Faktet e Gjykatës që e mbyllën në çeli për tërë jetën Naser Pajazitajn

  • 27 March 2019 - 17:47
Faktet e Gjykatës që e mbyllën në çeli për tërë jetën Naser Pajazitajn

Naser Pajazitaj, para një viti u shpall i pafajshëm dhe mbrohej në liri ndaj akuzave për vrasjen e Donjeta Pajazitajt. Një vit pas, ai u dënua me burg të përjetshëm. A pati fakte të mjaftueshme Gjykata që e mbylli të akuzuarin për tërë jetën në çeli? Avokati i Naser Pajazitajt thotë “jo”, e profesorët e drejtësisë, besojnë se “po”. Familja e viktimës janë të kënaqur me vendimin.

Në mars të vitit të kaluar, Naser Pajazitaj u shpall i pafajshëm ndaj akuzave për vrasjen makabre të 24-vjeçares Donjeta Pajazitaj.

Donjeta Pajazitaj, vajzë e moshës 24-vjeçare nga Strellci i Poshtëm i Komunës së Deçanit ishte zhdukur për 39 ditë. Familjarët atë e panë për herë të fundit duke shkuar në punë. Trupi i saj, u gjet më 9 nëntor të 2015 në bjeshkët e Strellcit. Nga dorasi Donjeta ishte qëlluar me dy plumba në kokë.

Gjykata atëherë nuk arriti të gjejë asnjë provë që Naser Pajazitaj ka kryer këtë krim, pas shumë ekzaminimeve, pas dëgjimit të shumë dëshmitarëve, e pas shumë e shumë provave që u paraqitën nga ana e prokurorisë dhe mbrojtjes.

Sot, një vit pas, “i pafajshmi” u bë i “fajshëm” për tërë jetën.

Pasi Gjykata e Apelit e kishte kthyer lëndën në rigjykim, në fillim të kësaj jave për Naser Pajazitajn u vendos që ta kalojë jetën e mbetur në burg.

Gjykata e Pejës, ajo që tash e shpalli fajtor, dhe e njëjta që e shpalli të pafajshëm para 1 viti, atëherë pati thënë se nuk e kanë provuar që viktima ishte në veturë me të akuzuarin ditën kur është zhdukur, dhe se, armët që iu gjetën Naserit, nuk rezultuan se kishin lidhje me krimin, vrasjen e Donjeta Pajazitajt. Rigjykimin e këtij rasti, e mori në dorë vetë kryetari i Gjykatës Themelore të Pejës, Kreshnik Radoniqi.

Për vendimin e fundit, për fajësinë e përjetshme, Gjykata Themelore e Pejës, ende nuk e ka bërë të ditur arsyetimin e këtij aktgjykimi. Megjithatë, i kanë 30 ditë kohë që aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm.

Gazeta Express ka kontaktuar me vëllain e viktimës, Shkelqim Pajazitaj, i cili ka thënë se burgu i përjetshëm ndaj Naser Pajazitajt është dashur të merret qysh në gjykimin e parë.

“Po, na jena të kënaqun me këtë vendim të Gjykatës edhe pse ky vendim është dashur të merret qysh herën e parë, por ma mirë vonë se hiç”, ka thënë vëllai i Donjeta Pajazitajt.

Për vendimin për burg të përjetshëm, ka reaguar edhe avokati i të akuzuarit, Gëzim Kollçaku.

Ai, tha se burgu i përjetshëm për Naser Pajazitajn për vrasjen e Donjeta Pajazitajt është marrë pa fakte.

Avokati Kollçaku tha se klienti i tij është dënuar pa prova dhe se për këtë vendim të shkallës së parë do të ankohet në shkallën e dytë të gjyqësisë.

“Nuk ka pas asnjë provë që ai e ka kryer krimin. Nuk ka pas as dëshmitarë të rinj lidhur me këtë çështje. Procedura në rigjykim ka qenë e njëjtë me gjykimin e parë, ku u pat liru sepse nuk ka pas prova”, ka thënë avokati i Naser Pajazitajt.

E profesori i të Drejtës Penale, Ismet Salihu, tha se kjo është hera e tretë në Kosovë që dikush shpallet fajtor dhe merr dënimin e përjetshëm.

Salihu tha se sigurisht gjykata do të japë arsyetimin e saj për këtë dënim të fundit dhe se është tërësisht normale që në sistem gjyqësor, i akuzuari të shpallet i pafajshëm dhe më vonë të dënohet me këtë lloj të dënimit.

“Sigurisht ka pas prova të reja, dëshmi të reja që kanë rezultu që i akuzuari të shpallet fajtor, dhe me dënim të tillë. Ka raste në tërë botën kur fillimisht gjykata i shpallë të pafajshëm të akuzuarit dhe më pas, pas paraqitjes së provave të reja, fakteve të reja të shpallet fajtor dhe me dënim të rangut të tillë”, ka thënë Salihu.

A kishte gjykata prova të reja që Naser Pajazitajn nga të “pafajshëm” e dënoi me burg të përjetshëm?

Vëllai i viktimës, Shkelqim Pajazitaj tha se në këtë rigjykim, janë marrë edhe xhirimet e kamerave të dy shtëpive, të cilat thotë se u paraqitën si prova në Gjykatë.

Shkelqim Pajazitaj gjithashtu beson se ndërrimi i deklaratave të vajzës së të akuzuarit, ka luajtur rrol në marrjen e vendimit për burg të përjetshëm ndaj Naser Pajazitajt.

Gazeta Express pati përcjellë pikërisht këtë seancë gjyqësore ku ka dëshmuar Ardita Ukaj e cila u ballafaqua nga ana e prokurorisë për deklaratat e saj të mëparshme.

Pavarësisht se në polici dhe Prokurori Ardita Ukaj pati dhënë shumë dëshmi, madje në detaje, ajo në këtë rigjykim pothuajse për të gjitha pyetjet e njëjta që iu bënë, tha se “nuk i kujtohet asgjë”.

A ia bëri “sherrin” vajza e vet Naser Pajazitajt, kur i ndërroi deklaratat në Gjykatë?

“Po, dëshmitare u kanë edhe çika e tij. Ajo u kanë jashtë e martume, Gjykata e ka pru për me dëshmi edhe ajo tash i ka ndryshu krejt deklaratat me ato që i ka dhënë në polici e në prokurori”, ka thënë Shkëlqim Pajazitaj, vëllai i Donjeta Pajazitajt.

E pikërisht për shkak të deklaratave të vajzës së Naser Pajazitajt, Gjykata e Apelit e kishte kthyer në rigjykim rastin e vrasjes së Donjeta Pajazitajt.

Sipas vlerësimit të Apelit, Gjykata Themelore e Pejës në gjykimin e parë, nuk kishte arritur që ta vërtetojë në mënyrë të drejtë dhe të plotë gjendjen faktike, sepse gjeti se ka kundërthënie në deklaratat e dëshmitares Arjeta Ukaj, e cila pas presionit familjar i ka ndryshuar deklaratat.

(Kosova Sot)