Shpërthejnë analistët: Thaçi si Maduro, vetëm Amerika mund ta ndalë

  • 28 March 2019 - 07:32
Shpërthejnë analistët: Thaçi si Maduro, vetëm Amerika mund ta ndalë

Mehmeti: SHBA-ja po e mbron Kosovën nga politikanët e vet dhe kjo është gjëja më e turpshme që ka mundur t"i ndodhë Kosovës. Hashim Thaçi është mashtrues, me prirje të diktatorit

“Kosova nuk ka ardhmëri me politikanë mafiozë, si Thaçi dhe kasta e dështuar politike ndaj SHBA-të përfundimisht duhet ta caktojnë një guvernator amerikan për Kosovën, i cili do t’i dërgonte kriminelët prapa grilave, vendoste rendin e ligjin dhe kthente gjendjen në binarë normalë, sa më parë edhe në Kosovë.

Përndryshe përvoja 20-vjeçare me politikanë të tillë të kriminalizuar, të cilët tash e dy dekada kanë kidnapuar çdo institucion dhe po e terrorizojnë një popull të tërë, njëjtë si diktatori komunist Nikolas Maduro në Venezuelë, duke e lënë prapa dhe izoluar Kosovën edhe më zi se Maduro vendin e vet, ka vërtetuar katërçipërisht se pa mbikëqyrjen e plotë amerikane shteti ynë, për pak kohë do të degradojë shumë më keq dhe rrezikohet me shuarje të tërësishme.

Edhe dy dekada pas çlirimit realisht nëntoka kriminale me pushtetarët e inkriminuar në maje të pushtet, jo vetëm që po vazhdojnë të jenë mbi ligjin dhe të kontrollojnë e sundojnë çdo institucion shtetëror prej nivelit lokal e deri tek ai qendror, por kanë kapur fund e krye të gjithë shtetin dhe atë në të tri shtyllat kryesore të pushtetit”, potencoi Gani Qarri për “Kosova Sot”

Një vit presidenti i Kosovës e mbajti të bllokuar KQZ-në. U desh ndërhyrja e ambasadorit amerikan Kossnet që situata të zhbllokohet. Por, edhe sa herë duhet që SHBA-ja të drejtojë kërkesa dhe ultimatume për politikanët e djallëzuar e të tejinkriminuar kosovarë. Sipas analistëve, është e qartë se pa mbikëqyrjen e plotë amerikane shteti ynë do të degradojë edhe më shumë, pasi që realisht nëntoka kriminale me pushtetarët e inkriminuar në pushtet po vazhdojnë të jenë mbi ligjin si dhe kontrollojnë e sundojnë çdo institucion të shtetit, prej nivelit lokal e deri tek ai qendror, në të tria shtyllat e pushtetit.

Analisti Faton Mehmeti thekson se zhbllokimi i KQZ-së erdhi si pasojë e reagimit të SHBA-së, ndryshe Thaçi do e mbante të ngrirë. “Kjo është bërë me qëllim që t"i pamundësohet që VV-ja dhe LDK-ja të kenë përfaqësuesit e tyre, çka do t’ia bënte më të lehte Thaçit që të kontrollonte KQZ-në. Kjo më tepër do hynte në punë kur të mbaheshin zgjedhjet, me qëllim të manipulimit të tyre. Thaçi dihet se është intrigant dhe vetëm një forcë e madhe si ajo e SHBA-së e detyron të largohet nga synimet e tija djallëzore.

Një gjë të tillë Thaçi e kishte bërë edhe me rastin e Speciales, ku inicioi që të zhbëhet dhe vetëm reagimi i fortë i SHBA-së e pengoi një gjë të tillë. Pa ndihmën dhe mbikëqyrjen e SHBA-së Kosova do të kapitullonte nga kjo klasë politike. SHBA-ja po e mbron Kosovën nga politikanët e vet dhe kjo është gjëja më e turpshme që ka mundur t"i ndodhë Kosovës. Hashim Thaçi është mashtrues, me prirje të diktatorit”, ka potencuar Mehmeti për “Kosova Sot”.

