Menduan se instrumenti muzikor ishte pushkë, izolohet stacioni i trenit

  • 28 March 2019 - 20:25
Menduan se instrumenti muzikor ishte pushkë, izolohet stacioni i trenit

Panik dhe tollovi e madhe në hekurudhat e Australisë, të enjten në mëngjes.

Kjo pasi që policia evakuoi një stacion të trenit në Melburn, pasi që instrumenti muzikor i një performuesi të rrugëve gabimisht u mendua që ishte pushkë.

Policia duke mbajtur mburojë të trupit dhe të pajisur me armë të gjata iu përgjigj një thirrjeje, për gjoja një njeri të armatosur në stacionin e trenit Flagstaff, diku rreth orës 8.30. Kjo shkaktoi vonesa të shumta në udhëtime, shkruan Fox News.

Raportimi për një njeri të armatosur doli të ishte një alarm i rrejshëm, pasi që ishte vetëm një performues i rrugëve i cili po përgatitej të luante me instrumentin e tij muzikor. Instrumenti muzikor vendas quhet “didgeridoo”, dhe ka një formë të çuditshme.

Djaloshi që u ndal gabimisht nga policia më vonë u tha gazetarëve se ai ishte liruar shpejt.

Policia deklaroi se asnjë armë zjarri nuk u gjet në stacionin e trenit dhe qarkullimi iu kthye normalitetit. 

(Kosova Sot)