon fakti që Serbia, më 11 mars 1999, përmes organeve të dhunshme i ka shqiptuar dënimin me 300 mijë DM ,ndonëse valuta DM nuk ishte valutë nacionale e Serbisë, prandaj në atë valutë as që ka mundur gjykata të shqiptojë dënim. Veç saj, vetë fakti se më 18 mars 1999, policia e ka ndaluar botimin (ku mundet policia ta ndalojë botimin e gazetës,në qoftë se për këtë nuk ka pasur vendim gjyqësor?!), dhe e ka konfiskuar gazetën në të gjitha pikat e shitjes. Por, forcat serbe nuk u ndalën me kaq, ngase që ditën e parë të bombardimeve, më 24 mars 1999, forcat serbe ia kanë vënë flakën dhe kanë djegur objektet dhe pajimet, duke shkaktuar dëm material momental me miliona euro, dhe dëm të vazhdueshëm në vlerë të pacaktuar, për shkak të pamundësisë për të botuar gazetën e për të shtypur libra. Këto fakte flasin vetvetiu për rolin e gazetës "Kosova Sot" në atë kohë e ato rrethana. Ndërsa në periudhën e pasluftës roli i gazetës " Kosova Sot" mbeti po i njëjti, sikurse që ishte gjatë luftës, sepse ajo e ruajti pozitën e saj duke qenë në kontinuitet gazetë lidere e informimit shqip në Kosovë dhe më gjerë, andaj suksese të reja.

Image

Florian Dushi, ish-zëvendësministër i Drejtësisë

Jam lexues i rregullt i gazetës" Kosova Sot" dhe mendoj se për vite me radhë që nga nisma e punës së saj ky medium ka dhënë një kontribut të mirë në informimin e opinionit vendor dhe të huaj me atë se çfarë po ndodh në Kosovë. Prandaj, mendoj se ky medium do të avancojë edhe më shumë duke e ngritur objektivitetin dhe paanshmërinë e saj në informim për çfarë edhe shquhet nga fillimi i punës së saj dhe që i nevojitet lexuesit. Roli i mediumit "Kosova Sot" gjatë luftës ishte shumë i madh, pasi ishte një dritare e informimit. Veç formave të tjera të represionit që asokohe i ka bërë regjimi i Milosheviqit ndaj shqiptarëve dhe presioni që bënte ndaj shqiptarëve autoktonë, ky regjim e pati synim që Kosovën ta lërë edhe në një terr informativ. Sepse, ideja e Milosheviqit ishte se këto gazeta veç informatave të përditshme, si mediumet e asaj kohe e kanë sjellë për opinionin edhe koordinimin e qëndrimit të spektrit politik shqiptar karshi atij represioni. Prandaj, ideja e Milosheviqit ka qenë që të mbetet Kosova një vend në terrin informimi dhe që mos të ketë koordinim eventual në mes të spektrit politik dhe ushtarak të shqiptarëve të Kosovës.

"Kosova Sot" është në shërbim të popullit

Image

Jeton Kelmendi, analist politik

Mendoj se" Kosova Sot", kur filloi të botohej, ishte një gazetë me një zë pak më ndryshe, do të thosha se ishte zëdhënëse e popullit, ashtu do ta quaja unë, për faktin se kishim edhe një gazetë, e cila quhej "Bujku", por që megjithatë në të ishte e kontrolluar gjithçka nga ai sistemi kryesisht njëpartiak, që edhe pse ishte plural, megjithatë ishte një parti dominuese sikur që ishte LDK-ja, dhe opinioni ishte i kontrolluar nga partia më e madhe asokohe, LDK-ja. Mirëpo, gazeta "Kosova Sot" doli me një vizion dhe mision të qartë dhe natyrisht që do t'i prishte punë që në fillim armikut, okupatorit serb, kështu që edhe armiku serb nuk vonoi shumë dhe e ndërmori atë hap kundër kësaj gazete. Unë mendoj që ai sulm kundër gazetës e ka dëmtuar financiarisht gazetën- respektivisht kompaninë, por realisht vetëm sa ia ka rritur akoma më shumë besimin dhe reputacionin, sepse është parë që është një medie në shërbim të popullit dhe të kombit, prandaj armiku, pushtuesi e ka pasur halë në sy, e ka ndëshkuar, e ka djegur dhe është sjellë kundër saj në mënyrën më të ultë të mundshme. Tani, në periudhën e pasluftës, të gjitha mediet e shkruara po ballafaqohen me një sistem të ri të epokës së digjitalizimit të medies si tërësi, por megjithatë gazeta "Kosova Sot" vazhdon ta ketë akoma një reputacion të madh në krahasim me mediet e tjera. Sido që të jetë, unë e përshëndes, sepse është përsëri me atë vizionin në shërbim të qytetarëve dhe pa ndërprerë vazhdon të kritikojë njerëzit huliganë, të cilët janë në pushtet, pavarësisht se cili pushtet vjen në funksion, por vazhdon t'i kritikojë njerëzit e pushtetit që po zhvatin dhe po e keqpërdorin paranë publike. Dhe, këtu unë mendoj ky është misioni i shenjtë i gazetarisë së pavarur e profesionale, të cilin duhet ta ketë për model secili medium dhe jo vetëm "Kosova Sot".