Image
Muhamet Kelmendi

Kelmendi: Ja cilat nene i shkeli presidenti

Ne në Kosovë jemi në një gjendje shumë të rëndë dhe në të gjitha fushat. Probleme kemi në ndarjen e pushtetit, në përcaktimin e kompetencave. Kjo jo pse nuk kemi ligje të sakta, por pse njerëzit në pushtet janë të nivelit te tillë, ku duan të jenë autoritarë. Në këtë anë prin Thaçi në pozitën e presidentit, ky po insiston të japë dhe të koncentrojë kompetencat e legjislativit dhe të ekzekutivit në duar të veta.

Kështu bëri me kërkesën që ia paraqiti Gjykatës, ku kërkoi marrjen e kompetencave të Kuvendit. Tash e një vit e bllokon edhe KQZ-ja. Kanë mbetur mbi 30 asamblistë pa u vendosur nëpër asambletë komunale. E tërë kjo pse nuk i emëron anëtarët e komisionit. U desh që Ambasada e SHBA-së të intervenojë dhe tash jemi në procedurë të emërimit. Presidenti ka kohë që ka shkelur normat kushtetusese.

Ai ka shkelur nenin 1 dhe 2 të Kushtetutës, normat e pushtetit legjislativ dhe ka dalë edhe kundër nenit 121 dhe 125 të Kodit Penal të Kosovës. Z. Thaçi në fakt ka bërë vepra të rënda penale dhe vendin e kanë burg”, tha Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot”.

Image
Ragip Guraziu

Vetëm ultimatumet kryejnë punë

Analisti Ragip Guraziu thekson se presidenti Hashim Thaçi vetëm me ultimatumet nga amerikanët do të marrë vesh.“ëRasti konkret na le të kuptojmë se presidenti i Kosovës ka vendosur që ta zhbllokojë KQZ-në pas kërkesës së prerë të ambasadorit amerikan Kossnet dhe ja si erdhi deri te ky vendim i Thaçit si pasojë e presionit amerikan, nuk na qenka derti i madh, një ultimatum nga Amerika, gjegjësisht ambasadorit amerikan Kossnet. Çka t'i bëjmë Ramushit që nuk po i ha këto fore?

Po shtrohet pyetja sa do të na marrin kohë këto lutje, se vetëm me amerikanët kur na alarmojnë politikanë tanë zbatojnë urdhrat, atëherë çka është ka pret Ramushi?! Edhe sa herë duhet që SHBA-ja të drejtojë kërkesa dhe ultimatume për politikanët e djallëzuar e të tejinkriminuar kosovarë”, u shpreh ai për “Kosova Sot”. Sipas Guraziut tani po dihet se pa mbikëqyrjen e plotë amerikane shteti ynë do të degradojë edhe më shumë, pasi që realisht nëntoka kriminale me pushtetarët e inkriminuar në pushtet po vazhdojnë të jenë mbi ligjin si dhe kontrollojnë e sundojnë çdo institucion të shtetit prej nivelit lokal e deri tek ai qendror, në të tria shtyllat e pushtetit.

“Tani populli i Kosovës mbështetjen e vetme e ka tek Amerika dhe tek ambasadori amerikan, Kossnet, i cili tani shihet si shpresa e vetme që diçka pozitive të ndryshojë në Kosovë. Dhe duket qartë se sa ka nevojë Kosova për mbikëqyrjen e plotë amerikane në vitin 2019, ashtu siç ka pasur nevojë për Amerikën në vitin 1999, kur edhe me ndihmën e tyre populli i Kosovës u shpëtua nga regjimi kriminal i Milosheviqit”, vijoi më tej analisti Guraziu.

