Serbia na helmoi, ta padisim në Strasburg

  • 28 March 2019 - 08:03
Serbia na helmoi, ta padisim në Strasburg

Asnjë shpresë për shpagim nga dialogu i dështuar

“Unë e pashë që ky grupi ynë për bisedime nuk po marrin masa, nuk po i bëjnë padi Serbisë, nuk po lëvizin fare nga vendi, kështu që tanimë po më duhet mua dhe të gjithë neve të tjerëve që kemi qenë të helmuar dhe ta marrim iniciativa për t’ia bërë një padi Serbisë në Gjykatën e Strasburgu, fillimisht për helmimet që i ka bërë në vitin 1990. Unë dhe të gjithë të tjerët duhet dhe do të bëjmë këtë padi, sepse shpirti im, por edhe i atyre, nuk po na lë rehat, edhe ëndrrat e mia nuk po më lënë rehat të fle”, shprehet Nazmi Bajra nga Podujeva, një nga ata qytetar që edhe sot e kësaj dite ndjen pasojat e atij helmimi

Derisa krerët e institucioneve të shtetit të Kosovës po përgatiten për fillimin e një rundi të ri të bisedimeve me Serbinë, që sipas tyre, do të rezultonte në finale me një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjorit të obligueshme për palët, për njohje të ndërsjellë dhe sigurim të ulëses në OKB për shtetin e Kosovës, një temë e patrajtuar sa duhet dhe gati e lënë në harresë në proceset e deritanishme, por edhe si veprim i ligjshëm e i drejtë, mbetet çështja e krimeve dhe e dëmeve të luftës.

Politika ka dështuar së bashku me drejtësinë vendore në këtë temë, madje edhe duke mos treguar guxim dhe vullnet, që për të kaluar disa barriera formale juridike nën administrimin ndërkombëtar, këto çështje të adresohen edhe përmes Gjykatës së Strasburgut. Duke parë joseriozitetin e politikës dhe institucioneve të shtetit të Kosovës për adresimin e këtyre çështjeve, një qytetar nga qyteti i Podujevës ka iniciuar përgatitjen e dosjes për padi ndaj krimeve serbe në Kosovë, por jo duke u nisur dhe duke u shkëputur vetëm me periudhën e luftës, por ai këtë temë e sheh të nevojshme për adresim që nga helmimet misterioze të nxënësve shqiptarë nëpër shkollat e Kosovës në vitin 1990.

Nismëtar dhe pijetar i inicimit të një padie kundër Serbisë dhe ish-Jugosllavisë, për helmimet masive të nxënësve shqiptarë që patën ndodhur më 20 mars të vitit 1990 është Nazmi Bajra nga Podujeva, ish-punëtor teknik në gjimnazin e atëhershme “8 Nëntori” dhe njëherësh edhe një nga ata qytetarë që edhe sot e kësaj dite ndjejnë pasojat e atij helmimi, për të cilin autoritetet serbe nuk e kanë pranuar të vërtetën, por e quanin një lloj aktrimi të nxënësve shqiptarë. Mirëpo, analizat që janë bërë më vonë në laboratorët e shteteve evropiane kanë konstatuar se rasti ka qenë helmim me helme të sofistikuara ushtarake që i ka bërë shërbimi sekret serb. Dëshmitarë të atyre helmimeve në Podujevë, dhe mbështetës të inicimit të padisë, e cila do të përgatitet ditët në vijim janë edhe Idriz Gashi dhe Nazmi Bajra.

Asnjë padi shtetërore për gjenocid

Në bisedë për “Kosova Sot”, Bajra thotë se ai personalisht e ka vizituar Gjykatën në Strasburg dhe ka marrë konfirmimin që nuk ka asnjë pengesë të vetme ligjore për ta ushtruar padinë kundër autoriteteve të ish- Jugosllavisë dhe të Serbisë për këto akte kriminale. Madje, i është thënë se Kosova është vonuar që ta bëjë këtë padi, sepse sikur të ishte ushtruar me kohë, ajo tanimë do të ishte zgjidhur plotësisht në favor të Kosovës. “Unë kam pritur, kam pritur kur ka përfunduar lufta që Qeveria jonë do të jetë nismëtare për inicimin e padisë kundër Serbisë, për gjenocidin që e ka shkaktuar Serbia këtu në Kosovë.

