Paralajmërimi i rëndë për Kosovën: Pavarësia në rrezik, Thaçi dëshiron t’i falë tokë Serbisë para se...

  • 27 March 2019 - 14:51
Paralajmërimi i rëndë për Kosovën: Pavarësia në rrezik, Thaçi dëshiron t’i falë tokë Serbisë para se...

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi edhe njëherë ka paralajmëruar se nuk do të kursejë asgjë që të nënshkruajë marrëveshjen me Serbinë në Shtëpinë e Bardhë.

"Do të bëj çmos për të nënshkruar marrëveshjen me Serbinë në Shtëpinë e Bardhë", ka deklaruar Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një intervistë për gazetën gjermane ‘Süddeutsche Zeitung’, duke shtuar se BE-ja nuk ka qenë kurrë në gjendje t’i rregullojë gjërat vet dhe sot është edhe më pak e aftë për një gjë të tillë.

Nëse Thaçi nënshkruan marrëveshje Serbinë për dhënie të territorit, atëherë me automatizëm zhvlerësohet edhe pavarësia e Kosovës.

Adem Salihaj

Por, lidhur me këtë, ish deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Adem Salihaj për gazetën “Kosova Sot” ka thënë se çfarëdo marrëveshje që nënshkruan Thaçi, do të jetë në dëm të Kosovës.

“Çfarëdo marrëveshje që nënshkruan Thaçi me Serbinë, kudo qoftë, madje edhe në Shtëpinë e Bardhë, do ta dëmtojë Kosovën tepër shumë. Fuqitë e mëdha kanë interesat e tyre globale dhe nuk do të thotë domosdo që të jenë në përputhje me interesat tona. Ne duhet të punojmë ngushtë me aleatët tanë, jo që t'i realizojmë interesat e tyre globale, por që ta mbrojmë disi atë që na ka mbetur”, ka thënë Salihaj për “Kosova Sot”.

Image
Adem Salihaj

Sipas tij, Kosova është në rrezik të shkatërrimit përderisa Thaçi vazhdon të jetë president.

“Derisa Hashim Thaçi është president i Kosovës dhe po negocion me Serbinë, ekziston rrezik i përhershëm që ai ta shkatërrojë shtetin e Kosovës, duke rrezikuar edhe territorin, edhe pavarësinë e Kosovës. Nëse Thaçi nënshkruan marrëveshje Serbinë për dhënie të territorit, atëherë me automatizëm zhvlerësohet edhe pavarësia e Kosovës. Pra, Thaçi po negocion me Serbinë për (ri)definimin e statusit të Kosovës , duke e pranuar qëndrimin e Serbisë se statusi i Kosovës është i pazgjidhur”, ka deklaruar ish deputeti Salihaj.

“Thaçi po ngutet tepër, që sa më parë t'i falë tokë shqiptare Serbisë, para se të ngritet aktakuza ndaj tij nga prokuroria e Gjykatës Speciale. Kosova edhe deri më tash e ka paguar shumë shtrenjtë të kaluarën kriminale të Thaçit, por tash rreziku është shumëfish më i madh. Habitë tejmase indiferenca e partive politike lidhur me veprimet e rrezikshme të Thaçit”, ka përfunduar për gazetën “Kosova Sot”, ish deputeti i Kuvendit të Kosovës, Adem Salihaj.

(Kosova Sot)