Partneritetin me ndërkombëtarët po e shembin pushtetarët tanë

  • 27 March 2019 - 08:06
Partneritetin me ndërkombëtarët po e shembin pushtetarët tanë

 Shkodra: Ndërkombëtarët nuk janë të interesuar për bashkëpunim me të njëjtat figura në Kosovë që e degraduan shtetin 


“Politikanët po izolohen edhe pse ata janë mësuar të shëtisin jashtë vendit edhe për gjëra koti, por më nuk i thërret askush. Bashkësia ndërkombëtare nuk po i bën hesap më këta pushtetarë dhe nuk janë të interesuar fare të merren me ta, sepse po identifikohen si njerëz të inkriminuar. Në këtë mënyrë dëmtohen interesat e shtetit“, theksoi analisti Ragip Guraziu për gazetën “Kosova Sot”

 
Politikanët e Kosovës, të cilët janë mësuar të shëtisin jashtë vendit edhe për gjëra koti po duket se janë të izoluar nga ndërkombëtarët dhe më nuk i fton askush? Sipas analistëve të politikës, as bashkësia ndërkombëtare nuk po i bën hesap më këta pushtetarë dhe nuk janë të interesuar fare të merren me ta, sepse po identifikohen si njerëz të inkriminuar. 


Analisti Shefik Shkodra është shprehur për gazetën “Kosova Sot” se politika e brendshme është refleks i asaj të jashtme. “Sidomos ne në Kosovë që jemi të survejuar prej vendeve të ndryshme. Ata i dinë të gjitha sjelljet e politikanëve në këtë vend më mirë se vetë populli.

Pra, këshilla e sugjestione ka pasur mjaft prej atyre të jashtëm. Problemi i vizave, p.sh., nuk janë qytetarët, por udhëheqësit. Këta nuk kanë bërë ndryshimin e kursit të tyre. Kështu, edhe ata janë ngopur me veprimtarinë e njësojtë të politikës kosovare. Si duket edhe për këtë arsye nuk janë të interesuar në bashkëpunim me të njëjtat figura në të njëjtin rreth”, është shprehur analisti Shefik Shkodra për gazetën “Kosova Sot”.

Image
Ali Hertica

 Rrënimi i partneritetit

Analisti Ali Hertica theksoi për gazetën se në shtetin demokratik ka mungesë të sundimit të ligjit dhe krimit të organizuar e korrupsionit që kanë kontribuar në masë të madhe te izolimi që edhe kjo qeveri, si të gjitha qeveritë e deritanishme, po tregohet e pafuqishme për ta ndalur krimin e organizuar nga klanet që edhet sot po e degradojnë shtetin e Kosovës.

“Tani shëtitjet e kota duke bredhur nëpër Perëndim dhe më larg, duke keqpërdorur taksën e qytetarit, pa asnjë rezultat pozitiv për proceset politike për të integruar Kosovën në instancat më të larta evropiane dhe botërore, tani të gjithë liderët e këtyre institucioneve filluan të rrënojnë partneritetin dhe miqësinë me aleatët tanë, si SHBA-të dhe BE-në. Duket se bashkësia ndërkombëtare ka parë joseriozitetin e pushtetarëve dhe fare nuk kanë interes për marrëdhënie bilaterale”, është shprehur Hertica për gazetën “Kosova Sot”. Sipas tij, partneriteti dhe miqësia e ndërtuar dekada po shemben.“Ky rrënim i partneritetit është pasojë e interesave të tyre të ngushta personale e që ndërlidhen me rolin e Gjykatës Speciale. Arroganca e liderëve politikë të Kosovës përballë ambasadorëve të vendeve mike të Kosovës thellon edhe më shumë izolimin e Kosovës nga bashkësia ndërkombëtare”, theksoi analisti Ali Hertica për gazetën “Kosova Sot”. 

Image
Ragip Guraziu

Guraziu: Bashkësia ndërkombëtare nuk po i bën hesap më këta pushtetarë


Analisti Ragip Guraziu theksoi për gazetën “Kosova Sot” nuk na e ndau truallin pushtimi shekullor osman e serb, po na ndan papërgjegjësia e pushtetarëve tanë. “Këta liderë të Kosovës nganjëherë duket se nuk e dinë as abc-në e marrëdhënieve ndërkombëtare, duke menduar gabimisht se përgjegjësitë dhe obligimet i takojnë vetëm palës tjetër. Me trajtimin e çështjes së demarkacionit, veçanërisht me tentim-shfuqizimin klandestin të Gjykatës Speciale – pavarësisht a janë të drejta ose jo ato – klasa politike kosovare ka treguar se është e gatshme ta dëmtojë shtetin në mënyrë të pariparueshme.

Politikanët po izolohen edhe pse ata janë mësuar të shëtisin jashtë vendit edhe për gjëra koti, por më nuk i thërret askush. Bashkësia ndërkombëtare nuk po i bën hesap më këta pushtetarë dhe nuk janë të interesuar fare të merren me ta, sepse po identifikohen si njerëz të inkriminuar. Në këtë mënyrë dëmtohen interesat e shtetit.“Këto ditë në mediet tona është folur dhe shkruar, madje janë emetuar edhe kronika filmike, për një dukuri të theksuar ikjeje njerëzish, kryesisht të rinj, nga Kosova. Dhe kjo detyrimisht të çon te konstatimi se nuk shihet gjëkundi perspektivë për ta në Kosovë, ndaj edhe vendimi i rëndë dhe i dhimbshëm i tyre për t’ia kthyer shpinën me lot e dhimbje Kosovës. Së këndejmi, më tepër se shqetësues për çdo njeri në Kosovë, por në esencë ky lajm duhet të jetë më shqetësues për qeveritarët tanë, të cilët, me sa duket, vazhdojnë të mos e prishin “rehatinë” e tyre.

Pos qeveritarëve dhe “komoditetit” të tyre të pushtetshëm duhet të ketë një shqetësim elementar qytetar, sepse një fat i tillë mund të na përcjellë një ditë secilin nga ne. Kjo që po ndodh, 20 vjet pas lirisë së Kosovës, është më shumë se e dhimbshme”, theksoi analisti Ragip Guraziu për gazetën “Kosova Sot”.

Image
Arsim Haziri

Haziri: Dera evropiane po ngushtohet për pushtetarët tanë

“Besimi tek politikanët, veçanërisht te të pushtetshmit, është në rënie. Kjo vjen si rezultat i degradimit që ia kanë bërë vendit po ashtu edhe përshtypjes së keqe që e gëzojnë në opinionin tonë. Realisht, një politikan arrin të gëzojë reputacion ndërkombëtar nëse kontributi dhe angazhimi i tij janë orientuar rreth krijimit të politikave, të cilat për bazë kanë mirëqenien e drejtë dhe të padiskriminuar qytetare.

Aktualisht një vlerësim pozitiv dhe i qasshëm ndër figurat ndërkombëtare nuk ekziston, përshtypja e tyre ndaj udhëheqësve kosovarë është e dobët dhe e pakënaqur. Mbi këtë kontekste konsideroj se edhe dera evropiane gjithnjë e më shumë po ngushtohet, mbase politika evropiane implementohet mbi parime e rregulla demokratike, çka realisht bien ndesh me ato çfarë aplikohen nga liderët tonë. Unë gjykoj se strukturat e larta perëndimore, do të duhej t'i izolonin disa nga liderët, pasi nga qasjet që ndjekim nuk e meritojnë të kenë vlerësim”, thotë për gazetën “Kosova Sot” analisti Arsim Haziri.

(Kosova Sot)