Përroska e turpit e Shpend Ahmetit

  • 28 March 2019 - 07:42
Përroska e turpit e Shpend Ahmetit

Hasani: Ndonëse e paguajmë tatimin, sikurse lokalet në qendër të qytetit, ne nuk kemi asnjë benefit, sepse këtu nuk rrihet pa maskë!

“Në veçanti jeta këtu është e padurueshme dhe ka një rrezik të madh që të kaplohemi nga ndonjë epidemi. Unë nuk e di se si nuk po u vjen turp këtyre pushtetarëve tanë. Por, si po duket pushtetarët tanë janë totalisht të devijuar nga rruga e ligjit dhe se po duket qartë se ata janë të korruptuar dhe se nuk brengosen fare për popullin.

Kundërmimet që vijnë nga kjo përroskë janë pasqyra më e mirë se si Shpend Ahmeti nuk brengoset fare për banorët e kryeqytetit. Është për t’u çuditur se i tërë ky buxhet aq i madh i Komunës së Prishtinës, që madje edhe po u tepron, dhe këta pushtetarët nuk janë në gjendje që ta rregullojnë e ta mbulojnë këtë përroskë në një kilometër gjatësi, që po e rrezikon shëndetin e qytetarëve”, u shpreh banori i kësaj lagjeje, Hajdar Mehmeti për gazetën “ Kosova Sot”

Image

Që kur janë vendosur në këtë lagje para disa vjetëve e deri më sot, banorët e lagjes “ Mati” thonë se janë në hall të madh me kundërmimin e përroskës. Ata kërkojnë një zgjidhje urgjente nga drejtuesit e Komunës, por kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, po hesht ndaj kërkesave të banorëve të “Matit”. Banorët thonë se është bërë e padurueshme jeta në këto banesa skaj përroskës, sikurse që e thonë edhe pronarët e shumë lokaleve afariste që gjenden në afërsi ku shumë nga këto lokale afariste tashmë janë mbyllur dhe në xhamat e tyre e sheh mbishkrimin,”Lokali lëshohet me qira”.

Ato janë të zbrazura dhe të gjithë ata pronarë që i kanë marrë me qira pas tre-katër muajve të vjeshtës së vonë dhe dimrit, me të ardhur të pranverës dhe fillimin e verës , qiraxhinjtë i kanë lëshuar ato lokale, ngase nuk rrihet këtu nga era shumë e rëndë dhe nga kundërmimi i madh i përroskës.

Image
Hajdar Mehmeti

Jeta është bërë e padurueshme

Banori i kësaj lagjeje Hajdar Mehmeti (1959), me profesionin e juristit, për gazetën “ Kosova Sot” thotë se që nga viti 1974 është banor i kësaj lagjeje. “Këtu jetojmë tash e 45 vjet dhe neve asokohe e quanim ,” Përroska e Bregut të Diellit” dhe që nga ajo ka pasur fekale që janë hedhur në këtë përroskë. Por, ndërkohë ajo pjesë e kësaj përroske është mbuluar dhe asfaltuar dhe ka ardhur deri këtu me asfalt.

Por, e keqja është se në vendin ku përroska ka mbetur e pambuluar tashmë dalin shumë kanalizime dhe kundërmimi është i padurueshëm, Prandaj, në saje të këtyre kundërmimeve të kësaj përroske jeta e banorëve që gjenden në afërsi të përroskës, qoftë me banesë qoftë me lokale afariste, është bërë e padurueshme, sikurse puna e shumë bizneseve që gjenden afër, ngase të njëjtit gjatë tërë vitit janë të detyruara që të mbajnë të mbyllura lokalet e tyre nga kundërmimi i madh”, u shpreh ai.

“Në veçanti jeta këtu është e padurueshme dhe ka një rrezik të madhe që të kaplohemi nga ndonjë epidemi. Unë nuk e di se si nuk po u vjen turp këtyre pushtetarëve tanë. Por, si po duket pushtetarët tanë janë totalisht të devijuar nga rruga e ligjit dhe se po duket qartë se ata janë të korruptuar dhe se nuk brengosen fare për popullin. Kundërmimet që vijnë nga kjo përroskë janë pasqyra më e mirë se si Shpend Ahmeti nuk brengoset fare për banorët e kryeqytetit. Është për t’u çuditur se i tërë ky buxhet aq i madhe i Komunës së Prishtinës, që madje edhe po u tepron dhe këta pushtetarët nuk janë në gjendje që ta rregullojnë e ta mbulojnë këtë përroskë në një kilometër gjatësi që po e rrezikon shëndetin e qytetarëve.

Prandaj, kjo përroskë është pasqyra më e mirë se si po qeveris ky pushtet që si po duket qartë se atyre nuk u intereson fare për qytetarët e saj”, potencoi Mehmeti. Ai shton se me gjithë kërkesat e banorëve të kësaj lagjeje të adresuara ndaj kreut të Komunës së Prishtinës, kërkesat e tyre kanë hasur në vesh të shurdhër.

Image
Blerim Hasani

Bizneset në hall, injorohen nga Komuna

Ndërsa, pronari i lokalit afarist hotelier, ” Royal “, Blerim Hasani, për gazetën “ Kosova Sot”, thotë se të gjitha kërkesat e deritashme të banorëve të kësaj lagje dhe atyre të lokaleve afariste që i janë drejtuar Komunës së Prishtinës ,ato janë refuzuar nga dy garniturat e deritashme të drejtuesve të kësaj Komune, që ishin ata të LDK-së dhe koalicionit që tash e drejton Shpend Ahmeti .

