Policia austriake arreston të dyshuarin për sulm të planifikuar në Gjermani

  • 27 March 2019 - 15:55
Policia austriake arreston të dyshuarin për sulm të planifikuar në Gjermani

Forcat speciale të Austrisë e kanë arrestuar një person që dyshohet se është pjesë e ISIS-it dhe i cili besohet se kishte planifikuar t’i nxjerrë trenat nga binarët në Gjermani.

Personi i arrestuar është një mashkull 42-vjeçar me prejardhje nga Iraku. Dyshohet se ai ka vendosur dy herë pengesa në binarët e trenit gjatë vitit të kaluar.

Prokurorët kanë thënë se afër binarëve të trenit janë gjetur flamuj të ISIS-it dhe shkrime në gjuhën arabe.

Hetuesit austriakë dhe gjermanë janë duke e marrë në pyetje të dyshuarin në Vjenë.

Një gazetë lokale ka raportuar se personi i arrestuar është baba i pesë fëmijëve dhe ka shërbyer 15 vjet në ushtrinë irakiane. Për më tepër, ai ishte duke jetuar në Austri si refugjat dhe punonte për një kompani të sigurimit.

Prokurorët thonë se ky person dhe disa të tjerë e kanë vendosur një kabllo metalike mbi binarë në pjesën e hekurudhës mes Mynhenit dhe Nurembergut, e cila e dëmtoi xhamin e përparmë të trenit.

Dy muaj pas kësaj ngjarjeje, në binarët e trenit ishin vendosur copa betoni, ndonëse askush nuk u lëndua. Prokurorët besojnë se qëllimi ishte që trenat të nxirren nga binarët.

Arrestimi i këtij personi erdhi vetëm disa ditë pasi policia gjermane arrestoi dhjetë persona të dyshuar për planifikim të sulmit terrorist, shkruan “BBC”.

(Kosova Sot)