Hamiti: Me para të shtetit të mos paguhen libra personalë të Thaçit, por libra që kujtojnë ndërhyrjen shembullore të NATO-s

  • 26 March 2019 - 15:24
Hamiti: Me para të shtetit të mos paguhen libra personalë të Thaçit, por libra që kujtojnë ndërhyrjen shembullore të NATO-s

Profesori kosovar dhe ish-këshilltari i presidentit Ibrahim Rugova, Muhamet Hamiti, ka analizuar një artikull të gazetës mujore franceze ‘Le Monde Diplomatique’, kushtuar 20-vjetorit të bombardimeve të NATO-s mbi Serbinë.

Hamiti thotë se në këtë artikull të titulluar “Mbas njëzet vjetësh, plagët e hapura të Kosovës”, autori i këtij shkrimi Philippe Descamps, nuk ka arritur që të fshehë ndjenjën e tij kundër Kosovës, duke u bashkëndier kështu si viktimë me Serbinë.

Sipas tij, këto shkrime ngjajnë me ato që shkruheshin nga Naom Chomskey kundër NATO-s.

Hamiti i sheh si mjaft shqetësuese këto tendenca për të zhvleftësuar aktin humanitar që ka bërë NATO-ja dhe potencon se për këtë e ka fajin edhe Kosova.

Për ish-këshilltarin e Rugovës është më mirë që të paguhen para për të shkruar libra me përkujtime që tregojnë për rezistencën e madhe të popullit të Kosovës dhe luftën e madhe për liri e pavarësi.

Gjithashtu, edhe për të rikujtuar edhe ndërhyrjen e NATO-s, që shpëtoi shqiptarët nga shfarosja si pasojë e një politike gjenocidale të Serbisë.

“Fajin për këto tendenca të rrezikshme të revizionimit të intervenimit ndërkombëtar për Kosovën më 1999 e ka edhe Kosova.  Me fuqi të argumentit e me para të shtetit duhet luftuar kjo tendencë. Me para të shtetit nuk duhet të botohen libra personalë për Presidentin e vendit por publikime që kujtojnë trashëgiminë e rezistencës së pashoqe, luftën e popullit të Kosovës për liri e pavarësi në vitet e nëntëdhjeta, por edhe trashëgiminë e ndërhyrjes shembullore ndërkombëtare në mbrojtje të shqiptarëve të Kosovës, që ishin në rrezik të shfarosjes nga politikat gjenocidale të Serbisë në fund të shekullit të kaluar. Këtë trashëgimi që shqiptarët e Kosovës duhet ta mbajnë në zemër përjetë”, ka shkruar Hamiti.

Shkrimi i plotë:

“Le Monde Diplomatique”: Perëndimi intervenoi pasi më 1999 hodhi lajme të rreme për ‘gjenocid’ në Kosovë!

“Le Monde Diplomatique” (Mondi diplomatik), gazetë mujore që botohet nga një nënkompani e gazetës  së njohur franceze “Le Monde), ka botuar në numrin më të ri (mars 2019) një shkrim për Kosovën me rastin e 20-vjetorit të intervenimit të NATO-s kundër Serbisë mbas dështimit të bisedimeve paqësore për Kosovën në Konferencën e Rambujesë (Rambouillet), në Rambuje e Paris.

Shkrimi i anëtarit të redaksisë, Philippe Descamps (Filip Dekâ), me titull “Mbas njëzet vjetësh, plagët e hapura të Kosovës” (Kosovo’s ëounds, tëenty years on), zien nga sentimenti antiamerikan e antikosovar, pa fshehur njëfarë bashkëndjesie me Serbinë, që autorit i del të jetë viktimizuar nga SHBA-ja, NATO-ja por edhe udhëheqës të tjerë perëndimorë të së majtës liberale, socialdemokrate. Pos Presidentit demokrat amerikan Bill Clinton, përmenden edhe kryministrat Tony Blair, Gerhard Schröder, Massimo D’ Alema e Lionel Jospin. Ky i fundit kryeministri i Francës në atë kohë, sepse Presidenti francez Jacques Chirac, që s’përmendet në këtë shkrim, ka qenë konservator i djathtë. (Chirac-u në fjalimet e veta gjatë luftës në Kosovë denonconte ‘barbarinë’ serbe; shënim imi, MH).

Fushata e bombardimeve të NATO-s është kryer pa miratimin e Kombeve të Bashkuara dhe “nën pretekstin se bisedat për paqe në Rambuje kishin dështuar”, shkruan Descamps në artikullin e botuar në edicionet frengjisht dhe anglisht të gazetës “Le Monde Diplomatique”.

Teksa shkruan për parahistorinë e luftës në Kosovë dhe të të tjerave në ish-Jugosllavi pas ardhjes së Millosheviqit në pushtet në Beogard dhe pas heqjes së autonomisë së Kosovës më 1989, Descamps-i thotë se “Millosheviqi pastaj përdori ushtrinë federale jugosllave për të mbrojture pakicat serbe” dhe për të parandaluar pavarësimin e Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjë-Hercegovinës.

Në këtë artikull, autori qan hallin e serbëve, kërkesat e të cilëve ‘nuk dëgjoheshin’ pas rrethimit të Sarajevës dhe “veprimeve” të milicisë serbe të Bosnjës që e udhëhiqte Radovan Karaxhiqi.

Duke u kthyer te thelbi i argumentit të vet kundër intervenimit të NATO-s në mbrojtje të Kosovës, gazeta franceze shkruan: “Me qëllim që të arsyetonin përdorimin e forcës, forcat perëndimore dononcuan kokëfortësinë serbe dhe ekzgjeruan seriozitetin e situatës në terren, duke e quajtur ‘gjenocid’ dhe duke hedhur lajme të rreme (fake neës) që u përhapën nga një vistër mediash”.

Jofleksibil ka qenë Millosheviqi por Perëndimi në lidhje me Marrëveshjen e Rambujesë për Kosovën, konstaton autori i shkrimit. “Perëndimi donte të vendoste trupat e NATO-s. Ajo që s’mund të arrihej me negociata duhej të bëhej me luftë”, thotë më tej autori, që dënon krimet e UÇK-së, “të pandëshkuara” (sic!), por jo të forcave të Millosheviqit në Kosovë.

Toni i këtij shkrimi nga Philippe Descamps paevitueshëm të kujton tonin e shkrimeve kundër NATO-s, amerikanëve dhe Kosovës, nga linguisti amerikan Noam Chomsky (Noam Çomski), një libertarian socialist, simpatizues i anarko-sindikalizmit. Një shkrim i tij për NATO-n si ‘sundimtar të botës’ është në arkivin online të gazetës.

Është vënë re vitet e fundit një prirje për zhvlerësim (më saktë revizionim) të ndërhyrjes ndërkombëtare në Kosovë më 1999, e cila për një kohë të gjatë ishte parë si intervenim shembullor humanitar, mbi parimin e të drejtës për mbrojtje (the right to protect) të popullsive ndaj të cilave kryhen krime në emër të sovranitetit shtetëror të kryerësve të krimeve.

Fajin për këto tendenca të rrezikshme të revizionimit të intervenimit ndërkombëtar për Kosovën më 1999 e ka edhe Kosova.  Me fuqi të argumentit e me para të shtetit duhet luftuar kjo tendencë. Me para të shtetit nuk duhet të botohen libra personalë për Presidentin e vendit por publikime që kujtojnë trashëgiminë e rezistencës së pashoqe, luftën e popullit të Kosovës për liri e pavarësi në vitet e nëntëdhjeta, por edhe trashëgiminë e ndërhyrjes shembullore ndërkombëtare në mbrojtje të shqiptarëve të Kosovës, që ishin në rrezik të shfarosjes nga politikat gjenocidale të Serbisë në fund të shekullit të kaluar. Këtë trashëgimi që shqiptarët e Kosovës duhet ta mbajnë në zemër përjetë.