Gjykata merr vendim për djalin e Sabit Gecit

  • 28 March 2019 - 14:40
Gjykata merr vendim për djalin e Sabit Gecit

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar një muaj paraburgim ndaj djalit të Sabit Gecit, Albanit, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale, “pjesëmarrje ose organizimi i grupit criminal”, “Detyrimi” dhe “Fajde”, thuhet në njoftimin dërguar mediave.

“Gjykata ka marrë aktvendim dhe të pandehurit A.G iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

“Ekziston dyshimi i arsyeshëm se i pandehuri A.G bashkë me të pandehurit RR.B, I.S, G.R i cili gjendet në arrati, L.B dhe B.G, që një kohë të gjatë janë anëtar të grupit të organizuar kriminal i cili grup me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë të dobisë financiare, vazhdimisht kryejnë vepra të rënda penale, së pari duke siguruar një numër të caktuar të personave të ndryshëm, në të shumtën e rasteve personave që kanë pasur biznese dhe njëkohësisht duke e shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të dëmtuarve, kontraktojnë shuma dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për personin tjetër, si në disa raste të dëmtuarve u ka dhënë shuma në vlera prej qindra mijëra euro dhe kur të dëmtuarit nuk kanë arritur që të ua kthejnë të njëjtat në kohë, janë detyruar me përdorim të forcës apo kanosjes që të paguajnë shuma dukshëm jo proporcionale, me të cilat veprime të dëmtuarit  i sjellin në pozitë të pa lakmueshme, për çka të njëjtit detyrohen që të shesin pasurinë e tyre.

Gjykata ka konstatuar se lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë është caktuar  masa së paraburgimit kundër të pandehurit A.G pasi që i njëjti dyshohet për vepra të rënda penale, andaj po të gjendet në liri ekziston rreziku i ikjes së tij me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale dhe në këtë mënyrë do të pengonte rrjedhën e procedurës penale duke fshehur, ndryshuar ose falsifikuar provat e veprës penale si dhe duke ndikuar tek të dëmtuarit dhe në dëshmitarë”, përfundon njoftimi.

(Kosova Sot)