Kelmendi: Nëntoka sundon shtetin

  • 27 March 2019 - 12:48
Kelmendi: Nëntoka sundon shtetin

Sipas analistit Naim Kelmendi, del se në Kosovë çdo gjë funksionon ashtu siç dëshirojnë dhe urdhërojnë “të fortët” e nëntokës së krimit dhe korrupsionit. “Në vend të sundimit të ligjit, çdo gjë në Kosovë është e lidhur ngushtë me nëntokën e krimit dhe politikës së inkriminuar.

Edhe më tutje Kosova vazhdon të vuajë nga mungesa e sundimit të ligjit, gjë që ka bërë që nëntoka kriminale të dirigjojë çdo gjë, ndërsa klientela vjel frytet e krimit, mbush xhirollogaritë e njohura dhe të panjohura. Sikur po duket, ende nuk kemi prokurorë që guxojnë t’i hetojnë politikanët e pushtetarët e kamur e gjyqtarë që t’i dënojnë të korruptuarit me pozita të larta shtetërore,e që de fakto e de jure janë të inkriminuarit në krim të organizuar e korrupsion”, u shpreh ai.

“Në njëfarë mënyre Kosova është bërë vend pa sundim të ligjit e të drejtës dhe fatkeqësisht mbizotëron mendimi se këtu nuk ka siguri për asgjë.

Në këtë vend askush nuk i jep llogari askujt, ndërsa ata që kanë instaluar krimin e korrupsionin dhe dirigjojnë skemat mafio-kriminale, që në fakt qarkullojnë, jo vetëm milionat,por edhe miliardat, nuk lejojnë t’u preket biznesi i tyre i pistë dhe puro kriminal,ngase kështu atakohen edhe interesat e politikes së inkriminuar e lidhur ngushtë këmbë e krye me njerëzit e nëntokës së krimit të organizuar e korrupsionit, e që po qe se nuk ka përgjegjshmëri dhe përgjegjësi nga drejtësia kosovare që të luftohen njëmend, atëherë edhe për sa kohë e dekada nuk do të kemi sundim të ligjit e drejtësisë në këtë vend,mbase aq i domosdoshëm sa edhe vetë buka”, ka potencuar Kelmendi për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)