Prokuroria e Specializuar…për Dështime

  • 29 March 2019 - 07:52
Prokuroria e Specializuar…për Dështime

Kapiti: Mafio-oligarkia është vetë sistemi, i cili ka kapur shtetin, shoqërinë, drejtësinë dhe ligjin

“Zaten, është vetë politika e inkriminuar armiku më i madh që po kërcënon e shkatërron cilësinë e zgjedhjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve, e të cilët nuk mbajnë kurrfarë përgjegjësie apo llogaridhënie për mospunën, dështimet dhe lidhjet e tyre me grupet kriminale dhe nëntokën, duke bërë kështu në të shumtën edhe avokatinë e djallit kundrejt krimit të organizuar e korrupsionit.

Faktikisht do të duhej të zëvendësohen sa më parë të korruptuarit, të involvuarit në krim të organizuar dhe korrupsion, por edhe të paaftët e këtij sistemi të degraduar të drejtësisë, me njerëz të tjerë me integritet, etikë, moral dhe nivel të lartë profesional”, thotë analisti Naim Kelmendi për “Kosova Sot”

Drejtësia kosovare vazhdon të ketë një performancë skandaloze. Gjatë vitit që lamë pas Prokuroria Speciale i ka përfunduar vetëm 5 raste të korrupsionit me aktakuzë, edhe atë korrupsion të niveli të ulët! Por, edhe pse është ky bilanc i dobët brenda institucionit në të cilin janë 15 prokurorë, askush nuk kërkon përgjegjësi nga prokurorët e kapur nga mafio-oligarkia politike e mafiozët e bizneseve të pista.

Analistët alarmojnë se shumica e prokurorëve dhe sistemit të drejtësisë janë vënë në shërbim të pushtetarëve të inkriminuar dhe nëntokës kriminale, ndërsa po hedhen poshtë pa asnjë bazë ligjore edhe shumë padi penale për zyrtarë të lartë dhe pushtetarë të niveleve të larta të bëra nga qytetarët, pasi me vite të tëra fillimisht po vegjetojnë në tavolinat e prokurorëve.

Sipas analistëve, është e qartë se kjo strukturë e prokurorëve, gjyqtarëve dhe policisë, nuk ka shans që të hapin apo të gjykojnë asnjë rast të “peshqve të mëdhenj” të politikës , të cilët edhe janë kapot e krimit në Kosovë, edhe atë për hiq më pak se 20 vjet rresht.

Image
Skënder Kapiti

Kapiti: Ligji zbatohet në mënyrë selektive

Analisti Skënder Kapiti thekson se drejtësia në Kosovë realisht ka dështuar, pasi asnjëherë në të vërtetë as nuk është se ka funksionuar ndonjëherë.“Kur për një vit Prokuroria përfundon 5 lëndë, madje edhe këto për korrupsion të nivelit të ulët, në një kohë kur problemi më i rëndë dhe me shqetësues në Kosovë është krimi i organizuar dhe korrupsioni i lartë institucional ky është tregues i asaj gjendjeje mjerane ku ndodhet shteti i Kosovës sot.

Realiteti tregon kështu, pra, se në Kosovë nuk funksionon shteti ligjor dhe as drejtësia. Deficiti më i madh që ka sot Kosova janë demokracia dhe ligjshmëria”, u shpreh ai për “Kosova Sot”. Sipas tij, ligji zbatohet si dëshiron dhe kur do dhe urdhëron politika, dhe pushteti. “Ligji zbatohet në mënyrë selektive dhe të korruptuar, pra sundon më saktë antiligji apo ligji i më të fortëve, ai i xhunglës. Me këtë politikë, me këtë kastë e klasë politike të inkriminuar, të papërgjegjshme, të kriminalizuar dhe të korruptuar, nuk ka shans që të çmontohet nga pushteti mafio-oligarkia, pasi mafio-oligarkia është vetë sistemi, i cili ka kapur shtetin, shoqërinë, drejtësinë dhe ligjin.

Ky realitet në Kosove është i tillë, sepse lindi i tillë dhe vazhdon të jetë i tillë që prej 20 vjetësh, ashtu sikurse edhe në Shqipëri që është po i tillë që prej 30 vjetësh. Dhe, nuk ka rrugë tjetër për të ngritur sistemin dhe shtetin ligjor në Kosovë, përveçse miratimi i një VETTING-u i monitoruar nga SHBA-ja, ashtu sikurse u veprua në Shqipëri”, ka thënë më tej Kapiti.

Image
Naim Miftari

Miftari: Prokurorët specialë, kukulla të mafisë

“Rezultati i Prokurorisë të ashtuquajtur Speciale i vitit 2018 me vetëm pesë raste të zgjedhura, raste të ulëta të korrupsionit, tregon shumë qartë se Prokuroria Speciale është edhe vetë "Speciale e korruptuar" dhe e kontrolluar nga mafia politike që politikën e përdor vetëm si paravan për ta vjedhur dhe për ta shkatërruar ardhmërinë e këtij shteti.