Image
Reshat Badallaj-Zhuriani

Bandat po sundojnë

“Hashim Thaçi mendon se Kosova është shtet vetëm e tij, harron ky despot se Kosova është shtet i të gjithë qytetarëve, dhe prandaj ky tiran nuk mund të bëjë çka të dojë. Talljet me popullin dhe përbuzja e këtij matrapazi nuk kanë të ndalur, por, falë Amerikës që ia ngre veshin dhe e detyron të mbështet për muri dhe shumë i turpëruar. Mendja e tij e sëmurë e bllokoi KQZ-në vetëm për interesat e tij dhe bandës së tij, PDK-së. Presioni i bandave politike vendore nuk pati sukses dhe nuk bëri gjë, sepse ishin të pafuqishëm kundrejt këtij despoti, që shkel ligjet dhe Kushtetutën e vendit dhe nuk i respekton fare.

Mirëpo, kur i trokiti në derë ambasadori amerikan, z. Kossnet nuk bëri as gek e as mek. Kjo po ashtu nënkupton se pa mbikëqyrjen e amerikanëve shtetin e qeverisin bandat mafioze të kanaleve të nëntokës kriminale që kanë vetëm fjalë, që nga mëngjesi deri në darkë flasin për korrupsion, ndërkaq pikërisht këta banditët e majave të shtetit janë njerëzit më të korruptuar jo vetëm në Ballkan, por në tërë Evropën.

Tashmë shpresa e humbur e qytetarëve të pashpresë fare nga kryebanditët dhe banditët e majave të shtetit mbështetet vetëm te shteti mik dhe më i fuqishëm në tërë globin, Amerikën dhe në këmbëngulësinë e palëkundur të Gjermanisë, sepse kryebanditët sundojnë si në nivelin qendror, si në nivelin lokal pa frikë fare, sepse as ky sistem i kalbur gjyqësor nuk guxon t´i trazojë këto grupe dhe klane mafioze që është rrjet shumë i rrezikshëm që e kanë kapur pushtetin.

Vetëm ndaluni dhe shikoni se si i bënë punësimet këta kryebanditë në Telekom dhe në PTK, të gjithë i madh e i vogël, të gjallë e të vdekur, familjarë, miq, dhe askush nga populli i shkretë që mbeti i mashtruar nga këto banda”, tha analisti Reshat Badallaj - Zhurjani për “Kosova Sot”.

Image
Gani Qarri

Qarri: Populli i dërrmuar, shpresat te ‘Dragodani’

Analisti Gani Qarri thekson se fakti se vetëm pas kërkesës së prerë të ambasadorit amerikan Philipp Kossnet, presidenti i shantazhuar i Kosovës u detyrua që ta zhbllokojë KQZ-në dëshmon se, pas më tepër se një viti pritjeje e stagnimi, deri te ky vendim i Thaçit erdhi si pasojë e presionit amerikan.

‘Gjendja kaotike në vend jo vetëm që vërteton edhe një herë më tepër se Kosova njëmend vazhdon të udhëhiqet nga politikanë të dështuar dhe të inkriminuar deri në fyt, por zbulon dhe nxjerr në shesh lakuriq faktet dhe argumentet më turpëruese të veprimeve mafioze dhe kundërligjore të Hashim Thaçit & CO, të cilët tash e 20 vjet sundojnë Kosovën me direktiva të Serbisë dhe Aleksandër Vuçiqit. E përderisa populli i Kosovës shihet qartë se është i paaftë dhe i pafuqishëm për të bërë ndryshime politike dhe larguar kriminelët nga udhëheqja e vendit, është nevojë urgjente dhe domosdo e patejkalueshme që SHBA-ja sa më parë të largojë kriminelët nga pushteti dhe marrë vetë në dorë drejtimin e shtetit tonë”, u shpreh ai.

