Nëntoka kriminale dirigjon çdo gjë, prokurorët fshihen

  • 27 March 2019 - 07:48
Nëntoka kriminale dirigjon çdo gjë, prokurorët fshihen

Smaka: Pashmangshëm do të duhej të aplikohej Vetting-u, si dhe riorganizimi i institucioneve gjyqësore e prokuroriale

 “Në vend të sundimit të ligjit, çdo gjë në Kosovë është e lidhur ngushtë me nëntokën e krimit dhe politikës së inkriminuar. Edhe më tutje Kosova vazhdon të vuajë nga mungesa e sundimit të ligjit, gjë që ka bërë që nëntoka kriminale të dirigjojë çdo gjë, ndërsa klientela vjel frytet e krimit, mbush xhirollogaritë e njohura dhe të panjohura. Sikur po duket, ende nuk kemi prokurorë që guxojnë t’i hetojnë politikanët e pushtetarët e kamur dhe gjyqtarë që t’i dënojnë të korruptuarit me pozita të larta shtetërore, e që de fakto e de jure janë të inkriminuarit në krim të organizuar e korrupsion”, thotë analisti Naim Kelmendi për “Kosova Sot”

Kanceri më i madh i korrupsionit dhe krimit të organizuar i metastazuar brendapërbrenda vetë sistemit të drejtësisë të lidhur me mafio-politikën dhe korporatokracinë kriminale po e bren shtetin e Kosovës. Edhe pse prokurorët do të duhej të ishin në krye të hetimeve për rastet e panumërta të krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë, kjo nuk ndodh në Kosovë, të paktën jo deri sot.

Njohësit e fushës së drejtësisë theksojnë se deri kur Prokuroria dhe Policia do të heshtin dhe do të abstenojnë në mënyre të pashembullt, duke lejuar që të mos ketë sundim të ligjit, ndërkaq sundimtarët të vazhdojnë të mbesin mbi ligjin. Analistët alarmojnë se drejtësia kosovare po funksionon përmes sekseromanisë e ndërmjetësimit të trafikantëve. Përmes sekserëve paratë e korrupsionit shpërndahen te gjyqtarët, prokurorët, hetuesit, ekspertët gjyqësorë, avokatët etj. Sipas njohësve të fushës së drejtësisë, askush nuk e di se kur do të ndalet kjo skemë mafioze që e rrënoi përtokë drejtësinë kosovare.

 

Image
Naim Kelmendi

Nëntoka sundon shtetin

Sipas analistit Naim Kelmendi, del se në Kosovë çdo gjë funksionon ashtu siç dëshirojnë dhe urdhërojnë “të fortët” e nëntokës së krimit dhe korrupsionit. “Në vend të sundimit të ligjit, çdo gjë në Kosovë është e lidhur ngushtë me nëntokën e krimit dhe politikës së inkriminuar.

Edhe më tutje Kosova vazhdon të vuajë nga mungesa e sundimit të ligjit, gjë që ka bërë që nëntoka kriminale të dirigjojë çdo gjë, ndërsa klientela vjel frytet e krimit, mbush xhirollogaritë e njohura dhe të panjohura. Sikur po duket, ende nuk kemi prokurorë që guxojnë t’i hetojnë politikanët e pushtetarët e kamur e gjyqtarë që t’i dënojnë të korruptuarit me pozita të larta shtetërore,e që de fakto e de jure janë të inkriminuarit në krim të organizuar e korrupsion”, u shpreh ai.

“Në njëfarë mënyre Kosova është bërë vend pa sundim të ligjit e të drejtës dhe fatkeqësisht mbizotëron mendimi se këtu nuk ka siguri për asgjë. Në këtë vend askush nuk i jep llogari askujt, ndërsa ata që kanë instaluar krimin e korrupsionin dhe dirigjojnë skemat mafio-kriminale, që në fakt qarkullojnë, jo vetëm milionat,por edhe miliardat, nuk lejojnë t’u preket biznesi i tyre i pistë dhe puro kriminal,ngase kështu atakohen edhe interesat e politikes së inkriminuar e lidhur ngushtë këmbë e krye me njerëzit e nëntokës së krimit të organizuar e korrupsionit, e që po qe se nuk ka përgjegjshmëri dhe përgjegjësi nga drejtësia kosovare që të luftohen njëmend, atëherë edhe për sa kohë e dekada nuk do të kemi sundim të ligjit e drejtësisë në këtë vend,mbase aq i domosdoshëm sa edhe vetë buka”, ka potencuar Kelmendi për “Kosova Sot”.


Kelmendi: PAN-i e thelloi degradimin institucional

“Ndjekja e krimit korruptiv, nepotizmit, keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe zhvatjes, përplot krime pa ndjekje penale dhe pa ndalje e as pa marrë masa parandaluese dhe pa filluar ndjekja penale, adekuate, kjo çështje mbetet kështu si është, pa ndryshim.

Prokuroria duhet të bëjë ndjekjen penale, sidoqoftë Policia duhet të jetë efikase, profesionale, por Prokuroria sipas detyrës zyrtare mund t’i fillojë hetimet për rastet e caktuara.

Është i patolerueshëm nepotizmi që është shkaktuar nga PAN-i, dhe kjo është publike, të gjithë e dinë që nga vendorët e deri te ndërkombëtarët, dhe kjo nuk po ndalet e as nuk po fillohet të nisen arrestimet për nepotizëm, e korrupsion, pra mungon vullneti, s’ka interesim dhe përgjegjësi, ka heshtje, që i bie që ky nepotizëm që po ndodhe është i planifikuar dhe bëhet me bekimin e strukturave politike. E keqja me e madhe që i ka ndodhur shtetit është qeverisja PAN”, ka theksuar Naim Kelmendi për “Kosova Sot”.

Image
Riza Smaka

Smaka: VETTING-u, i domosdoshëm

“Në situatën aktuale turbulente në sistemin e drejtësisë influencë të konsideruar kanë ushtruar jo pak pushtetarë të stërpasuruar kundërligjshëm, të cilët më tej në forma perverse diktojnë keqtrajtime spekulative të rasteve prokuroriale e gjyqësore.

Në anën tjetër, forma korruptive të caktuara gjenerohen si pasojë e abuzimeve me para të pista e rrjedhimisht edhe përbrenda vetë sistemit të drejtësisë. Pa evitimin e shkaqeve nuk mund të bisedohet për luftimin e dukurive korruptive në përgjithësi, pra edhe më pak në sistemin e drejtësisë të komanduar në këtë apo atë mënyrë nga ekzekutivi dhe legjislativi. Ndër të tjera, tregohet masë e duhur miratimi i Ligjit për Origjinën e Pasurisë dhe zbatimi konsekuent i atij Ligji.

Po ashtu, pashmangshëm do të duhej të aplikohej vetting-u si dhe riorganizimi i institucioneve gjyqësore e prokuroriale”, ka propozuar profesor Riza Smaka për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)