Plagjiatura në UP, mbahet seanca e parë për rivendosje për rastin ‘Admovere’- Bektashi

  • 27 March 2019 - 13:48
Plagjiatura në UP, mbahet seanca e parë për rivendosje për rastin ‘Admovere’- Bektashi

Gjykata Themelore e Prishtinës dje ka mbajtur seancën për rivendosje, pasi Gjykata e Apleit e kishte hedhur poshtë vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës të datës 8 nëntor që kishte detyruar Organizatën Joqeveritare “Admovere”, të largonte një pjesë të hulumtimit “Stafi Akademik i UP-së”, ku flitej për rastet e plagjiaturave në UP, e në të cilën ishte listuar edhe profesori i Fakultetit Juridik, Mejdi Bektashi.

Kundër këtij vendimi të Themelorës, ‘Admovere’, kishte parashtruar ankesë, e cila është cilësuar si e bazuar nga Apeli, duke bërë që rastin ta kthej në rivendosje.

Sipas “Admovere”, kjo tregon se Gjykatat në Kosovë janë të gatshme për të mbrojtur lirinë e shprehjes në shoqërinë kosovare.

Njoftimi i plotë:

Më 21 shtator 2018, ADMOVERE publikoi raportin «STAFI AKADEMIK I UP-SË – studimet, angazhimet tjera, plagjiaturat, vlerësimet dhe përpjesa staf-studentë». Një prej qëllimeve të këtij raporti ishte edhe radhitja e të gjitha rasteve të plagjiaturave të pjesëtarëve të stafit akademik të UP-së, për të cilat është raportuar në media përgjatë viteve, që nga vetë themelimi i UP-së.

Pas publikimit të raportit tonë, më 1 tetor 2018, profesori i Fakulteti i Juridik, z. Mejdi Bektashi, na paditi për shpifje, kurse Gjykata Themelore në Prishtinë më 8 nëntor 2018, aprovoi masën e sigurisë, të kërkuar nga paditësi, me të cilën u detyruam ta tërheqim pjesën e raportit që flet për të, si dhe të mos bëjmë deklarata në lidhje me personalitetin e tij, deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga gjykata.

Ne si ADMOVERE zbatuam vendimin e gjykatës, pavarësisht se e konsideronim atë kufizim të padrejtë të lirisë së shprehjes, dhe e hoqëm nga qarkullimi pjesën e raportit për z. Bektashi. Sidoqoftë, më 16 nëntor 2018, parashtruam ankesë ndaj Aktvendimit C.nr.2884/18 të Gjykatës Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së sigurisë dhe kërkuam nga Gjykata e Apelit që ta anulojë aktvendimin për shkak se gjatë nxjerrjes së tij gjykata: 1) ka bërë shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore, 2) ka konstatuar gabimisht gjendjen faktike dhe 3) ka zbatuar gabimisht të drejtën materiale.

Gjykata e Apelit më datë 28 shkurt 2019 mori Aktvendimin Ac.nr.5022/18 për prishjen e Aktvendimit të Gjykatës Themelore për caktimin e masës së sigurisë, të datës 8 nëntor 2018, dhe e ktheu çështjen në rivendsoje te Gjykata Themelore. Gjykata e Apelit gjeti se ankesa jonë është e bazuar dhe konstatoi se Aktvendimi për caktimin e masës së sigurisë ka shkelje esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore, se është bërë zbatim i gabuar i të drejtës materiale dhe se nuk është vërtetuar drejt dhe në masë të plotë gjendja faktike.

Dje, më date 26 mars 2019, u mbajt seanca për rivendosjen në lidhje me kërkesën e z. Bektashi për caktimin e masës së sigurisë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndërkaq seanca e radhës do të mbahet me 24 prill 2019 në orën 13:30. Vendimin e Gjykatës së Apelit ADMOVERE e sheh si dëshmi se gjykatat në Kosovë janë të gatshme të angazhohen për mbrojtjen e lirisë së shprehjes në shoqërinë tonë.

(Kosova Sot)