Komuna e Prishtinës lëshon 27 leje ndërtimi për dy muaj, dikush paguan 152 mijë euro për një të tillë

  • 26 March 2019 - 16:54
Komuna e Prishtinës lëshon 27 leje ndërtimi për dy muaj, dikush paguan 152 mijë euro për një të tillë

Përgjatë dy muajve të parë të këtij viti, Komuna e Prishtinës ka lëshuar 27 leje ndërtimi. Totali i shumës që qytetarët kanë paguar për këto leje është 93 mijë e 699 euro e 65 centë. Por, ka edhe të tillë që komuna i ka liruar nga pagesa

Qytetarët të cilët kanë aplikuar për leje të ndërtimit në drejtorinë e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës, kanë pritur prej dy e deri në dhjetë muaj për të marrë aprovimin për nisjen e punimeve.

Leje të ndërtimit janë lëshuar për 13 objekte individuale, 10 objekte shumëbanesore me afarizëm, 2 objekte bujqësore, 1 objekt afarist si dhe 1 objekt shtetëror ku do të ndërtohet Ministria e Administratës Publike-Departamenti i Standarteve dhe Politikave të Inxhinieringut dhe Menaxhimit të Ndërtesave Qeveritare. Kësaj të fundit, ani pse e liruar nga pagesa,  i është dashur të presë që nga maji i vitit 2018 deri në shkurtin e vitit 2019 për të marrë dritën e gjelbër nga Komuna e Pruishtinës.

Shuma më e lartë për një leje të ndërtimit që është paguar në mesin e 27 lejeve të ndërtimit është 152 mijë e 93 euro e 75 centë, për një objekt shumëbanesor që do të ndërtohet në lagjen “Prishtina e Re” në kryeqytet.

Mirëpo ka edhe persona të cilët Komuna e Prishtinës i ka liruar nga pagesa e tarifave për leje të ndërtimit. Dy objekte individuale, tri objekte bujqësore, dhe objekti i Ministrisë së Administratës Publike nuk do të paguajnë për lejet e ndërtimit të cilat i kanë marrë.

Në një përgjigje për media , Komuna e Prishtinës ka thënë se nga pagesa janë të liruar poseduesit e lejeve të lëshuara për objektet e interesit publik, të ndërtuara nga investimet kapitale të komunës dhe niveli qendror.

Po ashtu, të liruar nga pagesa për leje të ndërtimit janë edhe rastet sociale me investime në bazë të donacioneve, familjet e ngushta të dëshmorëve, invalidët e luftës, veteranët e luftës si dhe disa kategori të tjera.

“Lirohen nga pagesa  poseduesit e lejeve të lëshuara për objektet e interesit publik, të ndërtuara nga investimet kapitale të Komunës dhe niveli qendror, të ndërtimeve për nevojat e zgjidhjes së çështjes së banimit të rasteve sociale me investime në bazë të donacioneve, familjeve të ngushta të dëshmorëve, invalidëve të luftës, veteranet e luftës, ish të burgosurit politik dhe familjet e ngushta te tyre, personat me aftësi te kufizuara, objektet për përfaqësuesit diplomatikë ku investuese janë shtetet e huaja, investimet publiko-private dhe objektet me destinim fetar. Gjithashtu, në bazë të këtij neni paragrafi 14.2  për lirimet nga tarifat dhe taksat , janë prezantuar vërtetime nga institucionet përkatëse”, thonë nga Zyra për Informim në Komunën e Prishtinës

Në përgjigjen e komunës theksohet se gjatë vitit 2019-të janë liruar nga taksat dhe tarifat e poseduesit shtatë leje ndërtimore të lëshuara nga Drejtoria e Urbanizmit.

Ndërkaq krahasuar këtë shifër e cila është vetëm për muajt janar dhe shkurt, me atë të vitit të kaluar është dukshëm më e lartë, pasi që përgjatë 2018-ës janë liruar nga pagesa 14 posedues të lejeve ndërtimore.

“Gjatë vitit 2019-të janë liruar nga taksat dhe tarifat poseduesit e  7(shtatë) lejeve  ndërtimore të lëshuara nga Drejtoria e Urbanizmit, Komuna e Prishtinës. Gjatë vitit 2018-të janë liruar nga taksat dhe tarifat poseduesit e 14(katërmbëdhjetë )lejeve ndërtimore të lëshuara nga Drejtoria e Urbanizmit, Komuna e Prishtinës”, theksohet në përgjigjen e komunës.

Ndërkaq gjatë vitit 2018 Komuna e Prishtinës ka lëshuar 180 leje ndërtimi me mbi 860 mijë metra katrorë.

Leja e ndërtimit dhe procesi që i paraprin lëshimit të një leje të ndërtimit është i rëndësishëm për të siguruar që ndërtesat të ngritën në pajtim me planet hapësinore.

Kosova ka nisur reformat në ndërtim që nga viti 2011, me miratimin e Ligjit të ri për Ndërtim. Ky ligj ishte një hap i rëndësishëm në luftimin e problemit të ndërtimeve pa leje

(Kosova Sot)