Komandanti i ushtrisë algjeriane kërkon largimin e presidentit Bouteflika

  • 26 March 2019 - 16:56
Komandanti i ushtrisë algjeriane kërkon largimin e presidentit Bouteflika

Komandanti i përgjithshëm i ushtrisë algjeriane, Gjeneral Ahmed Gaed Salah, ka kërkuar që presidenti Abdelaziz Bouteflika të shpallet i papërshtatshëm për të qëndruar në pushtet pas protestave të vazhdueshme kundër tij.

“Duhet që menjëherë ta gjejmë një mënyrë brenda kornizës kushtetuese për të dalë nga kjo krizë”, tha Gjenerali Salah gjatë një fjalimi të transmetuar në televizion.

Presidenti Bouteflika tashmë është pajtuar që të mos marrë pjesë në garën për mandatin e pestë. Sidoqoftë, protestuesit po e akuzojnë atë për përpjekje për ta zgjatur pushtetin e tij 20 vjeçar.

Në Algjeri janë planifikuar bisedime për ta përcaktuar të ardhmen politike të shtetit afrikan. Ato do të udhëhiqen nga diplomati veteran i Kombeve të Bashkuara, Lakhdar Brahimi.

Gjatë fjalimit në një kanal televiziv publik, komandanti i ushtrisë dhe zëvendësministri i mbrojtjes tha se kushtetuta është garantuesja e vetme për ruajtjen e stabilitetit të situatës politike.

Ai bëri thirrje që të përdoret Neni 102, i cili ia lejon Këshillit Kushtetues të Algjerisë shpalljen e pozitës së presidentit si pozitë të lirë në rast se udhëheqësi vlerësohet si i papërshtatshëm për ta drejtuar vendin.

“Kjo zgjidhje mundëson konsensus dhe duhet të pranohet nga të gjithë”, tha Gaed Salah, shkruan “BBC”.

(Kosova Sot)