May dorëzohet para rebelëve të Parlamentit: Votojeni marrëveshjen nëse doni dorëheqjen time

  • 26 March 2019 - 18:36
May dorëzohet para rebelëve të Parlamentit: Votojeni marrëveshjen nëse doni dorëheqjen time

Këshilltarët e qeverisë britanike i kanë pyetur deputetët konservatorë nëse ata do të pranonin që ta votonin marrëveshjen e kryeministres May, me kusht që ajo të dorëhiqet nga posti i kryeministrit.

Boris Johnson, Iain Duncan Smith, Jacob Rees-Mogg dhe “rebelët” e tjerë të partisë konservatore kanë thënë se kanë pasur një bisedë me njërin nga njerëzit kryesorë të qeverisë, dhe deklaruan se janë pyetur se a do të t’i mjaftonte atyre dorëheqja e kryeministres May, në mënyrë që ata ta votonin marrëveshjen e saj për dalje nga BE-ja.

Sipas një burimi të The Guardian, këto biseda private janë bërë në emër të kryeministres May, dhe se duket se kësaj here kryeministrja nuk po mendonte për pasojat që do të ketë ajo vetë personalisht, po më shumë kujdeset që marrëveshja të kalojë.

Gjithsesi kryeministrja publikisht nuk e ka përmendur mundësinë që ajo të jap dorëheqje, që t’i hap rrugë anëtarëve të tjerë për ta udhëhequr vendin dhe partinë.

Qeveria ka tentuar që kështu t’i bëj një ofertë tërheqëse deputetëve të rebeluar të cilët e duan BREXIT-in me çdo kusht, por duket se as këto oferta nuk i kanë bindur ata që ta votojnë marrëveshjen e kryeministres.

Spekulimet ndërkohë janë rritur brenda Qeverisë nëse tashmë Theresa May, e ka përcaktuar emrin se kush do të jetë pasardhësi/ja i/e saj, por ajo që konfirmohet është se shumë anëtarë të partisë tashmë kanë filluar t’i pyesin deputetët nëse ata do të ndryshojnë mendje sa i përket marrëveshjes.

Kryeministrja do të shfaqet në një takim të mërkurën me komitetin partiak, ku më shumë gjasë ajo do të pyetet për të ardhmen e partisë dhe vendit, dhe se cilat janë hapat e mëtejshëm nëse dështon ratifikimi i marrëveshjes.

Afati për dalje të Britanisë është shtyrë nga 29 Marsi për në 22 Prill, dhe sipas deklaratave të kryeministres, këtë javë do të ketë një votim mbi ratifikimin e marrëveshjes për dalje nga BE-ja, raporton The Guardian.

(Kosova Sot)