 
Dëshmitari i helmimeve serbe ndaj shqiptarëve, rrëfen tmerrin

Dëshmitari i helmimeve serbe ndaj shqiptarëve, rrëfen tmerrin

Posted by Kosova Sot on Thursday, March 28, 2019

Kam pritur që institucionet e para të Kosovës do të jenë nismëtare që ta bëjnë pa vonesë padinë kundër Serbisë, duke filluar nga krimet e para që ka provuar dhe i ka bërë ndaj shqiptarëve, pra duke filluar nga kjo temë e që janë helmimet e para masive kundër nxënësve shqiptarë, arsimtarëve dhe stafit shërbyes nëpër shkollat e Kosovës. Kosova është dashur ta iniciojë padinë kundër Serbisë pikërisht me temën kundër helmimeve që i ka bërë në mars të viti 1990 për të vazhduar pastaj me të gjitha krimet e tjera, edhe për dhunimet e femrave gjatë luftë, që flitet se janë diku rreth 20 mijë, e ndoshta janë edhe më shumë, por edhe për krimet gjenocidale, për dëmet materiale dhe për buxhetin që e ka plaçkitur në Kosovë dhe për ekonominë që e ka shkatërruar”, u shpreh ai.

“Unë personalisht akoma kam edhe mundime psikike, por edhe shpirtërore, po e shoh në ëndërr dhunë që më ushtrohet dhe torturat që kam pasur nga xhandarmëria serbe dhe nga burgosjet. I shoh në ëndërr nga dy- tre herë në javë rastet kur policia serbe na gjuajnë atë helmin e tmerrshëm, sepse këtë ngjarje unë vetë e kam përjetuar, pastaj shoh sikur më gjuajnë të më vrasin me pushkë automatike për të më vrarë... shoh gjithçka që më frikëson gjatë natës, kështu që unë jam ai i pari që e kam iniciuar këtë yshtje në Podujevë, dhe në Kosovë për t’i bërë padi Serbisë në Gjykatën e Strasburgut. Po ashtu do të punojmë për ta nënshkruar edhe një peticion, që atë t’ia dërgojmë me kërkesë Qeverisë së Kosovës, në mënyrë që edhe këta ta ngrisin këtë çështje dhe ta bëjnë temë në tavolinën e bisedimeve”, tha Nazmi Bajra për “Kosova Sot”.

Bajra rrëfen edhe për atë që i kanë thënë personalisht gjykatësit e Strasburgut për mundësinë e fitimit të padisë kundër Serbisë. “Unë kam qenë personalisht në Strasburg , në shtator të vitit të kaluar. Më ka shtyrë të shkoj atje pikërisht deklarata e Gani Shalës, kryetar i IKD-së sipas të cilit Kosova nuk paska të drejtë që ta padisë Serbinë në Gjykatën e Strasburgut. Ai me këtë na ka fyer dhe na ka ofenduar rëndë dhe ai gabim e ofendim kurrë nuk i falet. Deklarata e tij më ka shtyrë të shkoj në Strasburg. Kam qenë dhe kam biseduar me prokurorin, kam biseduar më zyrtarin ligjor, dhe me një avokat, atje më kanë thënë se nuk është e vërtetë që Kosova ka pengesë për padi, pasi nuk është anëtare e këshillit të Evropës.

Neve nuk na intereson a është anëtare e Këshillit të Evropës apo jo, por ne merremi me çështjen e anës ligjore, sepse keni plotësisht të drejtë, bile më thanë se veç jemi vonuar më kanë thënë se po ta kishit paditur ju Serbinë për helmime dhe për dhunimet seksuale ndaj femrave shqiptare. Po ta kishit paditur për masakrën dhe për dëmet e luftës, plaçkitjen e buxhetit Serbia do të ishte dënuar me gjoba që nuk do të mund t’i kompensonte për një shekull dhe do të përjashtohej nga çdo organizëm ndërkombëtar”, tha Bajra, duke shprehë dyshimin që edhe për padi kundër këtyre helmimeve ka ndikuar Qeveria e Kosovës për ta penguar si proces, sikurse krimet tjera dhe dëmet e luftës.

Image
Nazmi Bajra

Pushtetarët punojnë për interesa personale

Bajra thotë se aty ka qenë dëshmitar i shumë padive individuale që kanë ushtruar aktorë të rëndësishëm në polikëbërjen e sotme të Kosovës. “E ka hapur dollapin dhe më ka thënë ja po t’i tregojë disa padi nga shqiptarët për raste të ndryshme. Aty kam parë emra të ministrave, kam parë emra të deputetëve, kam parë emra të biznesmenëve që kanë shkuar për ta bërë një padi atje vetëm për çështjet diskutabile të pronës për interesat personale. Tash le ta shtrojmë pyetjen se sa ia vlen një pronë dhe interes personal dhe sa ia vlen gjenocidi në rrafshin kombëtar”, thotë Nazmi Bajra, sipas të cilit, duke heshtur tani po e favorizojmë armikun dhe kjo nuk duhet lejuar.

E, sa u takon helmimeve që kanë ndodhur në Podujevë, ai thotë se mban edhe shënimet e dëshmisë së një gruaje serbe, Marija Labud, viktimë e helmime rastësisht ka qëlluar edhe nipi i saj, djali i djalit. Bajra thotë së është një nga anëtarët e personelit më të goditur asokohe nga helmet e hedhura prej njerëzve të shërbimit sekret serb, sepse duke pastruar hapësirat e shkollës ai ka mundur të ketë edhe kontakte të drejtpërdrejta me helmet, kështu që në trajtim mjekësor ka qëndruar plot 13 ditë, e dëshmon edhe me kopjen e fletë lëshimit.

Image
Nazmi Bajgora

Rrëfimi i Bajgores

Dëshmitar i helmimeve të asaj kohë në Podujevë, dhe në mbështetje të iniciativës për padi në Strasburg dhe peticion për Qeverinë e Kosovës është edhe Nazmi Bajgora, ish-punëtor arsimi në shkollën e mesme dhe tani i pensionuar. “Kam punuar në Gjimnazin – QAMO ”8 Nëntori” dhe tani në fund edhe në QMTL “Fan S. Noli” në Podujevë prej ku edhe jam pensionuar më 17.02.2015. Helmimet janë bërë nga strukturat e sigurimit të Serbisë më 20 mars 1990 diku rreth orës 8.20, kur kanë filluar. Unë në orën e parë kam ardhur nga aneksi në QAMO, pasi aneksi është ish- shkolla “Enver Maloku” dhe kur kam hyrë në korridor, nuk ka vonuar shumë, rreth 15 minuta pas fillimit të orës së parë kur kanë dalë dy -tre vajza në gjendje të ligshtë që i ka marrë dikush për t’i nxjerrë kinse në ajër të pastër.

Mirëpo, ato veç kanë qenë aq të ligështuara, janë dorëzuar tërësisht pa vetëdije dhe janë detyruar t’i dërgojnë me një automjet në spitalin e qytetit dhe prej aty me urgjencë për në Prishtinë. Nuk ka filluar shumë dhe përnjëherë kanë filluar të përsëriten rastet të tjera dhe deri në fund të orës kanë dalë nga klasat rreth 15 nxënës, në fillim vetëm vajzat e më pas edhe djemtë. Pas orës së parë, kur nxënësit kanë dalë në oborr , edhe aty kanë filluar akoma më shumë të paraqiten rastet masive, kryesisht kush e ka frekuentuar një kënd të hapësirës publike pranë shkollës në afërsi të plepit, pikërisht para shkallëve të QAMO “8 Nëntori”.

Kundërmimi i erës së helmit ka ardhur nga një pjesë e pashtruar e trotuarit dhe kushdo që ka qarkulluar andej i është paraqitur ai lloj helmimi, nga i cili më pastaj kanë pësuar edhe ata profesorë apo nxënës që kanë ndihmuar të infektuarit e parë”, rrëfen ai. “Ne kemi dyshuar që është një helm, substancë toksike, sepse vërtet ka pasur ndikime dhe reagime të tmerrshme, e për helmet e tilla toksike patëm mësuar si ushtar në ish- Jugosllavi. Kjo valë helmimi, kur nxënësit binin përtokë si pulat pa kokë, ka zgjatur rreth dy orë”, thotë Nazmi Bajgora për “Kosova Sot”.