Sipas Qarrit, ky vendim nuk duhet të shtyhet më tej, por të ndodhë urgjentisht, jo më me kërkesa dhe ultimatume drejtuar politikanëve të djallëzuar e te tejinkriminuar kosovarë, të cilët vetëm me shitje tokash të vendit dhe veprimet mafioze në kurriz të qytetarëve janë bërë aq bajat, sa po ua çojnë gërdinë të gjithë kosovarëve, duke qëndruar, që nga paslufta me forcë në pushtet. “Ndaj duke qenë i paaftë dhe i paorganizuar në masën që do të mundësonte ndryshimet në vend, populli i vuajtur i Kosovës mbështetjen e vetme dhe shpresën e fundit e ka tek Amerika dhe ambasadori i ri amerikan, z. Philipp Kossnet.

Vetëm me ndërhyrjen dhe vendosjen nga SHBA-ja të një guvernatori amerikan në krye të vendit, pas 20 vitesh stagnimi dhe sundimit të deritanishëm mafioze, mund të ndryshojë diçka pozitive edhe në Kosovë, duke marrë mbikëqyrjen e plotë nga Amerika edhe në vitin 2019, ashtu siç pati nevojë për ndërhyrjen e Amerikës në vitin 1999, kur vetëm me ndihmën e SHBA-ve populli i Kosovës arriti të mbijetojë dhe shpëtojë nga regjimi kriminal i Milosheviqit!”, ka thënë analisti Gani Qarri për “Kosova Sot”.

Image
Ramiz Bojaj

Bojaj: Kosova ndjek modelin e putinizmit

Ndërsa analisti Ramiz Bojajt shprehet se pa angazhimin e SHBA-së Kosova lehtë mund të rrëshqasë nën kthetrat e diktaturës putiniste. Sipas tij, bllokimi i KQZ-së nga presidenti Hashim Thaçi kishte për qëllim paralizimin e zhvillimit e të demokracisë në shtetin e Kosovës. “Sens i diktatorëve më famëkeq në gjithë botën. Bllokimi i KQZ-së është trishtues dhe vrasës për shtyllën kryesore të demokracisë në një vend siç janë: bllokim i shprehjes së lirë qytetare, bllokim për mundësinë e dhënies së verdiktit të vullnetit të lirë mbi sistemin qeverisës... bllokim i përgjithshëm i lirisë dhe i shtetit. Përpjekje e tilla janë lojëra djallëzore për të manipuluar me vullnetin politik të masave, thjesht për të ruajtur kalbëzimin e KQZ-së për të mbushur, më vonë 'strajcën' me votime të rrejshme e të manipuluara nga bandat politike e parapolitike të këtij regjimi gjakpirës e hajdutësh. Sensi bllokues për KQZ-në është sinjal i kapjes dhe kontrollit i të gjitha segmenteve të shtetit, siç janë drejtësia, siguria, ekonomia, diplomacia, administrata...”, theksoi ai.

“Kjo tregon se pushteti i Kosovës aktivitetin më të madh e zhvillon në nëntokën kriminale, përderisa pushteti mbahet e mbrohet për të fshehur e mbuluar aktivitetet kriminale klandestine e biznesore të bandave oligarko-mafioze. Këto banda që e sollën shtetin e Kosovës në paralizë, këta që bllokuan ecjen përpara të Republikës sonë, forcimin e zhvillimin e shtetit, këta që pezulluan konfirmimin ndërkombëtar-njohjet, këta që kontestojnë kufijtë e vet e integritetin territorial e shtetëror, këta janë varrmihësit e vrasësit më të paskrupullt të demokracisë dhe të Kosovës”, vijoi më tej Bojaj. “Angazhimi i SHBA-së mbetet e vetmja shpresë për qytetarët e Kosovës, si në ruajtjen e shtetësisë, tërësisë territoriale e sovranitetit, e po ashtu edhe në ruajtjen dhe zhvillimin e demokracisë.

