Nënkryetari i PDK’së e godet prapë Thaçin për kufijtë

  • 27 March 2019 - 21:07
Nënkryetari i PDK’së e godet prapë Thaçin për kufijtë

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Arsim Bajrami, ka vlerësuar se çelja e temës së ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë është e panevojshme.

Madje e ka quajtur të rrezikshme e në disfavor të Kosovës. Ai ka thënë se kjo e konteston shtetësinë e Kosovës.

“Kosova është shtet vetëm për 11 vjet dhe hapje e një teme të tillë është e panevojshme”, ka thënë Bajrami.

Ai ka shprehur bindjen se gjendja faktike edhe në Kosovë edhe në Serbi nuk është në favor tonin.

“Serbia nuk do të pranojë të hyjë asnjëherë në një proces të tillë nëse nuk sheh përfitim, dhe nuk jam i sigurt se ajo do të pranojë që Lugina do të këmbehet me territore me të cilat ajo nuk do të dalë fituese”, ka thënë Bajrami.

Tutje, Bajrami, që për kohë të gjatë ka qenë njeri i afërt me presidentin Thaçi, ka thënë se kjo “është një tezë e rrezikshme”.

“Sepse mund të mos mbetet vetëm brenda kufijve të Kosovës, por mund të ketë pasoja të mëdha në rajon”, ka thënë Bajrami.

Ai ka thënë se më e mira do të ishte që vija kufitare mes Kosovës dhe Serbisë të zgjidhet pasi të arrihet marrëveshja mes dy shteteve.

“Ka mjaft tema të tjera që mund të çojnë te arritja e marrëveshjes përfundimtare, që mund t’i japin Serbisë integrimin në BE dhe Kosovës t’i hapen rrugë të tjera. Kosova duhet ta shmang këtë proces dhe ta orientojë krejt dika tjetër dialogun. Madje duhet të mos pranojë të diskutojë për këtë temë edhe nëse ajo është pjesë e planeve të caktuara kudo, sepse nëse hyn në diskutime të tilla, e konteston vetështetësinë”, ka thënë Bajrami.

Ai ka bindjen se ish-shefi i tij në parti, Hashim Thaçi, e ka përdorur këtë temë si taktikë, të cilën, Bajrami ka thënë se “ka qenë mjaft transparent dhe e ka sqaruar idenë e tij”, raporton ktv.

Bajrami ka vlerësuar se Kosova ka bërë të gjitha kompromiset e mundshme me serbët e Kosovës dhe me Serbinë.

“Jam skeptik rreth njohjes nga Serbia, jam skeptik edhe për arritjen e një marrëveshje eventuale nga kjo gjeneratë e politikanëve në Serbi”, ka thënë Bajrami.

“Ata e kanë një presion të madh nga bashkësia ndërkombëtare, dhe kësisoj shikojnë mundësinë që të nxjerrin nga Kosova edhe një kompromis dhe ta përdorin këtë si alibi para qytetarëve të vet”, ka thënë më tej ai.

(Kosova Sot)