Vrasja e Jurgen Kurtit, 22- vjeçari Olsi Qalliaj tregoi emrin e Klodian Banes, takimi 4 ditë para ngjarjes

  • 27 March 2019 - 13:33
Vrasja e Jurgen Kurtit, 22- vjeçari Olsi Qalliaj tregoi emrin e Klodian Banes, takimi 4 ditë para ngjarjes

Klodian Bane dyshohet të jetë personi që ka ekzekutuar me armë 26-vjeçarin Jurgen Kurti më 18 mars në Tiranë.

Tre persona të tjerë, bashkëpunëtorë në krim, u arrestuan dje nga policia e Tiranës, ndërsa killeri është ende në arrati.

Emri i Klodian Banes, është përmendur për herë të parë në dëshminë e një prej personave të arrestuar. Asnjë prej tyre nuk ka pranuar përfshirjen në ekzekutimin e Jurgen Kurtit, biznesmen, dhe menaxher i VIP-ave, por janë hetimet e Policisë të cilat deri më tani i akuzojnë ata si persona që kanë ndihmuar ekzekutorin në realizimin e krimit.

Ata dyshohet ta kenë ndihmuar me makinë, me gjetjen e armës, dhe me ndjekjen e Jurgen Kurtit prej dy javësh për të mësuar lëvizjet e tij. Klodian Bane thanë burime për Shqiptarja.com – dyshohet të jetë personi që e qëlloi për vdekje 26-vjeçarin Jurgen Kurti poshtë pallatit të tij në rrugën “Zef Jubani” në zonën e ish-bllokut teksa po shkonte në banesën ku jetonte me nënën e tij.

Është 22-vjeçari Olsi Qalliaj, lindur në Fier dhe banues në Patos, personi që ka përmendur për herë të parë emrin e Klodian Banes, dhe që e ka orientuar policinë drejt dyshimeve të forta se është ai personi që ekzekutoi Jurgen Kurtin.

Në dëshminë e tij, Qalliaj tregon se njihet edhe me dy të arrestuarit e tjerë. Me Elsi Leventin, lindur në Greqi dhe banues në Tiranë, Qalliu thotë se ka marrëdhënie shumë të mirë shoqërore, pasi kanë bërë bashkë shkollën e mesme, por janë njohur edhe më parë, më të vegjël në Patos.

Përmes Elsi Leventit ka njohur edhe Alesio Berberin, 33-vjeçarin nga Patosi, me të cilin shpesh konsumonin edhe kafe. Të tre u arrestuan dje nga Policia e Tiranës me dyshimet e forta se janë bashkëpunëtorë në vrasjen e Jurgen Kurtit.

Burime nga grupi hetimor thanë se mund të kemi të bëjmë me vrasës me pagesë, ndërkohë që porositësi ende nuk është zbuluar. Dyshimet janë që të rinjtë të jenë paguar 30 mijë euro për të bashkëpunuar në eleminimin e 26-vjeçarit.

Olsi Qalliaj 22 vjeç lindur në Fier dhe banues në Patos, në dëshminë e tij ka treguar se si është njohur me Klodian Banen. Thotë se e njeh prej rreth një viti përmes miqve të tij Alesio dhe Elsi. Në dëshmi ai thekson se nuk ka ndonjë marrëdhënie të afërt me të, por kjo bie ndesh me faktin që vetëm 4 ditë para ekzekutimit të Jurgen Kurtit, Qalliaj e ka takuar Klodian Banen dhe i ka marrë çelësin për të fjetur në apartamentin e tij. Një fakt që tregon se lidhja e tyre ka qenë shumë më e ngushtë seç ai shprehet.

“Klodianin e kam njohur para rreth një viti në një lokal në Fier, nëpërmjet Alesios dhe Elsi Leventit. Nuk kam pasur ndonjë marrëdhënie të afërt me të. Ndërsa Levendin e kam njohur që në shkollë të mesme dhe më përpara në Patos. Me Elsin kam marrëdhënie shoqërore. Unë Klodin për herë të fundit e kam takuar ditën e enjte, javën e kaluar në afërsi të Komunës së Parisit, ku i kam marrë çelësat e apartamentit që ai kishte në zonën e liqenit të Thatë në Tiranë, pasi doja të qëndroja tek kjo shtëpi pasi nuk kisha ku të flija.

Unë atë ditë kam shkuar në apartament rreth orës 22:30 dhe aty nuk kam gjetur ndonjë person në shtëpi. Para ditës së enjte nuk e mbaj mend saktësisht se kur e kam takuar Klodianin”, mëson Shqiptarja.com, dëshminë që Olsi Qalliaj ka dhënë në polici.

Por një tjetër detaj i fortë në dëshminë e tij është edhe pjesa kur flitet për një makinë që Olsi Qalliaj ka shitur. Kam parë që të njëjtën makinë të cilën unë e përdorja deri para katër muajsh, ta përdorte Klodian Bane.

“Edhe para pesë ditësh e kam parë këtë automjet ta përdorë përsëri Klodi në Fier. e kaa përdorur Klodi në Tiranë”, mësohet të jetë shprehur 22-vjeçari nga Fieri.

Edhe pse vetëm 22 vjeç, Olsi Qalliaj nga Fieri bënte një jetë mjaft luksoze, të cilën e ekspozonte edhe në rrjetet sociale. Makina super të shtrenjta dhe luksoze dhe udhëtime me skaf.

(Kosova Sot)