Sipërmarrësi me një tentim të tretë e transformoi kompaninë me vlerë 2 miliardë dollarësh

  • 27 March 2019 - 15:53
Sipërmarrësi me një tentim të tretë e transformoi kompaninë me vlerë 2 miliardë dollarësh

Në pranverën e vitit 2015, Jason Gardner, themeluesi i "Marqeta"-s, një procesori të pagesave, u largua nga një takim i zymtë i bordit, për të dalë në shëtitje me investitorin e tij kryesor, Arnon Dinur nga "83North". Duke ecur udhëve të Emeryvillit, Kaliforni, një qytet të vogël midis Berklit dhe Oklendit, Gardner i tha Dinurit se "Marqeta" nuk do të zgjaste shumë, me paratë që i kishte. Ai kishte nevojë të blinte kohë. Kompania u zhvendos në një buxhet javor dhe Gardner vullnetarisht zvogëloi rrogën e tij për 40%. "Nëntëdhjetë nga njëqind sipërmarrës do të kërkonin më shumë para", thotë Dinur. "Doja që ta dëshmoja përkushtimin tim jo vetëm ndaj bordit, por edhe ndaj kompanisë, se jam i gatshëm që të bëj gjithçka për të arritur deri te hapi tjetër", thotë Gardner. "Është sikur t'i shkaktosh vetes dhembje". Edhe dy ekzekutivë të tjerë vullnetarisht pranuan që t'i zvogëlonin rrogat e tyre për 40%, duke bërë që kompania të mos pushonte askënd nga puna. Katër vjet më pas, investitorët u takuan përsëri në zyrën e "Marqeta"-s, tani një ndërtesë 16 katëshe në Okland, me emrin e kompanisë në të. 

Ka përjetuar pak inovacion për më shumë se një dekadë

Kësaj here, toni i takimit ishte i ndryshëm. Të ardhurat ishin dyfishuar çdo vit që nga viti 2016, duke arritur afër shifrës prej 150 milionë në vitin 2018, na thotë një burim. "Marqeta" kishte finalizuar planet për të mbledhur të paktën 250 milionë dollarë ndaj vlerës prej rreth 2 miliardë dollarësh, duke katërfishuar vlerën e vet krahasuar me dy vjet më parë. 

Përkundër një fillimi të vështirë, "Marqeta" kishte pasur idenë e duhur që nga themelimi, në vitin 2010. Ajo kishte ndjekur një kamare në biznesin e procedimit të pagesave, që ka përjetuar pak inovacion për më shumë se një dekadë: në lëshimin dhe përpunimin e kartelave, gjë që përfshin edhe vendimin se a duhet të miratohet një transaksion i kartës. Kjo përsëritej përmes tri modeleve të biznesit, duke mbetur i lirë përgjatë rrugës dhe, në fund, duke arritur në një platformë të hapur të softuerit, lehtësisht të qasshme nga inxhinierët e huaj. Kjo identifikoi "Square" dhe "Instacart" si fitues të ardhshëm, duke i rekrutuar ata si konsumatorë. Gardner, 49 vjeç, zor se është lloji i biznesmenit nga i cili do të prisnit që të bëhej sipërmarrës i suksesshëm në Luginën e Silikonit. Duke u rritur në një familje të shtresës së mesme në Nju XHersi, i biri i një agjenti të bursës dhe një ndërmjetëseje gjyqësore, ai kishte bërë punë të llojllojshme derisa ishte në shkollë të mesme, duke përfshirë punën në një dyqan të gjësendeve të përdorura, e deri te shitja e kravatave në tren.

Derisa studionte në kolegjin shtetëror në Arizona, ai kishte qenë asistent i senatorit John McCain në fillim të viteve të 20-ta të tij, por shpejt kishte parë se politika nuk ishte për të. Më pas ai kishte punuar në kompani të shitjes dhe kërkimeve shkencore, sikur "Gartner", duke themeluar më pas një kompani të pagesave në vitin 2004, e cila ua mundësonte njerëzve që ta paguanin qiranë në mënyrë elektronike. Gjatë disa viteve të ardhshme Gardner kishte mbetur aq shumë pa para, sa që shpesh kishte marrë para me kamatë. Në vitin 2007 ai ia shiti kompaninë "MoneyGram"-it për 28 milionë dollarë, duke vazhduar si ekzekutiv i kompanisë edhe dy vjet të tjera. Më pas filloi që të mendonte rreth përdorimit të ri të kartelave të debitit. Ideja e tij e parë ishte një kartelë e besnikërisë, që praktikohej nga disa dyqane, ku me 50 dollarë mund të blije mall me vlerë 55 dollarë, nga kompanitë si "Jamba Juice". Gardner e quajti këtë kompani "Marqeta" (sipas emrit të një gruaje me të cilën ai dhe një mik i tij kishin udhëtuar në Pragë), duke mos marrë parasysh faktin se kompanitë e marketingut tanimë përdornin emrin Marketo. Ai mblodhi 6 milionë dollarë nga investitorët, sikur kompania izraelite "VC 83North".

Gjetja e konsumatorëve

Atij iu deshën gati dy vjet që të dilte me produktin final, meqë kishte ndërtuar një procesor tërësisht të ri të pagesave. Ai kishte refuzuar partneritetin me ndonjë kompani të madhe, sikur "First Data" ose "FIS", meqë mendonte se, duke vepruar si i vetëm, do të kishte më shumë shpejtësi dhe fleksibilitet. Por, kartela e besnikërisë dështoi. Gardner kuptoi se nuk ishte i zoti në dizajnin e ballafaqimit me klientë.

Produkti i dytë i biznesit i Gardnerit ishte komisionuar nga "Facebook": një kartë dhuratë të cilën mund t'ua dërgosh miqve. "Facebook" e lansoi këtë kartë në janar të vitit 2013, por mbeti i zhgënjyer nga shitjet, prandaj e mbylli një vit më pas. Në atë kohë, kompanitë si prodhuesi i softuerit të komunikimit "Twilio", kishin filluar që të lejonin klientët që të kenë qasje në teknologjinë e tyre dhe ta përshtatnin atë me anë të interfejsit, ose API. Gardner përzgjodhi këtë qasje për produktin e tretë të "Marqeta"-s dhe e shpalli atë në fund të vitit 2014.

(Kosova Sot)