Azem Osmani, publicist, analist politik

Gazeta "Kosova Sot" si një medium i pavarur, më datën 24 mars të këtij viti po shënon një përvjetor. Kësaj radhe, jo përvjetor të rritës dhe sukseseve të saj, por një përvjetor të rikthimit të kujtesës së shkatërrimit dhe djegies së shtypshkronjës së saj nga regjimi kriminel serb. Ky akt i turpshëm, jocivilizues dhe kriminel u bë më datën 24 mars të vitit 1999, si një hakmarrje kundër bombardimeve të NATO-s, por edhe për faktin se roli dhe ndikimi i gazetës "Kosova Sot" ishte një goditje shumë e madhe kundër regjimit kriminal serb të Milosheviqit. Disa ditë më parë, saktësisht më 11 mars 1999 gazeta "Kosova Sot" u dënua pa seancë gjyqësore nga ish-ministri Aleksandër Vuçiq, për t'u ndaluar pastaj botimi i saj më 18 mars 1999. Gazeta "Kosova Sot" pas luftës ka vazhduar veprimtarinë e saj në funksion të informimit të opinionit të gjerë shqiptarë, këtu në Kosovë, por edhe në trojet e tjera etnike shqiptare. Pavarësisht gjendjes së rëndë në Kosovë që nga pas lufta e këtej, gazeta ka rrugëtuar nëpër shtigje jo fort të lehta për ta thënë të vërtetën, duke e goditur në bërthamë krimin e organizuar dhe korrupsionin. Me një fjalë, nuk ka heshtur, por ka demaskuar çdo rast që bie ndesh me ligjin dhe normat e shoqërisë. Në këto kohëra të vështira, nuk ka qenë dhe nuk është lehtë për të mbijetuar një medium i pavarur, si në aspektin financiar, po ashtu edhe në sigurinë fizike të stafit, duke e ditur se kur godet botën kriminale, pjesëtarët e saj me çdo kusht mëtojnë të hakmerren, për t'i lënë në qetësi të pasurimit të paligjshëm dhe të akomodimit në karriget e pushtetit. Gjatë një hulumtimi që pata bërë para disa vjetësh për fushën e medieve, të dhënat empirike e nxorën gazetën "Kosova Sot" si mediumin më të pavarur ndër gazetat e tjera të asaj kohe. "Kosova Sot" nuk ka mbetur vetëm në kështjellën e mediumit tradicional të shtypit, por ka arritur paralelisht të funksionojë edhe përmes mediumit të ri të internetit, respektivisht portalit: "Kosovasot.info". Stafi i këtij mediumi kryen një punë profesionale, të guximshme dhe me integritet të plotë. Kjo zaten ka bërë që "Kosova Sot" të jetojë gjatë. Uroj që kjo gazetë t'u mbijetojë edhe kërcënimeve të fundit që po i shigjetohen nga bota e nëntokës. Pastë fatbardhësi e jetëgjatësi!Sukseset i pastë kapitull gjatë gjithë ekzistencës së saj!

Bajram Kastrati, libërshitës

Gazeta "Kosova Sot" filloi të dalë dhe ta informojë opinionin publik në një situatë tepër delikate dhe të rrezikshme nëpër të cilën po kalonte fati i këtij populli dhe gjithë Kosovës, prandaj në atë kohë të pakohë, në mes të përpjekjes së regjimit kriminal serb për zhbërjen e çdo elementi që frymon dhe identifikohet me identitetin shqiptar dhe rezistencës për liri, ishte informimi i drejtë i kësaj gazete që e pengonte me të madhe armikun në realizimin e atij qëllimi. Pra, ai regjim kriminal nuk kurseu asnjë mjet që kishte në dispozicion, për ta luftuar dhe për të ndjekur deri në zhdukje, shkatërrim këtë medium të shkruar në atë kohë, gazetën "Kosova Sot", sepse kjo luftonte e për ta prezantuar të vërtetën që po zhvillohej në të luftë të pabarabartë, në mënyrën më të sinqertë. Gazeta "Kosova Sot" po e vazhdon me seriozitetin më të madh informimin e drejtë të opinionit publik edhe me zhvillimet e fundit, duke emërtuar dhe duke denoncuar të gjitha dukurit dhe fenomenet në keqqeverisjen e vendit, sepse me këtë keqqeverisje të shtetit po shkelen dhe po përdhosen edhe vlerat e çmuara të luftës. (Vijon)