“Unë personalisht me gojë dhe me shkrim e kam ftuar që të jetë mysafir në lokalin tim kryetarin e Komunës, z. Shpend Ahmeti ,në mënyrë që ta pimë nga një kafe dhe të bisedojmë për hallet tona si afaristë dhe atyre të banorëve në ndërtesat afër përroskës, në mënyrë që kryetari Ahmeti nga afër të mësojë se si në banesat e kësaj lagje, por edhe lokalet tona afariste nuk rrihet nga kundërmimi i kësaj përroske. Por, me gjithë ftesat tona, për fatin tonë të keq, kryetari Shpend Ahmeti nuk ka ardhur për ta pirë një kafe dhe që nga ajo kohë para dy viteve nuk e ka zgjedhur hallin tonë”, ka theksuar ai. “Shumë lokale që gjenden në afërsi të kësaj përroske tashmë janë mbyllur dhe në vitrinat dhe xhamat e këtyre lokaleve e sheh mbishkrimin,” Lokali lëshohet me qira”.Sepse ato janë të zbrazura dhe të gjithë ata pronarë që i kanë marrë me qira pas tre-katër muajve të vjeshtës së vonë dhe dimrit, me të ardhur të pranverës dhe fillimverës , qiraxhinjtë e tyre i kanë lëshuar ato lokale, ngase nuk rrihet këtu nga era shumë e rëndë dhe nga kundërmimi i madh i përroskës”, vijoi më tej ai. Hasani thotë se si banor i vjetër i kësaj lagjeje e di se ky problem është i vjetër dhe problemi qëndron tek shpronësimet e tokës që nuk po e bën Komuna, ngase banorët e të dy anëve të përroskës janë të pakënaqur me shumën e të hollave për koeficient të shpronësimit.

“Ndonëse e paguajmë tatimin, sikurse lokalet në qendër të qytetit, ne nuk kemi asnjë benefit, sepse këtu nuk rrihet pa maskë. Unë nuk e di se deri kur do të zgjatë kjo situatë, por e kemi shumë të vështirë të mbijetojmë me këtë punë të vogël që e kemi, sepse nga ky lokal mbijetojmë tri familje”, ka theksuar ai.

Image
Shpresa Shala

Banorët, të pakënaqur me kompensimin e pronës

“Nga informatat që kam nga banorët e kësaj lagjeje, por edhe familja ime që jeton këtu, pasi unë tash jam e martuar, mësohet se i tërë problemi i zhagitjes së këtij projekti qëndron tek mosshpronësimet të pronave në të dyja anët e përroskës që nuk e ka bërë Komuna.

Unë jam banore e kësaj lagjeje që nga viti 2011 dhe është po i njëjti problem, sepse banorët e tokave në një gjatësi prej 1 kilometri sa duhet të mbulohet shtrati i kësaj përroske dhe më pas të asfaltohet sipër rruga, janë të pakënaqur me shumën e parave që po iu ofrohet për kompensim nga ana e Komunës së Prishtinës. Andaj, kam frikën se deri në zgjedhjen e këtij problemi hallet tona dhe probleme me kundërmimin e padurueshëm do të vazhdojnë”, ka thënë banorja e kësaj lagjeje, ing, Shpresë Shala (30), i ka thënë gazetës” Kosova Sot”.

Tmerr i madh

Ndërsa qytetarja Selvete Sopa, pronare e një sallonit të floktarisë, për gazetën “ Kosova Sot’, thotë se ky kundërmim është një tmerr i madh që po na bëhet nga ana e pushtetit që nuk po ndërmarrin asgjë. “Banorët e kësaj lagje disa herë bashkë me pronarët e lokaleve afariste kanë qenë për t’u ankuar në Komunë dhe deri më sot kanë marrë vetëm premtime boshe e nuk ka asgjë konkrete nga Komuna.

Këtu era dhe kundërmimi janë katastrofal dhe nuk durohen dot. Për këto pasoja as verës e as dimrit dyqanet tona nuk guxojnë që t’i hapin dyert e dritaret, por jo vetëm dyqanet, por edhe banesat në afërsi. Kjo ka bërë që shumë lokale poshtë lokalit tim, që kanë qenë me qira, janë mbyllur. Edhe unë do të veproja kësisoj, por fatbardhësisht familja e bashkëshortit tim e ka blerë lokalin dhe nuk kam qira të paguaj, se ndryshe do të isha e detyruar që edhe unë ta mbyll lokalin afarist.

Sepse me këtë lokal e mbaj familjen time dhe po ia dal falë saj se më punon edhe bashkëshorti, sepse është shumë e vështirë në ditët e sotme të mbash katër fëmijë sa i kam unë. Në vitin 2014, ajo ka pësuar dëme të mëdha nga vërshimet e kësaj përroske që kishte dalë nga shtrati i saj dhe për këtë pasojë madje në vizitë lokalit të saj kishte qenë edhe kryetari i tashëm i Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili i pa nga afër dëmet që më janë shkaktuar në këtë lokal të vërshuar, por edhe në bodrumin tim, ku e ka pasur makinën e parkuar. Por që nga ajo kohë unë nuk kam marrë asnjë dëmshpërblim për këto vërshime”, ka thënë Sopa për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)