Zeqa: "Kosova Sot", e ndjekur dhe e sulmuar barbarisht nga pushteti okupues i Serbisë, edhe tani pas 20 vjetësh po ndiqet nga pushtetarët vendorë!

  • 26 March 2019 - 13:19
Zeqa:

Analisti Florim Zeqa u shpreh se aty ku përfundon demokracia, fillon tirania! “Sulmet kërcënuese ndaj gazetës "Kosova Sot" janë sulme ndaj fjalës së lirë, janë sulme ndaj gazetarëve dhe analistëve që trajtojnë problemet dhe shqetësimet e qytetarëve ndaj keq-qeverisjes së vendit dhe abuzimit me pushtetin si në nivelin qendror ashtu edhe lokal.

Mesazhet kërcënuese nga numri një i Republikës ndaj gazetës "Kosova Sot” ose ndalini shkrimet, ose do t’ju shkatërrojmë...”, përveçse shqetësim, është një ogur i zi për të ardhmen e vendit.

"Kosova Sot", e ndjekur dhe e sulmuar barbarisht nga pushteti okupues i Serbisë, edhe tani pas 20 vjetësh po ndiqet nga pushtetarët vendorë!

Kjo paralele flet për analogjinë e veprimeve të dy pushteteve të kundërta në të njëjtën hapësirë gjeografike, ku dallimi qëndron në kohë dhe përmbajtje”, u shpreh ai.

“Sikurse atëherë, edhe tani sulmet po ndodhin për të frikësuar zërat kundërshtues ndaj pushtetit dhe për të fashitur zërat e së vërtetës dhe shpresës së qytetarëve.

"KOSOVA SOT" po kërcënohet nga oligarkët e pushtetit dhe mafiozët e biznesit për shkak se gazeta po ua nxjerr në shesh të gjitha paligjshmëritë dhe të palarat në qeverisjen e vendit, gjegjësisht dukurinë e përhapjes së bizneseve të pista dhe antiligjore që po e rrezikojnë jetën e qytetarëve”, ka vlerësuar Zeqa. “Sikurse qeverisja e mirë që është pune dhe detyrë e politikanëve të përgjegjshëm, edhe gazetaria është obligim qytetar për të pasqyruar realitetin e të gjitha zhvillimeve në vend, filluar nga fusha e politikës, ekonomisë, arsimit, shkencës, sportit, kulturës etj.

Pra, gazetaria, për më tepër se detyrë, është mision për plasimin e së vërtetës ashtu siç është, pa kamuflime, pa ngjyrime partiake dhe ideologjike.

Në kohën kur shumica e mediave (televizione, portale, gazeta) janë futur nën thundrën e pushtetit, gazeta "Kosova Sot" po vazhdon të qëndrojë vertikalisht dhe e palëkundur në misionin e saj në shërbim të qytetarëve edhe përkundër kërcënimeve të pushtetarëve”, vijoi më tej ai.

“Pavarësisht sulmeve, "Kosova Sot" dhe gazetarët e saj mbetën të përkushtuar në misionin e saj për informim të paanshëm dhe objektiv, për arsye se shteti i Kosovës nuk është pronë private e politikanëve, por është e qytetarëve”, ka potencuar analisti Florim Zeqa. Sipas tij, qytetarëve të lodhur e të pashpresë, ushqimi i vetëm shpirtëror u vjen nga informimi real, e vërteta lakuriqe e jo nga gënjeshtrat e politikanëve të inkriminuar.

(Kosova Sot)