Image
Idriz Gashi

Trotuari ishte mbushur me nxënës të helmuar

Dëshmitari tjetër i asaj kohe Idriz Gashi, ish- punëtor arsimi i përjashtuar në vitin 1981 dhe i punësuar më vonë në qendrën tregtare “LLAPI” , thotë se ka qenë i pari që ka intervenuar me veturë për bartjen e nxënësve të helmuar nga Shkolla për në spitalin e qytetit, dhe më tutje në Prishtinë, pasi në Podujevë nuk kishte hapësirë dhe as mundësi trajtimi. “Aty kam pasur disa shokë, të cilët erdhën prej gjimnazit rreth orës 9 para dite dhe më njoftuan çka po ndodhte atje lart te shkolla. Unë e kisha një veturë “Lada” para Shtëpisë së Mallrave dhe e marr edhe një tregtar timin aty e kemi shkuar drejt në QAMO, ku kemi parë që përskaj trotuarit ishte mbushur plot më nxënës të shtrirë të helmuar edhe pa një pa dy e kemi ndalur veturën, i kemi parë tre ish- kolegë të mi duke pritur aty. Ata kanë thënë se pa marrë leje nuk guxojnë me i dërgua nxënësit te mjeku, por unë e kam parë gjendjen e rëndë dhe pa leje të askujt e kam kthyer veturën kam ngarkuar disa nxënës, sa ka nxënë automjeti dhe i pari i kam dërguar grupin e parë të nxënësve për t’ju dhënë ndihmë te mjeku”, u shpreh ai.

Idriz Gashi tregon se si pasojë e transportimit të nxënësve të helmuar dhe mbajtjes së tyre në veturë gjatë transportit, është helmuar edhe ai shumë rëndë për çka ndjenë akoma disa pasoja, pavarësisht trajtimit mjekësor të cilin e ka pasur një kohë të gjatë. Pas grupit të parë në spitalin e qytetit ai thotë se grupet tjera i ka dërguar në Prishtinë ku edhe atje kanë hasur në spital në grupe nxënësish të helmuar shqiptar, gjithandej nëpër shkollat e Kosovës. “Prej atyre nxënësve më ka rrokur edhe mua dhe më kanë detyruar dhe mua që të shtrihem në spital, sepse shumë shpejt më ka humbur vetëdija dhe tre ditë e tre net nuk e kam ditur ku jam, as të afërmit e mi nuk e kanë ditur ku jam dhe nëse jam në spital”, tha Gashi, i cili lavdëron stafin e kuadrit shëndetësor të Kosovës, për kujdesin e treguar ndaj të helmuarve, madje edhe pse në mesin e tyre kishte pjesëtarë të komunitetit serb. Gashi shton se gjendja e tij ka qenë shumë e rëndë saqë nga drejtori serb i Repartit të Neuropsikiatrisë, i është dhënë udhëzimi për të shkuar dhe për t’u mjekuar në Slloveni, në Lubjanë, mirëpo nuk i ka pasur kushtet materiale për të udhëtuar atje.

Mirëpo, kolegu i tij tjetër i punës Ramadan Topanica thotë se ka shkuar dhe është mjekuar në Lubjanë dhe nga ai mjekim ka rezultuar shërimi i suksesshëm. Ai tani pasojat e atij helmimi të vitit 1990 i ka ndjerë edhe gjatë luftës, si ushtar i UÇK-së kur në fshatin Dobratin shtrija serbe ka hedhur edhe substanca helmuese ndaj ushtarëve të lirës, por ky si më i ndjeshmi më trashëgimi nga viti 1990 e ka ndjerë më së shumti, për çka ka mbetur dy muaj ditë në gjendje të rëndë dhe të palëvizshme.

“Tani nga ajo kohë e helmimit kam pasojë në problemet me shikim, probleme të syve, i kam bërë të dy sytë operacion, por më pastaj ka ardhur edhe te paraqitja e sëmundjes së sheqerit si pasojë e trashëgimit të vazhdueshëm të ndikimit nga ato helmime. Tani edhe unë mendoj se duhet të mobilizohemi për ta paditur Serbinë për të gjitha krimet që ka bërë, edhe ato në ish- Jugosllavi, sepse Serbia këto veprime i ka bërë sipas projektit të Akademisë së Shkencave Serbe për t’i zhdukur shqiptarët kudo që janë”, tha dëshmitari Hamdi Gashi.

(Kosova Sot)