Qarri: Populli i dërrmuar, shpresat te ‘Dragodani’

  • 28 March 2019 - 12:28
Qarri: Populli i dërrmuar, shpresat te ‘Dragodani’

Analisti Gani Qarri thekson se fakti se vetëm pas kërkesës së prerë të ambasadorit amerikan Philipp Kossnet, presidenti i shantazhuar i Kosovës u detyrua që ta zhbllokojë KQZ-në dëshmon se, pas më tepër se një viti pritjeje e stagnimi, deri te ky vendim i Thaçit erdhi si pasojë e presionit amerikan.

‘Gjendja kaotike në vend jo vetëm që vërteton edhe një herë më tepër se Kosova njëmend vazhdon të udhëhiqet nga politikanë të dështuar dhe të inkriminuar deri në fyt, por zbulon dhe nxjerr në shesh lakuriq faktet dhe argumentet më turpëruese të veprimeve mafioze dhe kundërligjore të Hashim Thaçit & CO, të cilët tash e 20 vjet sundojnë Kosovën me direktiva të Serbisë dhe Aleksandër Vuçiqit.

E përderisa populli i Kosovës shihet qartë se është i paaftë dhe i pafuqishëm për të bërë ndryshime politike dhe larguar kriminelët nga udhëheqja e vendit, është nevojë urgjente dhe domosdo e patejkalueshme që SHBA-ja sa më parë të largojë kriminelët nga pushteti dhe marrë vetë në dorë drejtimin e shtetit tonë”, u shpreh ai.

Sipas Qarrit, ky vendim nuk duhet të shtyhet më tej, por të ndodhë urgjentisht, jo më me kërkesa dhe ultimatume drejtuar politikanëve të djallëzuar e te tejinkriminuar kosovarë, të cilët vetëm me shitje tokash të vendit dhe veprimet mafioze në kurriz të qytetarëve janë bërë aq bajat, sa po ua çojnë gërdinë të gjithë kosovarëve, duke qëndruar, që nga paslufta me forcë në pushtet. “Ndaj duke qenë i paaftë dhe i paorganizuar në masën që do të mundësonte ndryshimet në vend, populli i vuajtur i Kosovës mbështetjen e vetme dhe shpresën e fundit e ka tek Amerika dhe ambasadori i ri amerikan, z. Philipp Kossnet.

Vetëm me ndërhyrjen dhe vendosjen nga SHBA-ja të një guvernatori amerikan në krye të vendit, pas 20 vitesh stagnimi dhe sundimit të deritanishëm mafioze, mund të ndryshojë diçka pozitive edhe në Kosovë, duke marrë mbikëqyrjen e plotë nga Amerika edhe në vitin 2019, ashtu siç pati nevojë për ndërhyrjen e Amerikës në vitin 1999, kur vetëm me ndihmën e SHBA-ve populli i Kosovës arriti të mbijetojë dhe shpëtojë nga regjimi kriminal i Milosheviqit!”, ka thënë analisti Gani Qarri për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)