Ibrahim Kelmendi ‘shpërthen’ ndaj Thaçit: Po aktron sipas skenarit serb, DGSE-ja franceze dhe BIA...

  • 27 March 2019 - 18:46
Ibrahim Kelmendi ‘shpërthen’ ndaj Thaçit: Po aktron sipas skenarit serb, DGSE-ja franceze dhe BIA...

"Do të bëj çmos për të nënshkruar marrëveshjen me Serbinë në Shtëpinë e Bardhë". Kështu ka deklaruar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Kjo deklaratë e tij është edhe një tjetër dëshmi se Thaçi nuk do të kursejë asgjë vetëm që të arrijë marrëveshjen me Serbinë. Sipas analistëve, qëllimi i vetëm i Hashim Thaçit është që të falë tokë/territor dhe pasuri të Kosovës shtetit të Serbisë, vetëm e vetëm që t'i shpëtojë Gjykatës Speciale. Ata vlerësojnë se po dalin të vërteta akuzat ndaj tij ku shumë herë është akuzuar si agjent i Serbisë dhe njeri që punon për shërbime të huaja.

Ish udhëheqësi i LPK-së, Ibrahim Kelmendi për gazetën “Kosova Sot”, thotë se Thaçi po luan lojën në bazë të skenarit serb.

"Këto që thotë Hashim Thaçi për marrëveshjen me Serbinë janë vetë aktrim, sipas skenarit dhe regjisorit serb. Përndryshe, Serbia nuk do tani asnjë lloj marrëveshje finale me Kosovën, por do që për kundërshtimin e saj ta fajësojë Kosovën. Serbia nuk i frikësohet aspak "Gjykatës Speciale", as "Prokurorisë së Specializuar", meqë Dik Marty as Prokuroria e Serbisë nuk i kanë ngritur akuzë konkrete Hashim Thaçit. Zhurmimet e tyre politike, Prokuroria e Specializuar nuk i kategorizon si akuza juridike. Përndryshe, Thaçit do t'i japë alibi DGSE-ja franceze dhe BIA serbe, meqë ligjërisht kishin të drejtë të angazhonin marioneta për të komplotuar UÇK-në, të cilën ata e diskualifikonin si organizatë terroriste”, ka thënë Kelmendi për “Kosova Sot”.

Sipas tij, Serbia po kërkon rikthim e Kosovës, gjë të cilën po tentojnë ta bëjnë përmes Thaçit.

“Kësaj radhe Hashim Thaçi nuk i fal dot tokë Serbisë, meqë sundimtarët e Serbisë nuk po kërkojnë tokë, as pasuri minerare, por duan ta rikthejnë krejt Kosovën nën Serbi, ose ta mbajnë neokoloni ekonomike, siç e kishin dhe siç e kanë. Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk mund të iniciojnë shkarkimin e presidentit Thaçi, sepse Kushtetua nuk ua mundëson. Në Kushtetutë janë rastet kur mund të shkarkohet. Prokuroria e përgjithshme i ka mundësitë më të mëdha juridike, duke marrë për bazë akuzuese fushatën e Thaçit kundër Kosovës kushtetuese. Secili politikan preferon të ushtrojë sa më shumë pushtet, sidomos kur nuk ka institucione e qytetarë që i kundërvihen. Thaçi e ka babëzi ekstra ushtrimin e sundimit, sa më diktatorial që të ketë mundësi. U bëftë mirë qytetarëve injorantë ky farë presidenti, meqë e thotë edhe proverbi mysliman: popullit ia çon Allahu sundimtarin që meriton...", u shpreh Ibrahim Kelmendi për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)