Paramendoni, janë 15 prokurorë kukulla speciale të mafisë politike dhe kanë kryer 5 lëndë për korrupsion të ulët, pra njerëz që janë korruptuar me nga 100 euro, domethënë kriminelë të ulët. Një shtet që kontrollohet nga krimi i organizuar që ka futur nën kontroll edhe shumicën e partive politike, pastaj pushtetin, Qeverinë, Parlamentin, gjyqësinë, policinë, prokurorinë, një shtet ku mbi 90% edhe televizionet, radiot, shtypin dhe mediat e tjera i kontrollon krimi i organizuar, atëherë ai vend, ai shtet, nuk ka ardhmëri”, tha për “Kosova Sot” Naim Miftari.

Image
Blerim Burjani

Burjani: Profilet e larta, të inkriminuara, të paprekshme

“Prokuroria asnjë rast nuk e ka filluar ex officio, pra sipas detyrës zyrtare për personat e nivelit të lartë që kanë bërë krim politik korruptiv. Prapa shumë rasteve qëndrojnë liderë politikë të partive, andaj korruptuesit janë duke vepruar nën urdhra të liderëve dhe s’ka kush që i ndal ata.

Prokuroria nuk arriti asnjë rast ta ngrejë në formë aktakuze, duke pasur parasysh se shumica e këtyre njerëzve veprojnë në hallkë apo zinxhirkryes masiv të veprave penale të korrupsionit, nepotizmit dhe zhvatjes. S’ka deri tash asnjë rast të ndjekjes penale të profilit të lartë dhe asnjë person që është dënuar për vepër penale të korrupsionit, zhvatjes apo nepotizmit, zhgënjim i madh është duke mbretëruar nga bashkësia ndërkombëtare. Zhvatja e pasurive publike është e madhe dhe e pandalshme.

Pa ndryshime në qeverisje të shtetit nuk ka ndryshim të veprimit të organeve të rendit”, ka vlerësuar Blerim Burjani për “Kosova Sot”.

Image
Naim Kelmendi

Kaos në sistemin e drejtësisë

Analisti Naim Kelmendi u shpreh se për sa kohë mbizotëron ky kaos në sistemin e drejtësisë, nga kjo gjendje katandisëse e drejtësisë kosovare përfitojnë politikanët e inkriminuar, si në nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal, bashkë me mafio-oligarkët, ngase derisa është kapur një sistem i tërë prej mafio-oligarkëve të kriminalizuar politikë, nëntokës mafioze dhe mafio-oligarkëve të bizneseve kriminale, kështu kurrënjëherë nuk do të ndiqen nga kjo drejtësi e kalbur.

“Në të vërtetë për kaq vite dhe në vijim, politika dhe drejtësia po sillen si një shoqëri a korporatë aksionare, ku secila shikon interesat dhe përfitimet e veta, e në asnjë mënyrë interesat e qytetarëve. Në Kosovë për 20 vjet rresht, drejtësia dhe politika janë mëkatarët dhe shkatërruesit më të mëdhenj të kësaj shoqërie korporativo-kriminale, ku asnjëra palë nuk kryen detyrimet që ka me ligj, por secila në kurriz të popullit pasurohet kriminalisht, pa ia prishur tymin e duhanit njëra-tjetrës, kjo zaten edhe e ka shkatërruar sundimin e ligjit dhe rendit në Kosovë”, potencoi ai.

“Zaten, është vetë politika e inkriminuar armiku më i madh që po kërcënon e shkatërron cilësinë e zgjedhjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve, e të cilët nuk mbajnë kurrfarë përgjegjësie apo llogaridhënie për mospunën, dështimet dhe lidhjet e tyre me grupet kriminale dhe nëntokën, duke bërë kështu në të shumtën edhe avokatinë e djallit kundrejt krimit të organizuar e korrupsionit”, ka vlerësuar Kelmendi për “Kosova Sot”. Ai shton se fatkeqësisht janë kalbur institucionet e drejtësisë, që kanë qenë së bashku në korrupsion, si dhe inkriminim në krim të organizuar,sikundër janë kalbur edhe pushtetarët tanë të lartë në të dyja nivelet e pushtetit.

“Në të vërtetë, do të duhej që të verifikohej në hollësi figura e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët kanë “lidhjet” e tyre me botën e rrezikshme të krimit të organizuar e korrupsionit”, ka thënë ai. Sipas Kelmendit, Kosova ka mjaft njerëz,të cilët do të bënin një përzgjedhje të duhur të personave për sistemin e drejtësisë, mbase pas një reforme të mirëfilltë e rrënjësore,pra pas një VETTING-u, edhe mund të kapërcehet kjo sfidë për ta reformuar e për ta pastruar sistemin e drejtësisë, por vetëm me vendosmëri dhe moral të lartë dhe përgjegjshmëri profesionale e njerëzore.

(Kosova Sot)