Shtohen thirrjet për largimin e presidentit algjerian

  • 27 March 2019 - 15:38
Shtohen thirrjet për largimin e presidentit algjerian

Një nga partitë që është pjesë e koalicionit qeverisës në Algjeri i ka bërë thirrje presidentit të vendit, Abdelaziz Bouteflika, të japë dorëheqje, duke e shtuar edhe më shumë presionin ndaj tij pas kërkesës së komandantit të ushtrisë për ta shpallur atë person të papërshtatshëm për ta udhëhequr vendin.

Në një deklaratë të nënshkruar nga kryetari i saj, i cili deri para pak ditësh ishte kryeministër, partia RND thotë se rekomandon që presidenti të japë dorëheqje me qëllim të lehtësimit të periudhës së tranzicionit.

Komandanti i ushtrisë, Gjeneral Ahmed Gaud Salah, deklaroi të martën përmes një fjalimi televiziv se ka ardhur koha që të zhvillohet një proces kushtetues për ta larguar presidentin. Protestat popullore, në të cilat po kërkohet largimi i Bouteflikas, janë duke u mbajtur në Algjeri për një muaj me radhë.

“Është e nevojshme që ta përshtatim një zgjidhje për të dalë nga kjo krizë. Kjo zgjidhje duhet t’iu përgjigjet kërkesave të popullit algjerian dhe duhet të jetë në pajtueshmëri me kushtetutën dhe sovranitetin e shtetit”, tha Salah.

Neni 102 i kushtetutës së Algjerisë ia jep mundësinë këshillit kushtetues që ta shpallë të lirë pozitën e presidentit në rast se ai është shumë i sëmurë për ta ushtruar këtë funksion dhe pastaj të kërkojë nga kuvendi që ta shpallë atë të papërshtatshëm për të qëndruar në pushtet. Nëse zhvillimet shkojnë deri në këtë fazë, kryetari i kuvendit e ushtron detyrën e presidentit për 45 ditë, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot)