Tre muaj në arrati, policia kap djalin e Sabit Gecit, i dyshuar për fajde dhe vepra tjera penale

  • 28 March 2019 - 13:03
Tre muaj në arrati, policia kap djalin e Sabit Gecit, i dyshuar për fajde dhe vepra tjera penale

Alban Geci është prangosur dje, pas tre muajsh në arrati. Policia e ka kapur në rrugën “Nazmi Mustafa” në Prishtinë, i cili më pas është dërguar në qendrën e mbajtjes në Hajvali.

Një bastisje nga ana e Policisë së Kosovës u realizua në fund të muajit dhjetor. Ndër lokacionet e bastisura ishte edhe shtëpia e ish-komandantit të njohur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sabit Geci. Kjo ngjarje mori vëmendje sepse i dyshuar për përfshirjen në një rrjet të krimit të organizuar dhe fajdes ishte edhe djali i Gecit, Albani.

Bastisja në shtëpinë e Gecëve rezultoi e pasuksesshme për Policinë. I dyshuari Alban Geci nuk arriti të kapet nga njësia speciale dhe i njëjti ishte në arrati që nga 21 dhjetori deri më dje.

Pas tre muajsh ai u arrestua nga policia. Kjo u bë e ditur përmes raportit 24 orësh.

“Rr. “Nazmi Mustafa”, Prishtinë 27.03.2019-11:00. Në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë është arrestuar i dyshuari mashkull K/Shqiptar dhe i njëjti është dërguar në qendrën e mbajtjes në Hajvali”, njofton policia.

Po atë ditë dhjetori policia ka arrestuar edhe këta persona për vepra të ndryshme penale: , D. B. (1968), Rr. B. (1995), I. S. (1988), L. B. (1978) dhe B. G. (1981).

Gjatë këtij operacioni policor janë sekuestruar si prova materiale 16 mijë Euro para të gatshme, pesë vetura, një motor udhëtarësh, 10 telefona celularë, 1 laptop, dy DVR, 12 fishekë të kalibrave të ndryshëm, 4 shtëpiza kompjuteri, 4 aparate të lojërave të fatit, si dhe dokumente tjera të cilat mund të përdoren për vazhdim të procedurës penale.

(Kosova Sot)