Thaçit i numërohen një nga një të këqijat që i solli Kosovës, ja skenari me ndryshim kufijsh

  • 26 March 2019 - 17:38
Thaçit i numërohen një nga një të këqijat që i solli Kosovës, ja skenari me ndryshim kufijsh

Në një intervistë për median gjermane, ‘Süddeutsche Zeitung’, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se do të bëjë çdo gjë që ta nënshkruaj marrëveshjen me Serbinë në Shtëpinë e Bardhë, marrëveshje kjo e cila sipas Thaçit, do të përfshijë edhe ndryshimin e kufijve.

E sipas analistëve politike, këmbëngulja e Thaçit për marrëveshjen me Serbinë, dëshmon qartë qëllimin e tij që përmes kësaj t’i shpëtojë Gjykatës Speciale.

Faton Abdullahu, analist politik thotë për “Kosova Sot” se në krye me Hashim Thaçin, Kosova do të pësojë dëme në rast se nënshkruhet marrëveshja finale me Serbinë.

“Dialogu është mundësi e mirë për të arritur paqen ndërmjet dy shteteve, por me Presidentin aktual në krye të këtij dialogu me Serbinë kjo mundësi jo vetëm që do të na ik por do të jetë në dëm të vendit tone”, është shprehur Abdullahu.

Sipas, tij propozimi i Thaçit për ndryshim kufijsh, është një propozim antikushtetues.

Image
Faton Abdullahu

“Propozimi i Thaçit për korrigjim të kufirit, që në të vërtetë nënkupton shkëmbim të territorit me Serbinë e diskualifikon automatikisht atë nga dialogu, sepse në thelb propozimi është antikushtetues apo thënë ndryshe e bënë që ai si President në këtë proces të jetë klandestin”, u shpreh ai për “Kosova Sot”.

“Që nga dita kur ka ardhë në shprehje propozimi për korrigjimin e kufirit ky propozim Kosovës i ka shkaktuar dëme të pandalshme. Me këtë propozim i është dhënë justifikim shtesë diplomacisë agresive serbe që t’i parandaloj të gjitha ato vende që do të synonin të na njohin si shtet me arsyetimin se jo duhet të pritni përfundimin e dialogut i cili do të sjell edhe shkëmbim territoresh”, shtoi më tutje Abdullahu.

Sipas tij, kjo Kosovës do i sjell vetëm dëme, sepse nëse veriu i bashkohet Serbisë, atëherë serbët e Kosovës nuk do të jenë pjesë e institucioneve, ata thjeshtë do të punojnë hapur kundër vendit tonë.

“Edhe revokimet që i janë bërë njohjes së Kosovës dhe ato që mund të bëhen, ndikohen drejtpërsëdrejti nga propozimi antikushtetues i Presidentit. Po kështu refuzimi i komunitetit serb dhe agresiviteti i shtuar i Listës serbe e ka burimin tek ky propozim, sepse nëse veriu do t’i bashkohet Serbisë atëherë serbët e Kosovës nuk qajnë kokën që të jenë pjesë e institucioneve tona, në të vërtetë ata punojnë kundër tyre shpluar. Krejt këto efekte negative nuk janë krejt, ka edhe të tjera, sikundër është dekurajimi i investitorëve për të investuar në një vend si Kosova, fati i të cilit ja që sipas propozimit të Thaçit del se ende nuk qenka vendosur”, tha Abudallahu.

“Por edhe përkundër të gjithave Thaçi e sheh veten në një të ardhme të shpejt duke shtrënguar dorën me Vuçiqin në Shtëpinë e Bardhë. Si duket askush nuk e kupton më mirë Thaçin se sa Vuçiqi, ndërkohë që për qytetarët e Kosovës propozimi i tij mbetet ende enigmë, të cilën kemi detyrë të gjithë ta demaskojmë e ta ndalim sa më shpejt”, përfundoi analisti politik, Faton Abdullahu për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)