Aksioni që vendosi në pranga Gjuriqin, prokuroria po heton policët që kryen arrestimin

  • 28 March 2019 - 11:10
Aksioni që vendosi në pranga Gjuriqin, prokuroria po heton policët që kryen arrestimin

Operacioni i organizuar në veri të Mitrovicës për arrestimin e Marko Gjuriq kishte nervozuar shtetin serb, që pavarësisht hyrjes pa leje në vend pati kërkuar hetim të të gjithë policëve që kishin marrë pjesë në aksionin e asaj dite, duke i quajtur terroristë e duke i akuzuar për maltretim të zyrtarit serb. Tash kur kanë kaluar një vit prej kur ka ndodhur rasti, IPK veçse ka dorëzuar në prokurorinë e Mitrovicës një dosje për policët që kryen aksionin, ndërkaq, prokuroria në Mitrovicë ka filluar hetimet

Një ditë pasi u arrestua në Kosovë e pastaj u dëbua për në Serbi, drejtori i të ashtuquajturës zyrë serbe për Kosovën Marko Gjuriq u takua me Aleksandër Vuçiq e me përfaqësuesit e Listës Serbe nga ku u ankua se e kishin rrahur e maltretuar policia kosovare.

“Ata më hipën në një nga transportierët, më goditën, u përpoqën të më trembnin, më godisnin me pushkë në bark, e nxorën thikën dhe bënin selfie. Këta nuk janë për mua policë, por banda terroriste”, deklaronte Gjuriq duke thënë se kishte dhimbje e nuk ndihej mirë.

Pas arrestimit, Lista Serbe u largua nga Qeveria e Kosovës e që nga atëherë nuk kanë marrë pjesë në mbledhje të ekzekutivit.

Përveç këtij paralajmërimi, për Policinë e Kosovës, ishte ankuar edhe zëvendës ministri i Punëve të Brendshme, Milan Radojeviq që nga Inspektorati Policor kishte kërkuar hetimet e atyre që kishin marrë pjesë në arrestim të Gjuriqit.

Inspektorati Policor i Kosovës kanë bërë të ditur për media  se kishte filluar hetimet, ndërkaq, kishte përcjellë edhe një raport për rastin, në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.

“IPK ka pranuar një ankesë lidhur me këtë rast e cila fillimisht është trajtuar në Departamentin për menaxhimin e ankesave e pastaj në Departamentin e hetimeve.

“Hetuesit e IPK-së kanë ndërmarrë disa veprime hetimore lidhur me këtë rast dhe kanë dërguar një raport njoftues te Prokuroria Themelore ne Mitrovicë”, kanë bërë të ditur nga IPK për media

Derisa në prokurorinë përgjegjëse është dërguar raporti nga IPK në qershor të vitit të kaluar, ata bëjnë të ditur se lidhur me rastin janë duke kryer ende hetime.

“Vitin e kaluar më 7 qershor 2018-të e kanë dorëzuar raportin hetimor. Prokuroria e ka marrë landën po për shkak të hetimeve nuk mund të jepen më shumë detaje”, i ka thënë medias, Valon Preteni, zyrtar për informim në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës, pa dhënë detaje se për sa pjesëtarë të policisë bëhet fjalë.

Pas kësaj ankese, është deklaruar një avokat i vendit, që për të gjithë ata pjesëtarë të Policisë që mund të përballen me ligjin për atë aksion të arrestimit, ka ofruar shërbime profesionale ligjore pa pagesë.

Arrestimi i Marko Gjuriq ne Prishtine

 “Zyrtarët policorë, të cilët kanë marrë pjesë në mënyrë aktive me rastin e zbatimit të vendimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës me ndërhyrjen dhe arrestimin e Marko Gjuriqit, mund të përfitojnë në bazë të Ligjit në fuqi, shërbime profesionale pa pagesë të njohura si pro bono nga zyra ime e avokaturës, në rast se kundër tyre fillojnë dhe zhvillohen procedura të mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast”, ka thënë avokat Musa Damati.

Derisa Gjuriq një vit më parë nuk i pati përfillur institucionet e vendit, serbët në Kosovë kishin vazhduar që vetëm teknikisht të mbeteshin pjesë e institucioneve.

Situata me ta u përkeqësua kur qeveria rriti taksën për produktet serbe e boshnjake në 100 për qind.

Që nga atëherë, katër komuna serbe në veri kanë mbetur pa kryetarë, ndërkaq, dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë është pezulluar deri në heqje të masës. Shteti serb insiston që Kosova ta heq taksën, mirëpo, kjo është e mundur të ndodhë sipas kryeministrit Ramush Haradinaj  vetëm atëherë kur Kosova njeh Serbinë, shtet të pavarur.

Arrestimi i Marko Gjuriq pati marrë vëmendjen edhe të mediave ndërkombëtare, që patën shkruar për aksionin e asaj dite, ndërkaq, të dy vendeve iu ishte kërkuar që të distancohen nga provokimet e mundshme.

(Kosova Sot)