Milaim Zeka e quan organizatë mafioze SBASHK-un

  • 28 March 2019 - 13:59
Milaim Zeka e quan organizatë mafioze SBASHK-un

Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka e ka quajtur mafioze Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës e Teknologjisë, pasi sipas tij, këta të fundit kanë bërë marrëveshje me shumë parti politike, e madje edhe me liderët shtetërorë.

Zeka, gjatë seancës të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, me kërkesë të 42 deputetëve për orët e humbura gjatë grevës tri javore,  tha se SBASHK asnjëherë nuk është marrë me problemet e arsimit, përveç se kanë bërë marrëveshje e memorandume politike.

Sipas deputetit Zeka, seanca e tjetër e jashtëzakonshme për lojërat e fatit, e thirrur për sot, është e panevojshme derisa ka pasur edhe  një kërkesë për ministrin e Arsimit, Shyqiri Bytyqi.

“Do t’i sugjeroja ministrit të Arsimit t’i marrë transkriptet e krejt këtyre debateve dhe të botojë një libër me titull “Përrallat e Parlamentit”. Shumica absolute e këtij parlamenti, duke përfshirë edhe kryetarin e Kuvendit të Kosovës, kur kemi qenë fëmijë, 99 për qind prej neve kurrë përralla nuk kemi dëgjuar.

Edhe me lezet shumë të madh po i lexojmë përrallat e njëri-tjetrit, sot këtu në Kuvend”, ka përfunduar ai.

(Kosova Sot)