Pas reagimit të ambasadorit të SHBA-së, Kosnet, rreth zhbllokimit të KQZ-së e më vonë reflektimi i presidentit Thaçi lidhur me këtë dëshmon se Kosova udhëhiqet nga qyqarët, të paditurit, injorantët..., të cilët duan vetëm zor për të ecur mbarë. Angazhimi amerikan ishte i domosdoshëm, ngase diktati dhe bllokimi i KQZ-së është figura e fundit e vrasjes së demokracisë. Angazhimi këmbëngulës për lëvizjen e kufijve (copëtimin e Kosovës) nga presidenti jolegjitim e i shantazhuar i shtetit tonë, Hashim Thaçi, nga ai serb Aleksandër Vuçiq (trashëguesi më real si mbetje e Milosheviqit), nga Edi Rama, menaxhuesi i drogës së Shqipërisë, po e kthejnë Ballkanin nën kthetrat e modelit rus të Vladimir Putinit.

Diktati mbi policinë, drejtësinë, ekonominë, sigurinë, KQZ-në .... e bëjnë kreun e shtetit tonë njeriun më të rrezikshëm në Kosovë, mundësinë e rilindjes së një diktatori famëkeq në vendin tonë, i cili jo vetëm që kërcënon demokracinë, por edhe paqen dhe stabilitetin në rajon. Lëkundja e kufijve është sensi më i rrezikshëm në këtë kontekst, ide 'copy paste' e liderit rus Vladimir Putinit” , ka vlerësuar analisti Bojaj për “Kosova Sot”. Ai shton se populli i Kosovës, së bashku me miqtë ndërkombëtarë, duhet ta ndalin konceptin e ndryshimit të kufijve, sensin e vrasjes së demokracisë dhe paqes këtu.

Image
Blerim Burjani

Burjani: “Kollitje” amerikane

“Mjaftoj një "kollitje" e vogël e ambasadorit amerikan Kossnet, e cila e detyroi presidentin Thaçi të zhbllokojë Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ).
Pra, vendimi i Thaçit për zhbllokimin e KQZ-së erdhi vetëm si rezultat i presionit, gjegjësisht kërkesës së prerë dhe ultimative të ambasadorit amerikan Kossnet.

Rasti i zhbllokimit të KQZ-së është treguesi më i mirë se pa mbikëqyrjen e plotë amerikane shteti ynë do të degradojë edhe më shumë, për shkak se pushtetarët po vazhdojnë të jenë mbi ligjin si dhe kontrollojnë e sundojnë çdo institucion të shtetit prej nivelit lokal e deri të ai qendror, në të tria shtyllat e pushtetit.

Mbase kjo nuk do të jetë "kollitja" e fundit e ambasadorit amerikan, për arsye se vetëm me presion dhe kërkesa ultimative të SHBA-së mund të ndryshojnë vendimet kapriçioze të liderëve të djallëzuar kosovarë.

Populli i Kosovës mbështetjen e vetme e ka tek Amerika dhe tek ambasadori amerikan, Kossnet, i cili tani shihet si shpresa e vetme që të ndryshojë diçka pozitive në Kosovë.

Po shihet qartë, se Kosova ka nevojë për mbikëqyrje të plotë amerikanë edhe në vitin 2019, ashtu siç ka pasur nevojë për Amerikën në vitin 1999, kur edhe me ndihmën e tyre populli i Kosovës u shpëtua nga regjimi kriminal i Milosheviqit.

Qytetarëve të vendit tonë u ka mbetur vetëm një shpresë për dalje nga kriza moralo-politike, gjegjësisht nxjerrjen institucioneve të shtetit nga prangat e uzurpatorëve.

Pra, qytetarët janë në pritje të "kollitjes" së radhës së ambasadorit amerikan për fillimin e VETTING-ut mbi sistemin e drejtësisë dhe ndaj institucioneve më të larta të shtetit, për krijimin e kushteve normale për funksionim të mirëfilltë të ligjit dhe drejtësisë, kusht themeltar ky për krijimin e barazisë ligjore dhe demokratizmit të vendit sipas standardeve evroperëndimore”, theksoi analisti Blerim Burjani për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)