Haradinaj përfundimisht i vetëm, as Limaj s’e mbështet më për taksën

  • 28 March 2019 - 21:36
Haradinaj përfundimisht i vetëm, as Limaj s’e mbështet më për taksën

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, ka thënë se kryeministri Ramush Haradinaj me kërkesën që Serbia ta njohë Kosovën nëse duan që të hiqet taksa, ka shkuar përtej vendimit të përbashkët për vendosjen e taksës.

Ai ka thënë se taksa ka arritur qëllimin e vet si vendim politik.

“Ka ardhur një moment kur vendimet politike si vendosja e taksës i ka shkund zyrtarët serb, e kanë parë që ne e kemi shumë seriozisht dhe ndoshta këto kanë qenë sinjale nga Serbia që janë të gatshëm të fillojnë e ta respektojnë këtë shtet”, ka thënë Limaj, raporton ktv.

(Kosova Sot)

“Vendimet politike nuk janë të përjetshme, ka arrit qëllimin e vetë, nëse ki arritur në stazën ku keni dashur të shkoni atëherë duhet të ulesh e t’i diskutosh”, ka thënë ai.

“Natyrisht rrugës e sipër kryeministri ka shkuar një hap më tutje. Ka ec më tej qëndrimit të përbashkët. E ka dërguar taksën deri te njohja. Të gjithë do të donim ashtu, por realisht e dimë të gjithë që herët a vonë do duhet të kemi një dialog me Serbinë”.

I pyetur se sa ka kohë që nuk janë takuar partnerët e koalicionit Kadri Veseli dhe Ramush Haradinaj, Limaj bëri të ditur se ka tri javë mirëpo sipas tij, do të kenë takimin e përbashkët nesër.

Ai tha se nuk ka njohuri që kryetari i Kuvendit dhe kryeministri nuk flasin mes vete.