Ushtria izraelite vret një adoleshent palestinez

  • 27 March 2019 - 18:44
Ushtria izraelite vret një adoleshent palestinez

Ushtarët izraelitë e kanë vrarë një adoleshent palestinez që shërbente si punëtor mjekësor në Bregun Perëndimor. Lajmin e kanë bërë të ditur kolegët e tij dhe ministria palestineze e shëndetësisë.

Kjo ministri njoftoi se Sajid Muzher, 17-vjeçar, u vra në kampin e refugjatëve “Dheisheh”, i cili ndodhet afër Betlehemit. Trupat izraelite kanë hyrë në këtë zonë në orët e para të së mërkurës, me ç’rast janë përleshur me banorët e kampit, të cilët i kanë sulmuar ushtarët me gurë. Ekipet mjekësore kishin shkuar në vend të ngjarjes për t’ua dhënë ndihmën e parë të lënduarve.

“Vrasja e vullnetarit të ekipeve mjekësore me plumba në bark nga pushtuesi është krim lufte”, tha ministri palestinez i shëndetësisë, Jawad Awad, duke iu referuar Izraelit.

Besohet se djaloshi i vrarë është qëlluar përderisa po përpiqej ta trajtonte një person të plagosur nga forcat izraelite. Ai vdiq në spital nga plagët e marra dhe u varros në orët e pasdites.

Ushtria e Izraelit nuk ka dhënë deklaratë për këtë ngjarje. Forcat e këtij shteti, të cilat e kanë pushtuar Bregun Perëndimor para më shumë se gjysmë shekulli, hyjnë rregullisht në kampet e refugjatëve për të kryer kontrolle dhe arrestime. Banorët zakonisht ua bllokojnë rrugën dhe hedhin gurë, duke e nxitur nisjen e përleshjes, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot)