Shteti ua komplikon edhe më shumë qytetarëve pajisjen me viza

  • 28 March 2019 - 16:14
Shteti ua komplikon edhe më shumë qytetarëve pajisjen me viza

Agjencia e Regjistrimit Civil në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka njoftuar se ende nuk është përzgjedhur operatori për furnizim me dokumente të Zyrave të Gjendjes Civile nëpër të gjitha komunat e Republikës së Kosovës, duke udhëzuar kështu këto zyra që në mungesë të formularëve, t’i shtypin ato në letër të bardhë.

Të gjitha këto zyra janë të detyruara të veprojnë sipas këtij udhëzimi të ARC-së, deri në një vendim tjetër.

Ky do të jetë një lajm i keq për qytetarët kosovarë të cilët planifikojnë të aplikojnë për ndonjë vizë në ndonjë prej ambasadave të huaja që gjenden në Kosovë, pasi që certifikatat që lëshohen në letër të bardhë mund të shfrytëzohen vetëm për përdorim të brendshëm në të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës.

“Këto dokumente do të përdoren vetëm për përdorim të brendshëm në të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga MPB.

Pas lëshimit të kësaj komunikate,media është interesuar dhe ka kërkuar sqarime shtesë nga zyra për media e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Ata kanë treguar se Prishtina është qendra që ka më së shumti mungesë të dokumenteve nëpër Zyrat e Gjendjes Civile, ndërsa nëpër komunat tjera gjendja është pak më e mirë.

“ Ne iu kemi thënë që formularët(dokumentet origjinale) të cilat iu kanë mbetur t’i ruajnë për qytetarët të cilëve do t’iu duhen për të aplikuar nëpër ambasada të huaja”, kanë thënë nga zyra për media e MPB-së, duke konfirmuar edhe një herë që certifikatat që lëshohen në letër të bardhë nuk mund t’i shfrytëzojnë për të kryer punë jashtë Kosovës.

E gjithë kjo ngatërrese ka ardhur si pasojë e vonesave në tender për furnizim me dokumentet të Gjendjes Civile, dhe gjendja do të vazhdojë të mbetet e tillë derisa të përzgjidhet operatori.

“Agjencia e Regjistrimit Civil e Ministrisë së Punëve të Brendshme, me kohë ka planifikuar inicimin e zhvillimit të procedurave të prokurimit për furnizim me dokumente të Gjendjes Civile për Zyrat Komunale të Gjendjes Civile, mirëpo për arsye procedurale  ende nuk është përzgjedhur operatori për furnizim me dokumente të Gjendjes Civile”, njofton MBP.

Kjo Agjenci që nga sot ka kërkuar nga Zyrat e Gjendjes Civile që në mungesë të formularëve të përdoret letra e bardhë.

“Më këtë rast Agjencia e Regjistrimit Civil, si organi më i lartë i gjendjes civile në Republikën e Kosovës ka kërkuar nga të gjitha Zyrat Komunale të Gjendjes Civile në Kosovë që në mungesë të formularëve të përdorën metodat alternative.ARC u ka dërguar një njoftim të gjitha zyrave të gjendjes civile, që në mungesë të formularëve(dokumenteve të gjendjes civile), me qëllim të realizmit të drejtave të qytetarëve për pajisje me dokumente të gjendjes civile, nga sot më datë 28.03.2019, të fillohet me lëshimin e dokumenteve me letër të bardhë nga sistemi i gjendjes civile, deri në njoftimin tjetër”, vazhdon njoftimi.

Kjo Ministri ka kërkuar falje për këtë situatë, dhe thonë se shërbimi për qytetarët do të jetë prioritet i kësaj ministrie.

(Kosova Sot)